LAJMI I FUNDIT:

Karahoda i mëshirshëm për Hysin

Karahoda i mëshirshëm për Hysin

Ferronikeli sërish ka dështuar të gjejë fitoren, pasi që ka barazuar pa gola përballë Hysit, në ndeshjen e javës së 14-të të Superligës së Kosovës të zhvilluar në Skenderaj. Ekipi nga Drenasi ka krijuar shumë raste shënimi, por asnjë herë nuk arriti ta prek rrjetën e Blakçorit të sigurt, ndërkaq edhe llapjanët patën rastet e veta, por nuk i konkretizuan.

Rastin e parë e patën drenicasit nëpërmjet Karahodës (4’), por gjuajtjen e fortë të tij Blakçori e pret. Karahoda, tejet i pafat në këtë takim, sërish pati rast të mirë, në minutën 25’, por gjuajti jashtë portës. Revanshohen llapjanët në minutën 33’ nëpërmjet Zabërgjës, ndërsa në kundërzbritje Eminhaziri i Ferronikelit gjuan furishëm, por topi përfundon jashtë vijës fundore.

“Kundërshtari ynë ishte i fortë, por me pak angazhim dhe me koncentrim më të madh do të mund të fitonim, edhe pse Ferronikeli në pjesën e parë ka pasur raste të volitshme shënimi”, tha trajneri i Hysit, Fadil Ademi.

Edhe pjesa e dytë e lojës nisi dobët nga të dy ekipet, loja kryesisht zhvillohej në mesin e fushës, ndërsa në kundërzbritje udhëtuesit u treguan më të rrezikshëm, por edhe jo mjaftueshëm për të shënuar. Në minutën 69’ Karahoda gjuan jashtë portës, ndërsa në minutën 73’ Zhdrella dhe Zabërgja ngatërrohen, kështu që përfiton portieri i Ferronikelit, i cili kap topin.


Rastin e fundit dhe më të mirë për ta kaluar Ferronikelin në epërsi e pati Karahoda në minutën 82’, kur u gjend ballë për ballë me Blakqorin, por gjuajti drejt në të. “Loja ishte shumë e vështirë, Hysi është ekip i mirë dhe me formë në ngritje, patëm shumë raste që cilat nuk i shfrytëzuam. Pozita, të cilën e kemi në tabelë është ngarkesë për lojtarët dhe bënë që edhe lojtari i kalibrit të Karahodës të mos i shfrytëzoj rastet”, tha trajneri i Ferronikelit, Ramiz Krasniqi. /Zëri/Telegrafi/