LAJMI I FUNDIT:

S’ka pranim me të drejta të plota për hendbollin kosovar

S’ka pranim me të drejta të plota për hendbollin kosovar

Hendbolli kosovar do të mbetet me status të njëjtë, i njohur ndërkombëtarisht vetëm me të drejta të kufizuara. Kjo pasi Federata Ndërkombëtare e Hendbollit nuk e ka futur fare në rend dite kërkesën e FHK-së për pranim me të drejta të plota në këtë institucion. Kërkesa e palës kosovare është refuzuar në Kongresin e IHF-it, me arsyetim se Komiteti Olimpik i Kosovës nuk është pjesë e atij Ndërkombëtar.

Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) nuk ka sjell lajme të mira nga Doha e Katarit, ku po mbahet Kongresi i 34-t i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit.

Në fakt, shtëpia e hendbollit ndërkombëtar as që e ka futur në rend dite çështjen e pranimit të hendbollit kosovar me të drejta të plota në këtë institucion.

Arsye e këtij refuzimi për t’u futur në votim rasti i Kosovës ishte fakti se Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) nuk është pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON).


“Kongresi nuk e futi në procedurë të votimit kërkesën tonë, për pranim me të gjitha të drejtat. Përfaqësuesit e Shqipërisë e përgatitën një kërkesë zyrtare, ku insistuan të futet në rend dite rasti i Kosovës dhe presidenti i IHF-it, Moustafa e hapi debatit, i cili zgjati afro 30 minuta. Në përfundim, rasti ynë nuk u fut në rend ditë me arsyetimin se Kosova nuk e ka Komitetin Olimpik të pranuar, që është kusht me status të IHF-it”, deklaroi presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, që po qëndron në Katar.

Sipas tij, presidenti i Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF), Jean Brihault ka qenë kategorik që hendbolli kosovar të mos pranohet me të drejta të plota në IHF, me arsyetim se nuk i ka përmbushur ende nevojat dhe parametrat për t’u bërë anëtare.

“Unë më pas para të gjithë anëtarëve të pranishëm të Kongresit i thash atij se asgjë nuk është e vërtetë nga ajo që e tha, pasi në statusin e EHF-it nuk ekziston ndonjë kondicion që e pengon Kosovën që të pranohet me të drejta të plota. Shumica e delegatëve ishin të gatshëm të votonin dhe u ranë në konfuzion kur rasti ynë nuk u fut në rend dite”, vijoi ai.

Numri një i hendbollit kosovar tregon gjithashtu se edhe përfaqësuesi i Serbisë në këtë Kongres ka reaguar ndaj futjes së rastit të Kosovës në rend dite, duke thënë se ky do të ishte veprim jashtë statusor.

“Për fat të keq, FHK ende është anëtare me të drejta të kufizuara. Ne do të bëjmë aktivitete dhe do të lobojmë dhe të kalojmë ashtu siç duhet. Në rast se nuk bëhet diçka, ne do të ankohemi në Komisionin Arbitrar”, kërcënoi ai.

Saraçini ndër të tjera shton se FHK-së i mbetet që tash e tutje të punojë më tepër me evropianët, pasi insiston se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet sa më parë. /Express/Telegrafi/