LAJMI I FUNDIT:

Sigal Prishtina e pamëshirshme ndaj ‘RTV 21’

Sigal Prishtina e pamëshirshme ndaj ‘RTV 21’

Sigal Prishtina është treguar e pamëshirshme ndaj ish trajnerit Arben Krasniqi, i cili tani drejton RTV 21. Sigal Prishtina ka vazhduar rrugën e fitoreve në këtë sezon të garave. Bardhekaltrit të shtunën mbrëma në “1 Tetori” kanë mundur skuadrën rivale RTV 21 me rezultat 91-72, në kuadër të xhiros së shtatë të ETC Superliga e Kosovës në basketboll.

Përballja në mes këtyre dy skuadrave të kryeqytetit të Kosovës, ka dhënë lojë mesatare, ndonëse ishin basketbollistët e Sigal Prishtinës, që kishin iniciative në lojë, derisa kjo ishte ndeshja e parë e trajneri të ri të RTV 21, Arben Krasniqi kundër ish skuadrës së tij.

Periudha e parë e kësaj ndeshje u mbyll me avantazhin e Sigal Prishtinës prej katër pikëve, 21-25.

Sigal Prishtina në periudhën e dytë zhvilloi lojë edhe më të mirë duke u shkëputur deri në 10 pikë epërsi, derisa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 40-52 në favor të Sigal Prishtinës.


Edhe në periudhën e tretë ishin “mysafirët” që e kontrollonin lojën në parket duke e mbyllur këtë pjesëlojë me rezultat 57-73, në të mirë të Prishtinës.

Në dhjetëminutëshin e fundit basketbollistët e RTV 21 u angazhuan më shumë, por jo sa për ta shkrirë epërsinë e Sigal Prishtinës, e cila në fund iu gëzua fitores me rezultat 72-91.

Lojtari më i dalluar në radhët e Sigal Prishtinës ishte Dardan Berisha me 21 pikë të shënuara.

Sigal Prishtina më këtë fitore forcon kreun e tabelës me 14 pikë, tri më shumë se Peja, e cila nesër luan kundër Kastriotit, kurse RTV 21 renditet në pozitën e pestë me tetë pikë të tubuara. /KP/