LAJMI I FUNDIT:

Tiranë, 3 nën pranga, prisnin pemë në Liqenin Artificial

Tiranë, 3 nën pranga, prisnin pemë në Liqenin Artificial

Policia Bashkiake e Tiranës në bashkëpunim me Komisariatin n.r 1 në kryeqytet, ndaluan në kushtet e flagrancës tre persona që prisnin pemët duke dëmtuar Parkun e Madh të Tiranës pranë Liqenit Artificial.

Policia Bashkiake ka konstatuar se të ndaluarit, Dritan Marku, Ardian Dervishaj dhe Shkëlzen Shehu, kanë prerë një numër të madh pemësh, dhjetëra pisha gjatë muajve të fundit, në orët e vona të natës.

Pretendimi i të ndaluarve ishte se ata prisnin pemët e rrëzuara, por, pas verifikimit, doli se justifikimi i tyre nuk qëndronte, raportoi Klan.

Policia sekuestroi edhe mjetet që ata përdornin, dy sharra elektrike, dy radio ndërlidhëse si dhe një furgon me targa të falsifikuara që përdorej për transportin e drurit.


Të ndaluarit akuzohen për prerje të pemëve dekorative, sipas nenit 206 të Kodit Penal./Telegrafi/