LAJMI I FUNDIT:

Hospitalizohet Hillary Clinton

Hospitalizohet Hillary Clinton

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, është hospitalizuar të dielën, pasi mjekët kanë zbuluar një tromb gjatë një ekzaminimi që iu bë për shkak të një tronditjeje që pësoi gjatë këtij muaji.

Në 48 orët e ardhshme, ajo pritet të qëndrojë në spitalin Presbyterian në New York, në mënyrë që mjekët ta monitorojnë gjendjen e saj dhe ta trajtojnë me barna anti-koagulues, ka thënë zëvendës-ndihmës sekretari, Philippe Reines.

“Mjekët do të vazhdojnë ta vlerësojnë gjendjen e saj, duke përfshirë edhe gjëra të tjera të lidhura me tronditjen. Ata do të vendosin nëse nevojitet ndonjë veprim tjetër”, citon CNN fjalët e Reines.


Ai nuk specifikoi se ku është zbuluar trombi i gjakut.

65-vjeçarja po vuante nga një infeksion virusal i stomakut më herët gjatë këtij muaj, kur ishte ligështuar si pasojë e dehidrimit që ia kishte shkaktuar edhe tronditjen. /Telegrafi/