LAJMI I FUNDIT:

Dyvjeçari dërgon qenin për shëtitje në 3 të mëngjesit

Dyvjeçari dërgon qenin për shëtitje në 3 të mëngjesit

Një djalosh dyvjeçar anglez ka nxitur një kërkim policor pasi që kishte vendosur të dërgojë qenin e hallës së tij për shëtitje në orën 3 të mëngjesit.

Thomas Winspear kishte rënë në krevat pas një ndeje familjare kur kishte vendosur t’i çlirojë pak këmbët, raporton Daily Telegraph.

Kështu që ai mori qenin e hallës dhe u përvjedh nga dera e prapme e hallës që përkujdeset për të, Gemma Keenan derisa ajo ishte në kokërr të gjumit.

Një fqinj i cili ishte nisur për në punë të tij e ka parë djaloshin me qenin për dore duke u shëtitur dhe ka thirrur policinë rreth orës 3:15 të mëngjesit.


Policët, të mbështetur nga helikopteri, gjetën Thomasin rreth 550 metra larg shtëpisë së Gemmas pas një kërkimi afro gjashtë orësh.

Gemma, 25-vjeçare, e cila është betuar se kurrë më në jetë nuk do të luajë rolin e kujdestares së fëmijëve, e ka kuptuar se nipi i saj nuk ishte aty vetëm atëherë kur policia trokiti në derë duke mbajtur në dorë një fotografi të tij.

Ajo ka thënë për gazetën britanike Hartlepool Mail: "Policia më pyeti nëse më kishte humbur një djalë i vogël dhe unë i thashë se ai po flinte në krevatin e katit të sipërm.

Por kur u ngjita lart ai nuk ishte aty. Sa nuk më doli zemra nga vendi. Isha shumë histerike".