LAJMI I FUNDIT:

As në Itali nuk ka Babadimër?

As në Itali nuk ka Babadimër?

Një prift katolik në Italinë veriore është duke u përballur me kritika të rrepta pasi që fëmijëve të tyre u është thënë se Babadimri është vetëm një përrallë e thjeshtë.

Atë Dino Bottino, famullitar në Kishën katolike të “Zemrës së Shenjtë” në qytetin italian Novari u ka predikuar fëmijëve për “gënjeshtrën e madhe për Babadimrin” që i ka egërsuar prindërit.

“Ai thjesht ua ka prishur Krishtlindjet dhe Vitin e Ri fëmijëve të mi”, ka thënë një nënë për BBC.

Mirëpo, prifti kokëfortë ka deklaruar se nuk pendohet aspak për predikimin sepse mendon që është detyrim i tij i shenjtë të zbulojë fshehtësinë për mosekzistimin e Babadimrit.


“Babadimri është trillim i cili nuk ka lidhje me tregimin e krishtlindjeve për Jezu Krishtin. Edhe më tutje do të predikoj të njëjtën gjë, pa marrë parasysh se sa do të ankohet dikush”, ka deklaruar Bottino.

Prifti ka shtuar se nuk ka dashur të lëndojë as fëmijët e as prindërit, por “e vërteta mbi Jezusin duhet të ndahet nga legjenda e Babadimrit e cila është një përrallë siç janë e Përhitura apo Borëbardha”.