LAJMI I FUNDIT:

Unazën prej 12.000$ e merr era

Unazën prej 12.000$ e merr era

Një londinez ka thënë se planet e tij për një propozim romantik të martesës i ka marrë era, kur një balonë, e cila mbante një unazë diamanti me vlerë prej 12.000 dollarësh amerikanë, ka fluturuar në ajër.

28-vjeçari, Lefkos Hajji, ka shpjeguar se e kishte angazhuar një luleshitës të vendoste unazën brenda një balone me helium, si pjesë e planit të tij për t’i propozuar martesë të dashurës së tij. Fatkeqësisht, balona së bashku me disa të tjera që ai po i mbante në dorë, fluturuan në erë sapo ai kishte dalë nga dyqani i luleve, raporton gazeta britanike The Telegraph.

Hajji ka thënë se është futur shpejt në makinën e tij dhe ka ndjekur balonat për dy orë rresht para se të dorëzohej.

"Nuk mundja ta besoja. Vetëm e shikoja të tretej larg e më larg në ajër", ka thënë ai. "Ndjehesha si idiot. Më kushtoi një dreq e gjysmë dhe e dija se e dashura ime do të më vriste".


Hajji ka thënë se ende e pret kthimin eventual të unazës.