LAJMI I FUNDIT:

Ushtria diskriminon ushtarin ateist

Ushtria diskriminon ushtarin ateist

Si shumë të krishterë të tjerë ushtari, Jeremy Hall, e ka thënë lutjen e falënderimit para darkës dhe po ashtu e ka lexuar Biblën para se të flinte. Katër vite më parë kur është dërguar në Irak ai e ka marrë Biblën me vete në mënyrë që të jetë më afër Zotit.

Dy herë ka shërbyer në Irak dhe ka një referencë të shkëlqyeshme. Por diku mes dy shërbimeve diçka ka ndryshuar. Jeremy Hall, tashmë 23-vjeçar, thotë se më nuk beson në Zot, fat, rastësi, apo në diçka mbinatyrore.

Humbja e besimit në Zot atij po i kushton me rrezikimin e karrierës së tij ushtarake dhe tani po e rrezikon edhe jetën e tij. Ai thotë se është kërcënuar nga ushtarakë të tjerë dhe ushtria ka qenë e detyruar t’ia caktojë një truproje për ta mbrojtur atë.

Në mars ai e ka ngritur një padi kundër Departamentit Amerikan të Mbrojtjes. Në padi ai pohon se liritë fetare të definuara nga amendamenti i parë i kushtetutës amerikane janë shkelur nga ushtria amerikane e cila sipas tij është shndërruar në një organizatë të krishterë.


"Mendoj se kjo është tërësisht kundër kushtetutës”, tha ai duke shtuar se ka diskriminim të organizuar kundër ateistëve në ushtrinë amerikane.

Hall nuk kërkon dëmshpërblim por kërkon garantim të të drejtave fetare në ushtri. Ai mendon se duke qenë ateist nuk është promovuar në gradë më të lartë.