LAJMI I FUNDIT:

Ku është Shemsi Veseli?

Shemsi Veselin e kam takuar disa herë rastësisht kur monitoroja kuvendin komunal të Prishtinës në pranverë të vitit 2007. Ishte delegati më i zhurmshëm dhe më konstruktivi nga të gjithë delegatët e kuvendit komunal të Prishtinës, përfshirë edhe delegatët e vet, ata të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Shemsi Veseli është figurë e njohur edhe për opinionin, pra, për qytetarët e Prishtinës.

Ajo që më ka bërë përshtypje tek ky person është se sa herë që ka folur ai, ka folur me letra. Kishte “një kerr” letra me vete, kudo që shkonte. Shpesh doja ta pyesja se si reagon familja e tij kur Shemsi Veseli u shkon me çantë plot letra në shtëpi, e jo me para në kesh ose me kontrata banesash e shtëpish e të ngjashme, ashtu siç pretendohej se shkonin shumica e delegatëve, e drejtorëve dhe inspektorëve të kuvendit komunal të Prishtinës në shtëpi për çdo ditë, atëherë kur Prishtina udhëhiqej nga Ismet Beqiri. Jo të paragjykoj por, fatkeqësisht për qytetarët e Prishtinës, ky trend nuk ka ndryshuar as pas vendosjes së Isa Mustafës.

Për shembull, para disa ditësh, Isa Mustafa me drejtorët e tij promovoi nisjen e punimeve në një hapësirë gjelbëruese në lagjen Bregu i Diellit, midis blloqeve 3-5 dhe 4-6. Ishte një traktorist që vinte në orën 7 e 30 të mëngjesit dhe shkonte në orën 8 e 30 të mëngjesit, pra, punonte vetëm një orë. Pas tri ditëve, as ai traktorist më nuk erdhi. As Isa Mustafa jo. Ndërkohë, kuptova që komuna e Prishtinës (Isa Mustafa dhe drejtorët e tij) i paskan ndarë rreth 300 mijë euro për ri-gjelbërimin e asaj pjese. E tash, kur sot dal pasdite me djalin tim dhe shkeli në atë pjesë, më vije, thjeshtë, të qaj nga mashtrimi, nga gënjimi e zhgënjimi dhe paskrupullësia e politikës mediale ditore në Prishtinë.


Një rast tjetër por që ndërlidhet me të gjithë kryetarët e kuvendit komunal të Prishtinës (të gjithë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK) është pishina e Gërmisë. Nuk e di si ta them këtë por ajo pishinë, ai ndërtim ose pamje fizike e asaj pishine, nuk ka ndryshuar fare tash e dhjetë vjet. Pishina e Gërmisë duket e njëjtë ashtu siç e patën ndërtuar serbët kah viti 1989, pra, asgjë nuk ka ndryshuar që nga atëherë. Ndërsa për të hyrë dhe shfrytëzuar pishinën e Gërmisë, të rriturit paguajnë 2 euro ndërsa të vegjlit mbi moshën 6 vjeç 1 euro. E nëse dëshironi çadër ose karrige dielli, ato paguhen shtesë, pra, plus rreth 3 euro. Shkurt, janë me mijëra euro që qarkullojnë në këtë pishinë për çdo vit, tash e dhjetë vjet, e pishina nuk e ka rastin të ndryshoj bile pak. Këtu nuk po e përmendi ilustrimin tjetër, atë të pagesës 1 euro për të hyrë e shfrytëzuar atë pak gjelbërim të Prishtinës në parkun e Gërmisë. As aty, tash e dhjetë vjet, asgjë nuk ka ndryshuar. Tashti, më duket e tepërt të pyes se kah po shkojnë gjithë ato para.

Ajo çfarë dua të them është se Shemsi Veseli e ka përgjigjen në këto pyetje. Bile, në mënyrë të detajuar. Plus me letra. Shemsi Veseli e di përgjigjen jo vetëm në këto pyetje por edhe në shumë pyetje të tjera. Përveç kësaj, Shemsi Veseli i di dallaveret (me letra) të shitblerjeve të dyshimta dhe të verifikimeve të tyre në gjykatën komunale në Prishtinë, pra, i di dallaveret në mes të drejtorëve dhe të inspektorëve të kuvendit komunal të Prishtinës dhe gjykatës komunale në Prishtinë.

Në të vërtetë, Shemsi Veseli nuk di asgjë më shumë sesa që dimë të gjithë ne, qytetarët e Prishtinës, sepse janë gjëra që po na ndodhin para syve. Por, Shemsiu i ka përgjigjet me letra, me dëshmi, me fakte.

Shemsi Veselin kam pasur rastin ta pyes pse nuk ishte kandiduar për kryetar të komunës së Prishtinës si kundër-kandidat i Isa Mustafës. Përgjigja ishte pakëz e paqartë. Në të vërtetë, ky ishte ai momenti i gazetarisë kur, shpesh, përgjigja nuk është më e rëndësishme sesa pyetja.

Astrit Salihu im

Këto mendime më erdhën kur lexova këto ditë në “Kosova Sot” që Astrit Salihu do të jetë kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale më 15 nëntor 2009. Tashti, nuk e kam ndërmend të gjykoj nëse PDK ka bërë zgjedhje e zgjidhje të mirë ose të keqe, por, ajo që më takon ta them si qytetar i Prishtinës është se nëse Astrit Salihu e menaxhon kuvendin komunal të Prishtinës ashtu siç e ka menaxhuar radio-televizionin e Kosovës (RTK) për disa muaj si zëvendës drejtor gjeneral, atëherë Zoti le të na e falë të gjithëve.

Astrit Salihu nuk ka aftësi menaxhuese, kështu që ai nuk do të zgjidh problemet e qytetarëve të komunës së Prishtinës dhe të vet kuvendit komunal të Prishtinës. Për më tepër, ka të ngjarë që Astrit Salihu të kalojë e të bëhet njëri prej problemeve të komunës.

Komunës së Prishtinës nuk i duhen doktorë e intelektualë, por njerëz që e njohin ndër-komunikimin personal, publik, mirëqenin e qytetarëve, të jetuarit në bashkësi dhe përgjegjësia që shkon me të, dhe disa të tjera. Këto janë detyra që i di dhe i bën menaxheri. E Astriti nuk është i tillë.

Këto fjalë për Astritin nuk e bëjnë Isa Mustafën (ose këdo tjetër mëtanë në LDK e parti tjera) më të mirë. Është LDK ajo që e ka shkatërruar Prishtinën. Këtu as që ka dilemë. Por, nuk po e kuptoj nëse PDK e ka njëmendët që të merr përsipër dhe menaxhoj komunën e Prishtinës apo kryeministri do t’ia bëj sikurse herën e kaluar – do t’i shpërblej humbësit-kandidatë të kuvendeve komunale e do t’i bëj hiq më pak se ministra, ose drejtorë gjeneral të RTK-së. Kështu, a është i njëmendët qëllimi i z. Astrit Salihu të jetë kryetar i Prishtinës, ministër ose drejtor? Përsëri gazetaria ku përgjigja më nuk është e rëndësishme. Sido që të jetë, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të shikojnë përsëri në vepër mrekulli-bërjen e sistemit tonë zgjedhor.

Sido që të bëhet, ajo që më takon të propozoj si qytetar i Prishtinës është se komuna e Prishtinës ka nevojë për një njeri të llojit Edi Rama nga Tirana. Edi Rama nuk do ta bënte asnjëherë atë që ia bëri Tiranës dhe Shqipërisë (metropol klasik botëror) pa përkrahjen dhe ndihmën, pra, bashkimin e dy partive atje, të socialistëve dhe të demokratëve.

Dua të them, nëse ka vullnet politik të luftohet korrupsioni në çdo sferë dhe të dërgohen në burg shumica e drejtorëve dhe inspektorëve komunal në komunën e Prishtinës (nëse jo të gjithë) dhe të punohet që Prishtina bile t’i përngjajë ndonjë metropoli sado modest botëror, atëherë tri partitë tona kryesore, PDK, LDK dhe AAK, nuk e kanë qare të ulen e të pajtohen bile në këtë pikë, sundimin e ligjit dhe rendit në kryeqytetin e shtetit më të ri në botë, Prishtinën. Për vete, dyshoj që z. Salihu të ketë aftësi t’i bashkojë partitë politike të Kosovës rreth një vizioni që quhet sundimi i ligjit dhe i rendit në kryeqytetin e Kosovës.

Mund të vazhdoj edhe pak e të ironizoj e të them se edhe Prishtina (sikurse veriu i Kosovës) ka nevojë për një mision të llojit EULEX, pra, mision që do të vendoste ligj dhe rregull në këtë qytet dhe atë nëpërmjet nënshkrimit të protokolleve me Beogradin, por dua të besoj që bile diku, tek ndonjë anëtar i cilësdo parti, të ketë mbetur pak vullnet për këtë kryeqytet.