LAJMI I FUNDIT:

Peja kampione!

Peja kampione!

Skuadra pejane ka rrëmbyer epitetin e kampionit vjeshtor të këtij edicioni të ETC Superligës në basketboll, pasi e ka mposhtur skuadrën RTV 21 me rezultat, 80-98.

Kjo ndeshje ishte paraparë të luhej në xhiron e 11-të, por u shtye deri më tani për shkak të orarit të ngjeshur të pejanëve në Ligën Ballkanike.

Sidoqoftë, kjo nuk e ndali Pejën që ta tregonte fuqinë e saj përballë Teleboysave të cilët thjeshtë nuk patën asnjë mundësi për t’i mposhtur ata.

Verdhezinjtë edhe pse luajtën si mysafirë, në çdo çerek e kontrolluan rrjedhën e lojës dhe asnjëherë nuk i dhanë rast kundërshtarit për ndonjë befasi eventuale, dhe si pasojë e arritën edhe fitoren që e deshën.


Edhe këtë ndeshje më i miri ishte Samir Shaptahu i cili shënoi 27 pikë e 10 asistime, i përkrahur si gjithmonë nga Gerti Shima me 20 pikë. Në anën tjetër, për RTV 21, lojë të mirë treguan Jeremy Price (16) e Derrio Green (15), por që në fund nuk pati ndonjë dobi të madhe.

Peja me këtë fitore shpallet kampione vjeshtore e ETC Superligës së Kosovës në basketboll me 27 pikë të tubuara, aq sa ka edhe Sigal Prishtina në vendin e dytë, mirëpo me koshdiferencë më të vogël. /Telegrafi/