LAJMI I FUNDIT:

Për fitore ndaj kampionëve

Për fitore ndaj kampionëve

Udhëtuan gati një ditë të plotë për të arritur tokën izraelite, aty ku synojnë ta vazhdojnë serinë fantastike të ndeshjeve në Ligën Ballkanike. Skuadra e Sigal Prishtinës të mërkurën (sot) do të luajë kundër kampionëve në fuqi të garës rajonale të basketbollit, Hapoel Galil Gilboa e që do të jetë një nga sfidat më të vështira për ta gjatë gjithë këtij stinori në BIBL.

Duke qenë seri prej dy fitoresh rresht, prishtinasit hyjnë të motivuar në këtë sfidë, gjithsesi përballë do të kenë skuadrën e cila ka shënuar fitoren më të thellë këtë edicion në BIBl, kur në ndeshjen e parë, xhiron e kaluar, mposhti 96:75 malazezët e Teodo Tivatit. E se do të jetë një sfidë e vështirë e di mjaft mirë edhe lojtari me paraqitjet më të mira në dy ndeshjet e para të prishtinasve në BIBL, Kendrick Jones.

Ky i fundit, duke folur për Arena pas arritjes në Izrael, ka thënë se përkundër kundërshtarit të vështirë, do ta japin maksimumin për të shënuar fitore. “Do të jetë një ndeshje e vështirë për ne. Galil Gilboa është kampion në fuqi në Ligën Ballkanike ndërsa ne kemi një skuadër që po rritet. Ndaj tyre ne duhet të luajmë lojë fizike, por edhe të mençur. Unë besoj dhe mendoj se mund ta shënojmë fitoren e tretë rresht në BIBL”, u shpreh Jones. /Tribuna/Telegrafi/