LAJMI I FUNDIT:

40 vjet përvojë pune, asnjë ditë prodhimtari

Nuk e di nëse iu ka rastisur që gjatë punës tuaj, në vendin ose institucionin ku punoni, të takoni edhe persona të moshuar, siç thuhet, të gjeneratave të vjetra të cilët, nëse iu jep kohë dhe mundësi, fillojnë t’ua numërojnë vitet që kanë punuar në atë institucion, në atë vend pune.

Shpesh thonë “unë punojë këtu qe 30 ose 40 vjet”, e kështu me radhë. Në anën tjetër, si më të rinj që jemi, shpesh e kalojmë pa e vërejtur këtë të dhënë, këtë informatë ose këtë situatë që të moshuarit provojnë të na e qesin përpara. Në një zhargon të thjeshtë, na duket që këta nuk bëjnë gjë tjetër përveç se “fryhen” me deklarime të tilla.

Dhe kështu, një ditë prej ditësh, një dreq i vogël hulumtues siç jam, fillova të mbledh të dhëna e informata mbi punën dhe përvojën e disa prej tyre mbi 30 vjeçare. Nuk e di se si të ilustroj situatën me të cilën u ndesha, por, nëse mund të ilustroj me ide dhe gjuhë popullore, kur të dalësh në bahçe me synim për të mbledhur diçka (kumbulla, kajsia, thana ose edhe lule, s’është me rëndësi) e të mos gjesh asgjë, është pakëz problem. Është problem sepse ose nuk je në bahçe fare, pra e ke huq terrenin ose ajo bahçe është tharë qysh moti pa përkujdesje ndoshta mbi 30 vjeçare.


Nuk kam ide se si t’i përkufizoj njerëzit që punojnë me vite të tëra, për shembull, në një institucion qeverisës, ta zëmë, 5 vjet, 10 vjet, 15 vjet, 20 vjet e më shumë, ndërsa që në karrierën e tyre profesionale nuk kanë asgjë mbrapa, nuk lënë asgjë mbrapa kur të dalin në pension. Sistemi administrativ qeverisës situatën e tillë e cilëson si mungesë të prodhimit/produktivitetit. Praktikisht, njerëz të tillë, sipas vështrimit të institucioneve ndërkombëtare financiare, si FMN, BB dhe disa të tjerave, janë barrë e rëndë financiare për institucionet qeverisëse të Republikës së Kosovës.

Në fakt, këtu lindi dyshimi për arsyen e rritjes së rrogave. Edhe pse nuk u tha publikisht, shumica e të punësuarve në administratën publike edhe këto rroga i kanë të mëdha në krahasim me prodhimtarinë, me punën e përditshme, përjavshme, përmuajshme e përvitshme. Sepse shumica e të punësuarve në institucionet qeverisëse sorollaten poshtë e lartë me letra nëpër duar dhe nëpër tavolinat e tyre të punës pa e pasur idenë se çfarë po bëjnë. Ose, edhe një punë që e mbarojnë, e mbarojnë keq, pa dhënë llogari e përgjegjësi.

Fjala është për njerëz që janë punësuar, dhe vazhdojnë të punësohen, me të njohshëm, përmes përkrahjes politike e familjare. Dhe, në vijim, këta njerëz nuk janë “veç hajt” në ato institucione, por shpesh qëllon të kenë pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse nga varet pushteti dhe drejtpërdrejt shteti, mirëqenia e qytetarëve.