LAJMI I FUNDIT:

Kampionati mbarëkombëtar në paraglajdizëm, më shumë se një garë

Kampionati mbarëkombëtar në paraglajdizëm, më shumë se një garë

Fshati Kçiq i komunës e Mitrovicës është ndër fshatrat më të mëdhenj dhe me më shumë banorë në Kosovë, është fshat me peizazhe të bukura, një fshat i cili duket shumë i qetë dhe pa telashe.

Mirëpo, gjatë fundjavës që e lamë pas, të paktën për dy ditë ky fshat ishte mjaft i zhurmshëm pasi shumë banorë ishin mbledhur afër kodrës së Cernushës, me të vetmen arsye, të përcjellin kampionatin mbarëshqiptar të paragllajdizmit, një garë dhe spektakël që nuk është parë ndonjëherë në këtë fshat.

Nga kjo, nuk befasoi numri i madh i të pranishmëve, veçmas i të rinjve të cilët sikur edhe fushatat politike i kishin lënë anash në mënyrë që të jenë pjesë e spektaklit. Drejtuesit e Federatës së Aeronautikës së Kosovës dhe të Shqipërisë kishin bërë përgatitjet e duhura dhe që në mëngjes kishte filluar grumbullimin afër xhamisë së fshatit, vendi ku ishte caku i fluturimeve, ndërkohë që deri në maje të kodrës ku ishte nisja, bartjen e garuesve e bënin pjesëtarët e FSK-së.

Të palodhshmit e paraglajdizmit shqiptar, Alket Islami e Fadili Gërguri, si zakonisht nuk i linin asgjë rastit, duke kërkuar nga të gjithë disiplinë dhe përkushtim ndaj punës që po e bëjnë, ndërkohë që për humor sikur ishte i porositur Qetësori, personazh i njohur dhe fitues i spektaklit “Big Brother”, i cili ndonëse ishte në stafin organizativ të kampionatit, pothuaj gjatë tërë ditës ka relaksuar të rinjtë e fshatit, veçmas njomakët, të cilët as që e kishin ëndërruar se një ditë fituesi i spektaklit në Tiranë do të jetë pjesë e një ngjarjeje sportive dhe argëtuese mu në fshatin e tyre.


Derisa prania e mediave nga Shqipëria ishte befasi e këndshme, fatkeqësisht me disa përjashtime munguan mediat nga Kosova, të cilat përkundër ftesës nuk e panë të arsyeshme që të jenë të pranishme në një garë të një disipline që merret si ekstreme, por që është tejet atraktive dhe joshëse. Për organizim të duhur ishin kujdesur edhe drejtuesit e klubit të aeronautikës Trepça nga Mitrovica.

Sa i përket vetë garës, edhe para fillimit dihej se beteja më e madhe do të jetë në mesin e garuesve, të cilët edhe më parë kanë shkëlqyer në kampionate dhe turne të ndryshme, si në arenën vendore, ashtu edhe në atë ndërkombëtare.

Është fjala për Hyzdri Gubetinin e Kosovës dhe Xhonatan Islamin e Shqipërisë, dy zotë të hapësirës qiellore, dy lider të pakontestueshëm, dy përfaqësues të denjë të paraglajdizmit mbarëkombëtar. Për të pranishmit ishte e paimagjinueshme saktësia me të cilën ata arrinin në cak dhe nuk është i rastit fakti së në edicionin e kaluar Xhonatani ishte shpallur fitues vetëm se ishte 2 centimetra më i saktë se Hyzdriu.

Në ditën e parë, të gjithë garuesit kryen nga tre fluturime, kurse në ditën e dytë dy fluturimet e fundit. Epërsia e krijuar në ditën e parë nga Xhanatan Islami i Shqipërisë i mjaftoi që ky garues të shpallet kampion i garës në Mitrovica Open, por edhe kampion mbarëkombëtar pas tri etapave të mbajtura, ndërkohë që vendi i dytë i takoi garuesit më të dalluar nga Kosova Hyzdri Gubetini, i cili në ditën e dytë ka shkëlqyer, por kjo nuk mjaftoi për medaljen e artë. Pozita e tretë ishte për garuesin e ri nga Peja, Eduard Dacin, i cili premton shumë në të ardhmen.

“Natyrisht se jam shumë i kënaqur për garë, për pozitën e parë, por edhe për faktin se ishte një mikpritje shumë e mirë dhe një garë e organizuar mjaft mirë. Distanca mes meje dhe Hyzdriut ishte shumë e vogël dhe në fund pikërisht një shkëputje e vogël vendosi për vendin e parë”, tha fituesi i garës dhe kampioni mbarëkombëtar, Xhanatan Islami.

Në anën tjetër, fituesi i medaljes së argjendit, Hyzdri Gubetini, nuk ishte shumë i kënaqur me paraqitjen e tij. “Jo shumë i kënaqur pasi nuk shkoi çdo gjë ashtu si e mendova. Në fluturimin e parë bëra ulje shumë të keqe e cila bëri që të pësojë. Në ditën e dytë ishte më mirë por nuk mjaftoi për fitore. Megjithatë edhe vendi i dytë është sukses. Me rendësi është të garojmë e që të mos ndodh ndonjë ekses. Kushtet atmosferike ishin shumë të mira”, tha Gubetini.

Sekretari i Federatës së Aeronautikës së Shqipërisë, Alket Islami, ishte tejet i kënaqur, duke thënë se “është e sigurt se edhe në vitin tjetër kthehemi këtu. Cilësia është ajo që është dhe ne jemi të kënaqur. Natyrisht se kemi garues shumë cilësorë, por ka edhe diçka më të dobët.
Pres që vitin tjetër të jetë konkurrenca më e lartë, për këtë arsye do të mundohemi që në kampionatin e ardhshëm të ketë më shumë garues”.

I palodhshmi, Fadil Gërguri, dukej më i lumturi, pasi garuesit kishin arritur rekord të ri në saktësi. “Ishte garë shumë e suksesshme dhe jam i lumtur. Si të mos jem, kur edhe vetë e keni parë saktësinë e garuesve dhe arritjen e rekordit nga Xhonatan Islami. Ishte garë, por edhe shoqërim dhe shkëmbim përvojash dhe kjo na ka kënaqur më shumë. Është kënaqësi kur çdo gjë shkon mirë, kur nuk ka incidente e as lëndim më të vogël. Me këtë rast dua ta falënderoj FSK-në dhe policinë e Kosovës e cila na ka ndihmuar mjaft”, tha Fadil Gërguri.

Në fund të garës fituesit u shpërblyen me medalje. /Zëri/Telegrafi/