LAJMI I FUNDIT:

Levski i vihet pas Shaptahoviqit

Levski i vihet pas Shaptahoviqit

Basketbollisti i Pejës, Samir Shaptahoviq, i cili është shpallur asistuesi më i mirë në Ligën Ballkanike, ka gjasa reale që në edicionin e ri të jetë pjesë e Levskit të Sofjes.

Në fakt, ka qenë vetë basketbollisti i cili e ka konfirmuar interesimin e klubit bullgar për shërbimet e tij.

“Jam i lumtur që jam shpallur asistuesi më i mirë në Ligën Ballkanike, pasi konkurrenca ka qenë shumë e fortë. Fakti që jam asistuesi më i mirë tregon më së miri se jam lojtar që i jap prioritet skuadrës dhe jo lojës individuale”, ka thënë Shaptahoviq, transmeton “rtk”.

“Pikërisht paraqitjet e mira në BIBL kanë bërë që Levski të interesohet për transferimin tim. Duke qenë se kjo skuadër në edicionin e ri do të garojë edhe në Ligën e Adriatikut, atëherë pa dyshim se nëse largohem nga Peja, stacioni im i ardhshëm do të jetë Levski”, ka theksuar Shaptahoviq.


Ai ka bërë të ditur se ende nuk ka biseduar me drejtuesit e klubit pejan, me të cilët ka kontratë të vlefshme, por ka thënë se këtë do ta bëjë pas përfundimit të këtij edicioni. /RTK/Telegrafi/