LAJMI I FUNDIT:

Luan “shenjtori”

Luan “shenjtori”

Dikur e bënte për famë dhe tituj, ndërsa sot e bën për të ndihmuar. Luan Krasniqi, njëri prej boksierëve më të mirë shqiptarë, pasi që ka braktisur ringun profesionist ka filluar një mision të shenjtë, ndoshta shumë më të madh se sa kur ishte aktiv. Krasniqi ka vazhduar të boksojë edhe në ditët e sotme, por jo për fitore, por për t’u ndihmuar atyre që kanë nevojë, fëmijëve dhe personave me të meta fizike.

Boksieri kosovar ka filluar misionin e një “shenjtori”. Ish-kampioni evropian i boksit në peshat e rënda është njëri prej ideatorëve të misionit humanitar nëpërmjet sportit të quajtur “Njollat e kaltra, për qëllime sociale”, që ka të bëjë me ndihmën e atyre që kanë më së shumti nevojë, për fshatrat S.O.S të fëmijëve kosovarë, por edhe të tjerëve.

Krasniqi misionin e tij të shenjtë pas boksit aktiv e ka filluar me pjesëmarrjen nëpër maratona dhe vrapime të ndryshme anembanë Gjermanisë. Përveç kësaj ai ka paguar veçmas edhe shuma të tjera për të ndihmuar fëmijët.

"Unë mund të përdor profesionin tim të kontribuoj për diçka të mirë, për projektet e ndryshme që kanë të bëjnë për fëmijët dhe fshatrat e tyre", ka thënë Krasniqi për mediat gjermane. “Në këtë mënyrë dua të shfrytëzoj sportin për t’i dalë në ndihmë atyre që u duhet më së shumti”, ka shtuar Krasniqi, i cili para pesë viteve i kishte thënë lamtumirë boksit aktiv. “Unë shpresoj në këtë mënyrë ndihma ime dhe e të tjerëve të arrij në destinacionin e duhur.


Shpresoj që kjo të jetë e mjaftueshme për ata”. Vitin e shkuar dhe këtë vit ylli shqiptar i boksit ka vrapuar në maratonat e mbajtura në Berlin, Freiburg dhe Dusseldorf, ku ka mbledhur donacione për fëmijët e Kosovës. Mirëpo ngjarja kryesore në këtë drejtim do të jetë meçi i 16 nëntorit, i cili do të mbahet në Ludwisburg. Luani në këtë meç pritet të sfidohet nga shefi i kompanisë së njohur të automobilave “Porsche”, Uwe Huck.

"Unë kam respekt të madh për Uwe. Ai është një njeri i madh dhe gjithashtu sportist i madh", tha Krasniqi. "Kjo ishte dëshira e tij për të luftuar dhe unë do t’ia përmbush”. Huck ishte dy herë kampion evropian në boksin tajlandez, por kundër Luanit do të provohet dhe në boks. “Nuk kam mundur të gjej partner më të mirë për një mision të tillë. E kam nderin që do të ndeshem me një njeri si Luani, i cili ka një shpirt të mirë dhe sportiv dhe këtë e shfrytëzon për gjëra të mira”, tha Huck. “Besoj se do të ndihmojmë sa më tepër të gjithë ata që kanë nevojë”, shtoi Huck.

Gjatë karrierës së tij profesioniste djaloshi nga Juniku ka zhvilluar gjithsej 35 meçe, prej të cilave 30 i ka fituar, 4 i ka humbur dhe 1 ka barazuar. Meçin e fundit e kishte zhvilluar në vitin 2008. /Zëri/Telegrafi/