LAJMI I FUNDIT:

De Biasi: Sadiku vetëm një herë për Kosovën

De Biasi: Sadiku vetëm një herë për Kosovën

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka dhënë përshtypjet e tij në lidhje me shortin e kualifikimeve, duke ritheksuar se Shqipëria “peshkoi” grupin më të vështirë të mundshëm.

I pranishëm në Asamblenë Zgjedhore të FSHF-së, trajneri italian i Kombëtares, gjithsesi u mundua të lëshonte nota optimiste. “Jemi në një grup shumë të vështirë, prandaj do të duhet që të angazhohemi maksimalisht për të bërë një paraqitje sa më të mirë në këtë edicion. Duhet të punojmë shumë në të gjitha aspektet, sepse kemi të bëjmë me kundërshtarë shumë të fortë. Sipas meje, do të jetë një edicion impenjativ, ku do të nevojitet që të bëjmë kujdes edhe ndaj detajeve shumë të vogla”, tha fillimisht De Biasi.

I pyetur sa i përket Samir Ujkanit, i cili hoqi dorë nga Kombëtarja e Shqipërisë për të luajtur për Kosovën, De Biasi nuk preferoi që të jepte një ide të qartë, duke e anashkaluar si temë.

Sakaq, ai ka qartësuar qëndrimin porsa i përket Loret Sadikut. “Nuk dua të flas shumë për lojtarët kosovarë. Unë do ta kem skuadrën në dispozicion më datë 3 mars dhe aty do të flas sy më sy me të gjithë për të parë gatishmërinë që ata do kenë karshi Kombëtares për këtë edicion kualifikimesh. Ndërkohë kam vërejtur se është bërë shumë zhurmë për Loret Sadikun, ndaj dua të qartësoj se ai do të luajë vetëm këtë ndeshje me Kosovën dhe më pas do të jetë pjesë e skuadrës sonë kombëtare”, përfundoi De Biasi. /Tribuna/Telegrafi/