LAJMI I FUNDIT:

Bumçi: Rama s’ka zgjidhje tjetër, veç Qeverisë teknike

Bumçi: Rama s’ka zgjidhje tjetër, veç Qeverisë teknike

Për qëllimin e protestës së opozitës, që tashmë po ngre një çadër për të qëndruar në bulevard deri në arritjen e objektivave, flet deputeti Aldo Bumçi.

TCH: Çfarë shpresoni të arrini nga këto protesta?


Bumçi: Le të flasim fillimisht për arsyet madhore që na sollën këtu. Godina e qeverisë së rënë të Shqipërisë është përgjegjëse për papunësinë, drogën dhe krimin. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe për t’i kthyer shpresën Shqipërisë.

TCH: Derisa do të qëndroni këtu për të arritur qëllimin tuaj?

Bumçi: Ne do qëndrojmë këtu derisa të arrijmë qëllimin tonë, derisa të ikë kjo qeveri e krimit dhe korrupsionit. Derisa të arrihet kjo, ne nuk shkulemi nga ky shesh. Kjo është zgjedhja e gjithsekujt.

TCH: Do të thotë që ju prisni dorëheqjen e Ramës?

Bumçi: Rama ka vetëm një akt, ose të largohet butësisht dhe të krijojë kushte për zgjedhje të lira, ose do të largohet me mjete të tjera. Në përballjen me qytetarët shqiptarë fitues janë gjithmonë qytetarët. Në këtë shesh ai është i vetmuar përballë qytetarëve, nuk e ndihmon dot as droga, as lekët, as krimi. Ai do të jetë humbësi më i madh. Qeveri teknike për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të ndershme.

TCH: Cilat janë këto mjete të tjera për të cilat flisni?

Bumçi: Ky kryeministër qeverisi 4 vjet, ditët e tij kanë mbaruar. Ai zgjodhi të qeverisë me krimin, e bëri Shqipërinë plantacion të kanabisit për Europën, rriti varfërinë dhe aktualisht jemi në eksod më shumë se sirianët. Për të gjitha këto arsye ka vetëm një zgjidhje: Edi Rama të largohet, sepse me krimin dhe policinë që janë në një krah; dhe lekët dhe kërbaçin në anën tjetër nuk ka zgjidhje tjetër.

TCH: Në këtë çadër çfarë do të arrihet?

Bumçi: Këtu nuk jemi në çadër, jemi në shesh me qytetarët dhe ne do të jemi këtu përditë, derisa të largohet Edi Rama, që është i vetëm dhe krimi, lekët e droga nuk e shpëtojnë dot. /Top Channel/