LAJMI I FUNDIT:

Nën dyshim turneu “Ibrahim Rugova”

Nën dyshim turneu “Ibrahim Rugova”

Turneu ndërkombëtar “Ibrahim Rugova” i paraparë të zhvillohet në fundjavë është vënë në dyshim. Kështu ka bërë të ditur dje organizatori i këtij turneu, Aziz Salihu, sipas të cilit është problemi financiar, por edhe pengesa që i ka bërë Federata e Boksit e Kosovës për t’u organizuar turneu.

“Ju e dini sa turneun e kam organizuar dhe që të gjithë kanë kaluar si është më së miri. Mos të nderojmë figurën më të madhe Ibrahim Rugova, për 5-6 mijë euro është marre për këtë qeveri dhe këta udhëheqës”, tha Salihu, duke lënë të kuptohet se as ministria, e as partia LDK nuk e ka ndihmuar në këtë aspekt.

“As pritje si duhet nuk më kanë bërë, me kanë refuzuar menjëherë. Fotografinë e tij nuk e heqin kurrë nga muret, ndërsa kur duhet të ndihmojnë e harrojnë. Edhe federata më ka penguar, ata deri 2-3 ditë para fillimit të turneut nuk më kanë dhënë lejë, madje edhe shteteve që i kam ftuar iu kanë sugjeruar të mos vijnë”, tha Salihu, duke njoftuar se gjithçka është gati dhe ftesat kanë arritur tek boksierët, por mbetet të zgjidhet ana financiare.

“Deri në fund të javës do të shohim çka do të ndodhë. Nëse nuk dalin të më ndihmojnë nuk mund ta mbajmë. Por unë them se ky turne nëse nuk mbahet tash do të mbahet më vonë. Nuk ndalem assesi”, shtoi Salihu. /Zëri/Telegrafi/