LAJMI I FUNDIT:

Kombëtarja e femrave, e lënë pas dore

Kombëtarja e femrave, e lënë pas dore

Ndonëse i cunguar, vendimi i fundit i FIFA-s sikur ka çuar peshë të gjithë në futbollin kosovar, të cilët mezi presin ndeshjen e parë të përfaqësueses së Kosovës. Megjithatë, të paktë janë ata që kanë njohuri se përfaqësuesja e femrave të Kosovës ka një vit që ka marrë të drejtën e zhvillimit të ndeshjeve miqësore, por që kjo ka mbetur vetëm në letër, pasi të paktën deri më tash as që është grumbulluar.

Këtë e thotë edhe përzgjedhësja e përfaqësueses së Kosovës, Afërdita Fazlija. “Ka shumë arsye për këtë dhe njëra nga arsyet e moszhvillimit të ndeshjeve është se vendimi i cunguar i FIFA-s para një viti sikur është injoruar nga të gjithë, gjithnjë duke qenë në pritje të ndonjë vendimi më të pranueshëm për ne. Nga kjo as grupmoshat e reja te meshkujt nuk kanë zhvilluar ndeshje me përjashtim të U17 që ka luajtur me Shqipërinë.

Kjo ka ndikuar në mosorganizimin e duhur, mungesën e stimulimit, problemet me ligën e femrave, e cila nuk është cilësore, nuk ka sistem të duhur të garave dhe ka pak skuadra. Kjo ka bërë që shumë futbolliste të dalluara ta gjejnë veten në skuadrat e rajonit, veçmas në dy vitet e fundit”, thotë Afërdita Fazlija, e bindur se së shpejti mund të kemi edhe ndeshje të femrave, duke thënë se “kemi përgatitur planin operativ, i cili është i ngjashëm me atë të meshkujve dhe shpresoj se sa më parë që është e mundur do të zhvillojmë ndeshje kur do të luajnë edhe meshkujt.

Opsioni më i mundshëm është zhvillimi i ndeshjeve me përfaqësuese të rajonit, por nuk e kam ende të qartë se vendimi i fundit i FIFA-s për moszhvillim të ndeshjeve me përfaqësueset e dala nga ish-Jugosllavia nuk e di a vlen edhe për konkurrencën e femrave”. Sa i përket cilësisë, Fazlija mendon se nuk na mungon cilësia sa kushtet, interesimi dhe puna që po bëhet këtu.


“Mendoj se në bazë të cilësisë së futbollisteve, jemi në nivel të shteteve të rajonit si me Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë, por jo edhe më gjerë. Përfaqësuesja e Kosovës 60% bazohet në futbollistet nga kampionati i Kosovës, e dihet se ai nuk është në nivelin e duhur pasi klubet janë në pozitë të vështirë, kanë shumë telashe në organizim dhe kjo gjithsesi ndikon edhe në cilësi”, thotë Afërdita Fazlija.

Njëra ndër futbollistet më të mirë në vendin tonë është Suada Jashari, e cila në kohën kur po bisedonim ishte në rrugë për në Shqipëri, e cila do t’i bashkohet skuadrës së re Vllaznia e Shkodrës.

“Sa më kujtohet mua një herë janë mbledhur, por unë në atë kohë isha në Shqipëri. Kjo dëshmon se futbollit të femrave nuk po i jepet rëndësi e madhe në Kosovë. Tani po flitet se do të luajmë edhe ne dhe kjo është mirë, veçmas nëse ndeshja zhvillohet si paralojë e përfaqësueses së Kosovës në konkurrencën e meshkujve, kur tribunat do të ishin të mbushura dhe do të ishte një spektakël i madh, por edhe motivim i madh për ne. Mendoj se kemi cilësi, madje në rajon jemi më të mirat”, thekson ish-futbollistja e Kosovës së Prishtinës, Suada Jashari. Futbollistja më e mirë në Kosovë, së fundmi e shpallur edhe nga FFK-ja, Qëndresa Krasniqi, nuk ka dëshirë të flasë për këtë temë, por thotë se “mezi po pres që të luajmë ndonjë lojë”. /Zëri/Telegrafi/