LAJMI I FUNDIT:

Peja synon t’iu kthehet fitoreve ndaj RTV21

Peja synon t’iu kthehet fitoreve ndaj RTV21

Këtë vikend zhvillohet java e katërt e ETC Superligës së Kosovës dhe njëra ndër ndeshjet më interesante pritet të jetë ajo ndërmjet Pejës dhe RTV 21, e cila zhvillohet të dielën në “Karagaç”.

Pejanët do të kërkojnë t’iu kthehen fitoreve pas dy disfatave radhazi, xhiron e kaluar në kampionat nga Sigal Prishtina dhe në mes javë nga KK Kozuv në ndeshjen debutuese në Ligën Ballkanike.

“Edhe pse dy ndeshjet e fundit pësuam dy humbje nga Sigal Prishtina dhe Kozuv, mendoj se nuk është ndonjë problem i madh. Që të dyja ndeshjet i luajtëm jashtë dhe për më tepër luajtëm ndaj dy skuadrave shumë të forta. Ndaj RTV 21 jemi përgatitur maksimalisht sikur ndaj çdo kundërshtari tjetër. RTV 21 ka lojtarë të mirë megjithatë ne jemi të fokusuar vetëm në fitore” tha basketbollisti i Pejës, Gerti Shima.

Në anën tjetër, RTV 21 pas një starti mjaft të mirë, xhiron e kaluar pësoi humbjen e parë nga Trepça dhe një gjë i pret edhe ndaj Pejës. ‘Teleboys’ së paku do të tentojnë t’i befasojnë kampionët aktual.


“Ndaj Pejës do të jetë mjaft vështirë. Ndeshja ndaj Trepçës ka qenë një gabim i yni dhe do të provojmë që ta tejkalojmë këtë “mini” krizë që kemi. Mendoj se jemi ekip serioz dhe nuk duhet t’i lejojmë vetes gabime të tilla. Peja është një ekip mjaft i fortë, të cilën po kanë vështirësi edhe klubet e Ligës Ballkanike. Megjithatë, as Peja nuk është e pamposhtur prandaj do të synojmë që t’i kthehemi fitoreve duke befasuar pse jo edhe Pejën”, tha qendra e RTV 21, Urim Zenelaj.

Peja do të jetë e kompletuar pasi që nuk ka asnjë mungesë, ndërsa tek RTV 21 janë në dyshim Nushi dhe Kasiulevicius. Sigal Prishtinën pas debutimit historik ndaj Kumanovës në Liganë Ballkanike e pret një ndeshje e lehtë ndaj ekipit të Besës, ekip që ende nuk e ka shijuar fitoren në elitë. Trepça në Gjilan ndaj Dritës do të kërkoj fitoren e dytë, ndërsa gjilanasit të tretën, ndërkohë Bashkimi ndeshet me Kastriotin, në duelin e ekipeve që kanë kompletuar vetëm nga një fitore këtë sezon. /Zëri/Telegrafi/

ETC Superliga – xhiro e 4-t:

e shtunë

Drita – Trepça, 19:00
Sigal Prishtina – Besa, 20:00

e diele

Peja – RTV 21, 19:00
Bashkimi – Kastrioti, 19:00