LAJMI I FUNDIT:

Duraku drejton Trepçën ‘89, ka zëra bojkoti

Duraku drejton Trepçën ‘89, ka zëra bojkoti

Fahredin Duraku do të drejtoj skuadrën e Trepçës ’89, deri në vendimin përfundimtar për çështjen e Arsim Abazit. Këtë e konfirmon kryetari i klubit, Abedin Zeka. “Jemi marrë vesh që stërvitjet t’i udhëheqë Fahredin Duraku. Ai do të jetë në krye të skuadrës deri në fundjavë, ku do të vendosim përfundimisht për Arsim Abazin”, deklaroi ai për Arena.

Zeka zbulon se kryesia e 89-shit ka dyshime për bojkot të futbollistëve ndaj Abazit. “Mendojmë që disa futbollistë i kanë bojkotuar takimet për shkak të Abazit. Jemi duke punuar që të kuptojmë për kë prej lojtarëve bëhet fjalë. Sigurisht që do të ketë suspendime. Në këtë aspekt, diçka të re do të ketë në javën e ardhshme, pas ndeshjes ndaj Trepçës”, tha ai.

Ndërkohë, i kontaktuar, Duraku tha se kanë qenë lojtarët ata që kanë kërkuar nga ai t’i drejtojë për takimin e fundjavës. “Sot (dje) më ka njoftuar kryesia se lojtarët kanë kërkuar që unë t’i udhëheq, pasi sipas tyre unë jam ai që i njoh më së miri. Prandaj bëhet fjalë vetëm për ndeshjen e së dielës, kurse më pas do të bisedojmë sërish”, tha ai. Derbi ndërmjet Trepçës dhe Trepçës ’89, zhvillohet në ‘Riza Lushta’. /Tribuna/Telegrafi/