LAJMI I FUNDIT:

Prishtina të ndryshojë në pranverë

Prishtina të ndryshojë në pranverë

KHF Prishtina nuk kanë shkëlqyer në pjesën vjeshtore të elitës së hendbollit kosovar, të paktën jo ashtu siç jemi mësuar t’i shohim viteve të fundit, kur kanë rrëmbyer çdo trofe të mundshëm në garat vendore.

Drejtuesit e klubit gjatë këtyre ditëve janë takuar dhe kanë shqyrtuar mundësinë që gjërat në këtë klub të kthehen në binarë dhe kanë ardhur në përfundim se kjo arrihet duke punuar në shtigje më të gjata.

“Kemi filluar ushtrimet dhe nuk ka ndonjë risi në përbërje, me përjashtim të hendbollistëve të Maqedonisë, të cilat nuk i kanë përmbushur pritjet dhe nuk do të jenë më pjesë e Prishtinës. Qëllimi është që të krijojmë një skuadër të re, të punojmë më shumë me gjenerata të reja, të cilat do të kenë mundësi të dëshmohen dhe të tregojnë cilësi si në Superligë ashtu edhe në Ligën e parë”, tha kryetari i klubit, Nebih Zariqi.

Sa i përket shtabit teknik, ai do të drejtohet nga ish-hendbollistja, Zijavere Loshi dhe Shemsi Luta, ndërkohë që Beqir Hasangjekaj është emëruar koordinator i të gjitha grupmoshave. Sipas Zariqit edhe ish-hendbollisti i dikurshëm, Memli Zhubi, ka shprehur gatishmëri që ta ndihmojë skuadrën dhe kjo është mirëpritur nga të gjithë”.


Furnizimi me lojtarë është çështja që i ka preokupuar drejtuesit e skuadrës, të cilët duan që hendbolli të ketë më shumë përkrahje, por që edhe të rejat të merren më shumë me këtë lojë. “Do të organizojmë ligën e hendbollit nëpër shkolla fillore, në mënyrë që hendbolli të masivizohet sa më shumë. Jemi shumë të interesuar të riaktivizojmë edhe Lidhjen e Sporteve e cila nuk është duke funksionuar fare në kryeqytet”, tha Zariqi. /Zëri/Telegrafi/