LAJMI I FUNDIT:

Hendboll: Organizohet turneu ndërkombëtar për femra “Shqiponja 2014”

Hendboll: Organizohet turneu ndërkombëtar për femra “Shqiponja 2014”

Me mbështetje të Komunës së Gjakovës, të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe të Federatës së Hendbollit të Kosovës, nga klubi hendbollistik në kategorinë e femrave, “Shqiponja” organizohet turneu tradicional ndërkombëtar në hendboll “Shqiponja 2014”. Ky turne organizohet në shënim të 7 Marsit-Ditës së Mësuesit dhe 8 Marsit-Ditës së Gruas.

Turneu mbahet në palestrën e sporteve “Shani Nushi” dhe pos ekipit nikoqir Shqiponja, si i vetmi nga Kosova, marrin pjesë edhe Haskovo nga Bullgaria, Nikshiqi nga Mali i Zi dhe Çairi nga Maqedonia. Turneu organizohet me sistem eliminimi.

Në ditën e parë, me datë 7 mars, në ora 15:00 bëhet hapja e turneut ndërkaq në ora 16:00 zhvillohet ndeshja e parë gjysmëfinale. Ndeshja e dytë zhvillohet menjëherë pas ndeshjes së parë. Me datë 8 mars, në të njëjtin orar zhvillohen ndeshjet për vend të tretë e pas përfundimit të kësaj zhvillohet ndeshja për vend të parë. /Koha/Telegrafi/