LAJMI I FUNDIT:

Morali “i qepur” i shoqërisë shqiptare

Morali “i qepur” i shoqërisë shqiptare

Lindita Arapi

A.A. la të zgjedhurën e tij se nuk ishte e virgjër. Vajza të fshatit detyrohen të “rivirgjërohen“ për të kaluar provimin e natës së martesës. Deri kur do të vazhdojë shoqëria shqiptare të ushqejë vetë gënjeshtrën?


O tempora o mores? Nga njëra anë vajza të reja që nxjerrin në ankand virgjërinë për të fituar sa më shumë para nga ofruesit meshkuj- nga ana tjetër traumë e trishtim të atyre vajzave që e kanë humbur virgjërinë e i tremben beqarisë së përjetshme apo dhunës familjare. Nga njëra anë firma si Virginia Care që e “restaurojnë” virgjërinë për 60 euro në formën e një membrane artificiale – thjesht sa për t‘u lumturuar burrat që duan të ngrenë flamurin në tokën e pashkelur – nga ana tjetër burra që ndajnë bashkëshorten, pas natës së parë, sepse në çarçafë, për dreq, nuk u shfaq asnjë njollë gjaku.

Para pak ditësh, një djalë shqiptar, A.A e ndërmori këtë hap, pasi vajza e përzgjedhur për grua nuk ishte e virgjër. Ai ndjehej i mashtruar! Nëse vajza do të kërkonte falje, mund të kishte shans ribashkimi, sipas A.A.

Një dramë e re shqiptare me fund të paditur, sepse djali tani kërcënohet me gjakmarrje nga familja e vajzës, që ndjehet e damkosur me njollën e turpit. Ndërsa vajza? Për atë nuk është thënë publikisht asgjë. E, kjo heshtje flet më shumë! Nëse nuk është dhunuar për turpin që i solli familjes, ajo ndoshta qan me orë e mbyllur në katër muret fatin e saj të keq.

Shoqëria shqiptare ka shumë halle, debati publik ka emergjenca të tjera, e jo virgjërinë e vajzave, megjithatë kjo tabu e rrënjosur pashkulmërisht në vetëdijen e burrit shqiptar është ende burim dramash të reja e të vjetra, sidomos në zonat rurale. Sigurisht, çdo djalë ka të drejtë të zgjedhë vajzën që dëshiron, edhe dëshira për t’u martuar me një vajzë, që nuk ka pasur marrëdhënie seksuale më parë, nuk është krim. Sigurisht, çdo vajzë ka të drejtë të qëndrojë e virgjër, nëse dëshiron që ta fillojë jetën seksuale me jetën martesore. Madje, edhe në SHBA, një tendencë e tillë nuk është aq e rrallë, si tek djemtë, ashtu edhe vajzat. Lëvizja “True Love Waits” e propagandoi që në vitet ‘90-të të shekullit të kaluar, askezën para martese, në emër të një dashurie më të madhe pas kurorëzimit.

Deri këtu jemi në zonën e gjelbër të tolerancës, deri këtu e tolerojnë njëri-tjetrin si ithtarët e virgjërisë, ata që e varin martesën nga njolla e gjakut në çarçaf, ashtu edhe ata që e shohin himenin virgjëror, më shumë si pjesë të anatomisë së femrës, si apandesiti, e jo si kusht absolut për jetën në çift. Hendeku mes dy botëve thellohet kur ithtarët e virgjërisë – sigurisht ndër ta duhet të gjendet vetëm gjinia mashkullore – i lejojnë djalit lirinë e jetës seksuale, vetëm sepse është djalë, ndërsa vajzës jo vetëm ia mohojnë atë, por e sanksionojnë me epitetet “e çnderuar”, “e përdalë”, “e përdorur”, si një mall që tani nuk ia vlen të blihet, se është „second hand”, nëse ajo ka guxuar të sfidojë këtë rregullore të pashkruar.

“Kujdes! Vajza është si qelqi, po u thye nuk ngjitet më”! “Kujdes! Vajza është si qelqi, po u thye nuk ngjitet më”! Këtë refren të përditshëm të rinisë sime, unë ende nuk e kam harruar, një refren që nganjëherë ka përcaktuar jetën ose vdekjen në shoqërinë shqiptare. E, në vitet e pritjes derisa të “zgjidhesha”, nuk duhej të shkelja në dërrastë të kalbur, ndryshe nuk e plotësoja listën e kërkuar për martesë, ku virgjëria renditej e para në listë.

Sa herë që më thyhen qelqe, ende edhe sot më duhet të mendoj për virgjërinë, për mitizimin që e ka shoqëruar atë në shekuj. Sa herë i gjen të përgjëruar burrat e letrave për virgjëreshat e dëlira, ato janë burim frymëzimi i përhershëm poezish. Por, nëse në antikitet, perëndeshat si Artemis dhe Athinaja konsideroheshin virgjëresha, kjo lidhej më shumë me rininë e përjetshme të tyre, sesa me paprekshmërinë. Glorifikimi i Virgjëreshës Marie në fenë e krishterë dhe i virgjërisë si shenjë e dashurisë që i jepet vetëm Zotit, e ktheu paprekshmërinë në një virtyt për femrën, në një standard të patjetërsueshëm për shekuj. Edhe në Islam e gjejmë mitizimin e virgjërisë, edhe aty vajzës i ndalohet seksi para martese.

Një mit që ka shkruar historinë shekullore të superioritetit mashkullor, i cili i kishte dhënë vetes edhe shpatën për ndëshkim edhe lapsin për të skicuar rolin e femrës, ndërsa femrave pa asgjë në duar, vetëm me fëmijën në gji, nuk u mbetej veç nënshtrimi e përmbushja e rolit të paracaktuar në mënyrë shembullore. Kushedi sa lot, sa tragjedi, sa zemra të thyera, jetë të çuara në vetmi janë mbuluar nga pluhuri i harresës në shekuj vetëm për një cipë virgjërie! Kushedi sa lot derdhen ende sot!

Po ku ka një problem, siç dihet, kërkohet edhe zgjidhja, e pse të mos e kërkojnë një rrugëdalje edhe femrat që duan ta heqin qafe këtë pengesë që u pret rrugën e bashkëshortësisë, sipas motos: më mirë një gënjeshtër për një virgjëri që vlen vetëm një natë, se një jetë e çuar në hidhërim.

Ka kaq vite që një pazar i heshtur bëhet nëpër klinikat shqiptare. Një pazar që sjell më shumë fitime në muajt e verës, kur kthehen djem të rinj emigrantë që duan të martohen me vajza shqiptare, virgjëresha të denja për të mos e lënë të vdesë traditën. Rivirgjërimi ose siç njihet në popull, “qepja” është një operacion i vogël që kushton pak krahasuar me “fitimin” e madh që kanë këto vajza për një jetë të siguruar. E, në një shoqëri, ku emancipimi njihet më shumë si koncept i komunizmit që nxori gruan në punë, dhe jo si pavarësim e pjekuri e vullnetit të lirë, ku sot ai shpesh thjeshtëzohet me lirinë e veshjes së minifundeve, femrat nuk gjejnë rrugën e protestës për t’u çliruar nga një traditë që i viktimizon, por zgjedhin finokërinë femërore, duke i vënë meshkujve, sipas kokës edhe festen.

Megjithë, debatet shoqërore për virgjërinë e femrës që nuk i përshtatet kohës sot, shumë meshkuj shqiptarë nuk e kapërcejnë dot kufirin që ka vendosur tradita shekullore. Një kufi që është vendosur në familje herët në fëmijëri, që është forcuar në biseda shokësh për nusen e paprekur, që është çimentuar nga fjalët e nënave pëshpëritëse se nusen e duan të virgjër, duke harruar vajzërinë e vet, një kufi që është lëkundur në kohët e reja, sepse siç më tha një i afërm imi “të virgjërat mund t’i gjesh tani vetëm në 9-vjeçare”, por prapë reziston, nuk është fshirë. Megjithatë, kush kërkon gjen! Edhe këta djem gjejnë virgjëresha duke përmbushur kështu ëndrrën e tyre, pavarësisht nëse virgjëria mund të jetë “e restauruar” nga mjeku, rëndësi ka gjaku, rëndësi ka që në opinion të thuhet se vajza u gjend e virgjër.

O tempora o mores! Të martuarit me rivirgjëreshë bëjnë mirë të mos zgjohen kurrë nga ëndrra, ka shumë gënjeshtra të ëmbla që na e rregullojnë jetën, kjo dihet. Por, djemtë e rinj duhet të vendosin një ditë: Ose të mos e mitizojnë virgjërinë si kusht për dinjitetin e vajzës që duan, ose të vazhdojnë të mbajnë gjallë moralin “e qepur” të shoqërisë shqiptare… ata e dinë shumë më mirë se kushdo tjetër, kur vajzat e dashuruara i bëjnë zemrat e tyre të rrahin aq shpejt, se dashurinë mes të rinjve deri më sot nuk e ka ndalur kush.