LAJMI I FUNDIT:

Afrim evropiani

Afrim evropiani

Drenica e kishte nisur shumë keq kampionatin e ri, ngase prej pesë ndeshjeve të para i kishte fituar vetëm tri pikë. Me këtë rast, kuqezinjtë e kishin bërë një rokadë në krye të shtabit teknik, duke e emëruar Afrim Jasharin trajner të ri.

Zëvendësimi i Fadil Ramës me Afrim Jasharin doli të jetë një lëvizje tejet e qëlluar për këtë skuadër. Kjo pasi Jashari e pati nis shumë mirë aventurën si trajner i Drenicës, dhe mrekullia e tij nuk ka të ndalur.

Ai nuk din për humbje që tetë javë, prej ditës kur e nisi punën në stadiumin ‘Bajram Aliu’. Nën udhëheqjen e Jasharit, Drenica i ka fituar plotë 18 pikë në tetë ndeshjet e fundit, falë pesë fitoreve e tri barazimeve. Kështu, kuqezinjtë tani e shohin vetën në vendin lartë në renditjen tabelore, përkatësisht në vendin e katërt me 21 pikë, duke lënë prapa vetës kandidatë të mëdhenj për titull të kampionit, siç është kampioni në fuqi, Prishtina apo nënkampioni Trepça ’89.

“Me Drenicën jam shumë i lidhur që nga paslufta. Në Skenderaj njihem si një fanatik dhe dashamir i madh i futbollit, posaçërisht Drenicës”, thotë Jashari, njeriu më meritor i kësaj ‘stuhie’ kuq e zi. /Tribuna/Telegrafi/