LAJMI I FUNDIT:

Vojvoda nënshkruan me Standardin

Vojvoda nënshkruan me Standardin

Një tjetër ‘Vojvodë’ nga Skenderaj po lulëzon, por jo në futbollin kosovar. 18-vjeçari, Mërgim Vojvoda, ka nënshkruar kontratë profesionale me klubin lider të elitës së futbollit belg, Standard Liege.

Pasi që ishte i pazëvendësueshëm në skuadrën e kategorisë U-21, klubi i ka ofruar atij kontratë për dy vjet e gjysmë. Në një prononcim për gazetën Arena, Vojvoda u shpreh shumë i lumtur për besimin që ia ka dhënë kryesia e klubit, derisa flet edhe për ambiciet me Standardin.

“Jam shumë i lumtur me kontratën e re me Standardin. Kam punuar shumë për të ardhur deri në këtë ditë dhe normalisht jam i gëzuar. Krerët e klubit më kanë besuar shumë, ndaj jam optimist që do t’ua shpërblej këtë besim. Synimi im kryesor te Standardi është që të zë një vend në formacionin e parë”, deklaroi Vojvoda, i cili luan si mbrojtës i djathtë.

Në anën tjetër, i kënaqur me kontratën është ndarë edhe menaxheri i futbollistit, Shukri Asllani. “Mërgimi këtë sezon ka qenë thjesht i pazëvendësueshëm në skuadrën U-21 të Standardit, ku i ka zhvilluar të gjitha ndeshjet nga minuta e parë. Ai ka bërë një përparim të madh dhe me hapa të sigurt është duke marshuar drejt ekipit të parë”, theksoi ai. /Arena/Telegrafi/