LAJMI I FUNDIT:

Debutimi, dhurata më e mirë e ditëlindjes për Alban Muçiqin

Debutimi, dhurata më e mirë e ditëlindjes për Alban Muçiqin

Thotë se i erdhi shumë keq që portieri Kushtrim Mushica u ndëshkua më karton të kuq, por njëherësh ndihet shumë i lumtur që debutoi në ekipin e parë të Prishtinës. Kjo ishte dhurata më e mirë që kishte marrë për ditëlindje, pasi që dje ai pikërisht festoi 18 vjetorin e lindjes. Fjala është për portierin Alban Muçiqi i cili të dielën në Merdar shënoi debutimin në Superligë, madje në portën e kampionëve aktualë, Prishtinës.

Muçiqi zëvendësoi Kushtrim Mushicën i cili në minutën e 78-të për shkak të luajtjes më dorë jashtë zonës së rreptësisë u ndëshkua me karton të kuq.

“Më erdhi shumë keq për përjashtimin e Mushicës. Këto janë gjëra që ndodhin në futboll”, tha fillimisht Muçiqi i cili më pas ka folur edhe për ndjenjën e të qenit në portën e Prishtinës.

“Dhuratë më të mirë për ditëlindje as që mund të kisha marrë, se debutimi i së dielës me Prishtinën. I falënderoj posaçërisht Mushicën dhe gjithë trajnerët që po më ndihmojnë shumë që në këto ndeshjet sa mungon portieri i parë ta zëvendësoj në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha gardiani bardheklatër, në duart e të cilit porta e Prishtinës do të jetë në dy ndeshjet e ardhshme.


Ai thotë se ky është rasti i tij dhe do të mundohet maksimalisht ta shfrytëzojë. Futbollit kurrë s’i dihet dhe mund të ndodhë që ky të jetë një hap i ri në karrierën e tij. Sipas tij, zëvendësimi i Mushicës është i vështirë, pasi që bëhet fjalë për portierin më të mirë në Kosovë, por ai do ta japë maksimumin në portë.

“Do të mundohem që të paraqitem denjësisht me fanellën e Prishtinës. Gjithsesi, mungesa e Mushicës do të vërehet pasi që ai është portieri më i mirë në Kosovë dhe më një përvojë të madhe”, përfundoi Alban Muçiqi.

Të rikujtojmë se Kushtrim Mushica ishte lojtari me më së shumti minutazh në ekipin bardhekaltër. Në kohën kur ky ekip po kalon nëpër momente jo shumë të mira, Mushica ishte ai që karikonte skuadrën.

Por në Merdar, duket se nuk e kishte ditën e vet, pasi që 12 minuta pa përfunduar ndeshje u përjashtua me karton të kuq, për t’i munguar së paku në dy ndeshjet e ardhshme Prishtinës. /Zëri/Telegrafi/