LAJMI I FUNDIT:

Zbulon dredhinë e bashkëshortit në Google

Zbulon dredhinë e bashkëshortit në Google

Një grua ka paditur bashkëshortin e saj, pasi që në makinën e kërkimit të internetit, Google, ka zbuluar se ai ka fituar një shumë të majme në lotari. Donna Campbell kishte filluar të dyshonte se diçka nuk është në rregull, që nga dita kur bashkëshorti i saj e kishte shkyçur televizionin dhe telefonin në shtëpinë e tyre, ka bërë të ditur gazeta Miami Herald.

Dyshimi kishte dalë i vërtetë, kur në adresë të tyre kishte arritur një letër, brenda se cilës ishte fotografia e një shtëpie të re të porositur. Zonja Campbell më pastaj në Google ka shkruar emrin e bashkëshortit të saj dhe ka zbuluar se, ai është njëri nga fituesit e shpërblimit prej 10.2 milionë dollarësh.

Ajo ka gjetur një komunikatë të Lotarisë së Floridës, ku thuhej se fitues të shpërblimit janë një ekip mekanikësh të aviacionit – që kanë qëlluar jackpotin. Secili prej tyre do t’i fitojë nga 298.000 funte nga shuma totale prej 5 milionë funtesh (10.2 mln $).

Campbell më pas është konfrontuar me bashkëshortin e saj, Arnim Ramdass, duke e pyetur: "Mos ke ndonjë lajm që duhet ta ndash me mua?” Tash, ajo ka ngritur padi ndaj bashkëshortit, duke kërkuar hise në paratë që ka fituar.


"Kemi të bëjmë me një person, i cili me vite të tëra ka shpenzuar para bashkëshortore në lotari dhe në kazino dhe çdoherë ka humbur. Dhe tash, kur më në fund ka fituar, ka tentuar që ketë gjë të mbajë fshehtësi nga gruaja e tij. Kjo është goditje shumë e ulët”, ka thënë avokati i zonjës Campbell, Bruce Baldwin.