LAJMI I FUNDIT:

Karatesë po i kthehet shkëlqimi

Karatesë po i kthehet shkëlqimi

Dikur karateja ishte jo vetëm ndër sportet më të popullarizuara, por edhe sporti më i suksesshëm në vendin tonë, pasi nuk kishte garë nga e cila karateistët tanë nuk ktheheshin me medalje.

Pas luftës në Kosovë, karateja sikur kishte humbur shkëlqimin dhe kjo më shumë për shkak të ndasive të mëdha në kreun e saj, të cilat ndikuan që imazhi i këtij sporti të zbehet dukshëm. Megjithatë, viteve të fundit karateja ka nisur jo vetëm të këndellet, por ta kthejë shkëlqimin e dikurshëm.

Kjo është parë në shumë gara anembanë rruzullit tokësor, e veçmas në kampionatin evropian të stilit Shotokan që u mbajt kohë më parë në Bursa të Turqi, në të cilin morën pjesë hiç më pak se 25 shtete me 1500 garues, ndërkohë që kosovarët fituan 11 medalje të arit, 9 të argjendit dhe 9 të bronzit.

Madje në ditën e fundit, në kuadër të këtij Kampionati u organizua edhe Kupa Botërore e Karatesë në të cilën karateistët tanë morën 5 medalje të arit, 6 të argjendit dhe 5 të bronzit. Kosova në këtë garë u paraqit me 21 karateistë, prej tyre 10 në mbështetje të Ministrisë së Sportit, kurse të tjerët me shpenzime vetjake. Në garën ekipore, Kosova mposhti përfaqësuesen e Azerbajxhanit me 2:0, kurse në finale mposhti Rumaninë me rezultat 2:1.


Përzgjedhësi i përfaqësuese së Kosovës, Ylber Syla, është tejet i kënaqur me paraqitjen e karateistëve tanë. “Natyrisht se ndihem i lumtur pasi karateistët kanë shkëlqyer në çdo pikëpamje. Ka kohë që në garat ndërkombëtare jemi ndër përfaqësueset më të dalluara dhe këtë e dëshmojnë medaljet e shumta. Kjo është një dëshmi se karatesë po i kthehet shkëlqimi dhe se në ta ardhmen presim rezultatet edhe më të mirë, por edhe mbështetje më të madhe.

Në Turqi çdo gjë ishte e mrekullueshme dhe ishte kënaqësi t’i shohësh vashat dhe djemtë tanë se si luftojnë në arenë, se si i mbrojnë ngjyrat e Kosovës. Që nga dita e parë kur në betejë dolën të rinjtë Krenar Ejupi, Leutrim Ejupi, pastaj Delvina Muçiqi, Herolind Nishevci, i cili nuk ka pësuar asnjë humbje, e deri në ditën e fundit kur u paraqitëm në garën ekipore, të gjithë kanë shkëlqyer dhe na kanë bërë që të mburremi me ta”, thotë Ylber Syla, i cili falënderon edhe trajnerët e klubeve dhe të përfaqësuesve të cilat janë duke punuar shumë dhe kjo po dëshmohet nga gara në garë. “Puna që po bëhet këtu po jep rezultate në garat ndërkombëtare.

Megjithatë, kushtet për punë këtu nuk janë aspak të mirë”, thotë përzgjedhësi, i cili falënderon veçmas ata që i përkrahën vajzat dhe djelmoshat e Kosovës në Bursa, veçmas në finalen e madhe kundër Rumanisë, e cila kishte zgjuar kërshëri të madhe në mesin e shumë shqiptarëve që jetojnë në Bursa të Turqisë e të cilët nuk u ndal në asnjë çast, duke përkrahur karateistët tanë. /Zëri/Telegrafi/