LAJMI I FUNDIT:

“Nuk do të jetë lehtë me Kosovën”

“Nuk do të jetë lehtë me Kosovën”

Njëri nga lojtarët e Haitit që do të luajë ndaj Kosovës, Dominique Jean-Zephirin, është shprehur se nga lojtarët kosovarë e njeh vetëm Adnan Januzaj, por nuk e di nëse do të luajë. Ai thekson se e njeh edhe lojtarin e Chievos, Përparim Hetemaj.

Nuk është se kanë shumë njohuri për Kosovën, por vijnë për të fituar. Megjithatë, futbollistët e Haitit nuk presin që ndeshja të jetë e lehtë. Portieri i Haitit, Dominique Jean-Zephirin, thotë se ka njohuri se kjo është ndeshja e parë për Kosovën, derisa nuk di shumë për shtetin tonë. “Po, e di se kjo është ndeshja e parë miqësore ndërkombëtare për Kosovën. Nuk kam shumë njohuri për shtetin e Kosovës. Nuk kam informacione për këtë vend”, ka thënë Jean-Zephirin për ‘Sport Plus’.

Trajneri i kësaj Përfaqësuese tani është Marc Collat, derisa portieri i Haitit, thotë se ende nuk e di listën që do të jetë kundër Kosovës. Ai ka nëntë paraqitje me Përfaqësuesen e Haitit, derisa tani luan në skuadrën angleze, Staines Town. Dominique Jean-Zephirin është 31-vjeçar.

Ndeshje e vështirë


Por, ndryshe që nuk ka njohuri për shtetin e Kosovës, ka njohuri për yllin kosovar të Manchester Unitedit, Adnan Januzaj. “Kosova ka ekip shumë të mirë. E njoh Januzaj, por nuk e di nëse do të paraqitet. Gjithashtu e njoh edhe lojtarin e Chievos Veronës (Përparim Hetemaj)”, ka theksuar më tej portieri nga Haiti. Ai gjithashtu ka folur edhe për ndeshjen me Kosovën më 5 mars në Mitrovicë. “Ndeshja Kosova-Haiti do të jetë shumë e mirë. Ne vijmë në Kosovë për të fituar, por e di se nuk do të jetë ndeshje e lehtë”, ka përfunduar Dominique Jean-Zephirin. Ai në fund ka pyetur edhe se sa shikues do të jenë në stadium.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Haitit do të zhvillohet më 5 mars në Stadiumin e Mitrovicës ‘Adem Jashari’. Kjo është ndeshja e parë miqësore për Përfaqësuesen e Kosovës zyrtare. Kosovës iu lejuan ndeshjen miqësore nga FIFA më 13 janar të këtij viti. /SportPlus/Telegrafi/