LAJMI I FUNDIT:

Kapen Bislimi e Sahiti, ikë Sokoli?

Kapen Bislimi e Sahiti, ikë Sokoli?

Fitorja ndaj Hajvalisë nuk është shoqëruar me brohoritje fitoreje në kampin ferizajas, por me bërtitma ndaj njëri-tjetrit. Trajneri i portierëve të Ferizajt, Jeton Bislimi, është konfrontuar me futbollistin e kësaj skuadre, Samir Sahitin, pas ndeshjes kundër Hajvalisë të dielën. ‘Gjakrat u nxehën’ pas një bërtime të Bislimit drejt Sahitit në pjesën e parë, teksa pas ndeshjes situata është qetësuar vetëm pas intervenimit të lojtarëve tjerë.

Një gjë të tillë e konfirmoi edhe Sahiti, por duke thënë që tashmë raportet ndërmjet tyre janë ‘ok’. “E kemi pasur një problem me Jetonin pas ndeshjes kundër Hajvalisë. Ka qenë një keqkuptim për shkaqe personale. Sidoqoftë, tani i kemi sqaruar gjërat dhe gjithçka është mirë”, deklaroi ai për gazetën Arena, duke thënë tutje që Bislimi mund t’i ketë bërtitur tjetër kujt. Gjithsesi, Sahiti e vlerëson shumë pozitive aventurën te Ferizaj dhe rezultatet e kësaj skuadre këtë edicion.

“Po tregojmë një formë të lartë. Me fitoren ndaj Hajvalisë kemi treguar që kemi një skuadër shumë të fortë dhe normalisht që mund të fitojmë titullin. Kualitetet tona i dëshmon edhe gjendja në tabelë. Tmerri do të vazhdojë për të gjitha skuadrat që do të luajnë kundër nesh”, shtoi Sahiti, goli i të cilit ndaj Hajvalisë ishte i pari këtë edicion nën fanellën e Ferizajt. /Tribuna/Telegrafi/