LAJMI I FUNDIT:

Torcida e pakënaqur, bllokon stërvitjen e Trepçës

Torcida e pakënaqur, bllokon stërvitjen e Trepçës

Tifozeria mitrovicase ‘Torcida’, përmes disa anëtarëve të saj, e ka bllokuar të hënën stërvitjen e Trepçës, për shkak të pakënaqësive rreth rezultateve të fundit të ‘Xehetarëve’. Palët më pas kanë arritur marrëveshje vetëm pasi këtyre tifozëve u është premtuar se gjelbër e zinjtë do të dalin nga kjo krizë dhe do të sjellin rezultate pozitive.

Një pjesë e tifozëve mitrovicas të grupit ‘Torcida’ e kanë bllokuar përkohësisht të hënën mbrëma stërvitjen që planifikonte ta mbante Trepça në sallën e një shkolle në Mitrovicë.

Tifozët në fjalë e kanë shprehur pakënaqësinë ndaj rezultateve të ‘Xehetarëve’ në këtë fillim sezoni, mbi të gjitha pas humbjes befasuese nga Drita në Gjilan.

Drejtori sportiv i Trepçës, Naim Hajrizi e ka konfirmuar këtë rast, por thotë se gjithçka ka ardhur në vendin e vet pas bisedës që ka pasur drejtori ekzekutiv i këtij klubi, Besim Braha me këta tifozë.


Sipas Hajrizit, më pas stërvitja është zhvilluar normalisht. “Ishin disa tifozë të revoltuar me dështimin në Gjilan, të cilët nuk lejuan fillimisht zhvillimin e stërvitjes. Më pas kryesia e klubit bisedoi me ta dhe Besim Braha arriti marrëveshje me ta dhe stërvitja më pas u zhvillua”, deklaroi Hajrizi për Express.

Tifozët kanë hequr dorë nga vendimi i tyre vetëm pasi drejtuesit e klubit u kanë premtuar atyre se skuadra mitrovicase do të dalë nga kriza shumë shpejt, duke regjistruar rezultate pozitive në vazhdim të sezonit.

“Kemi kërkuar prej tyre vetëm durim. Ne na duhet një kohë që përforcimet të adaptohen dhe të korporohen në ekip. Puna po shkon mirë, i kemi humbur dy ndeshje që mund t’i fitonim. Në disa momente po bie koncentrimi, por shtabi teknik po punon që të shmangen këto probleme”, vazhdoi Hajrizi.

Trepça pati një nismë katastrofale të sezonit duke pësuar 3 humbje, e duke e fituar vetëm një takim. /Express/Telegrafi/