LAJMI I FUNDIT:

Zyba dhe amaneti i lënë përgjysmë

Rrokullisja e një kamioni me mallra serbe nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe arrestimi i dy aktivistëve të kësaj lëvizje (ndërkoh të liruar me kusht që të paraqiten një herë në javë në stacionin e policisë), nga ana e policisë më nxitën që të shkruaj këtë shkrim. Derisa po e shikoja me simpati rrokullisjen e këtij kamioni me mallra serbe në televizion diku kah fundi si zakonisht, folsja e edicionit te lajmeve tha se me këtë rast policia ka arrestuar edhe dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Emri i Salih Zybës më bëri të mendoja përtej simbolikës së këtij aksioni politik.

Zybën duhet ta kem takuar për herë të parë dikund në kryeqytetin historik dhe shpirtëror të shqiptarëve, në Prizren, ndonëse si emër e kisha dëgjuar edhe më parë. Së fundmi Zybën e kisha takuar në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje. Si në herën e parë ashtu edhe në herën e fundit Zyba më lë përshtypjen e një djali që në brendësinë e tij ka të shtresuar deri në thellësi luftën e popullit shqiptar për liri. Heshtja e tij por njëkohësisht edhe afërsia miqësore që ka, të bënë detyrimisht për vete.

Kureshtja për Zybën, posa e kisha dëgjuar emrin e tij ishte shtuar edhe më shumë në momentin kur e kuptova se ai është djali i veprimtarit dhe atdhetarit të madh Haxhi Zyba. Thënia se rasti është mbret i botës si duket nuk vlen edhe për pushtetin në Prishtinë sepse Salih Zyba pothuajse në të gjitha arrestimet e deritanishme është goditur brutalisht nga policia, në raste të veçanta duke e rrezikuar shumë seriozisht jetën e tij. Këto sjellje të policisë më kanë bërë të mendoj se Zyba nuk është rastësi, por është cak i pushtetit dhe veglave të tij, sepse ata ia kanë frikën madhështisë dhe atdhedashurisë që ka familja Zyba.


Zyba për asnjë çast nuk u bë rehat në shtetin e kornizave të Ahtisarit. Ndonëse për shumëkënd 99’ta do të ketë shënuar fundin e luftës për liri, për Zybën 99’ta do të ketë shënuar fillimin e realizimit të një ëndrre të lënë përgjysmë. Duke qenë djali i Haxhi Zybës, njeriut që bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm e kishte synim jetësor, Zyba së bashku me shokët e kohës së vet po e shënonin historinë moderne të shqiptarëve duke e kumtuar lajmin për të gjithë shqiptarët dhe tërë botën demokratike që amaneti nuk lihet përgjysmë.

Si shumë herë në epokat e historisë shqiptare Zyba dhe shokët e tij e kishin kuptuar mirë dhe drejt misionin që jua kishte ngarkuar koha, ndonëse mjegulla dhe shpërlarja e trurit ishte në maksimum. Zyba nuk mund të ishte ndryshe sepse ai luftën për liri dhe një shtet të vetëm e të bashkuar shqiptar nuk e kishte parullë politike apo edhe për para, por e kishte amanet të thënë e të shkruar në jetën e babait të tij, amanet që ende mbetet përgjysmë dhe kërkon përmbushjen e tij.

Vetë fakti se djali i një atdhetari të devotshëm dhe të pamposhtur i cili kaloi vitet e jetës së tij nëpër qelitë e errëta serbe, po vazhdon të burgoset dhe të jep të kuptosh se vërtetë amaneti ka mbetur përgjysmë. Edhe pse u tha se Zyba nuk ishte pjesëmarrës ai prapëseprapë u burgos.

Disa procese që po ndodhin ditëve të fundit duhet të na brengosin si shoqëri dhe të na zgjojnë doemos ndërgjegjen tonë karshi pushtetit. Në emër të rendit dhe të ligjit po bëhet një luftë e pastër politike, ku për protagonistë janë ata që në themelet e këtij shteti kanë mundin dhe gjakun e vet dhe të familjeve të tyre. Lufta politike me gjasë do të marrë hov edhe më të madh pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Unë jam tërësisht i sigurt që Salih Zybën dhe shokët e tij nuk do t’i ndalë askush sepse ata përfaqësojnë amanetin e lënë përgjysmë, por po brengosem që proceset tona politike nuk po ecin ashtu si duhet sepse po të ecnin ashtu si duhet Zyba do të lexonte historinë e lavdishme të babasë së vet dhe do të bënte një jetë normale dhe të qetë, por ja që atij i ka rënë hise që ta përmbush amanetin e lënë përgjysmë që babai dhe shokët e tij e nisën atëherë kur për dikë ishte çmenduri. Uroj që amaneti të bëhet realitet dhe që brezi i tretë i familjes Zyba ta gëzojë shtetin e bashkuar shqiptar. Pushteti kurrë nuk do të mund ta burgos Zyben sepse ai është vetë liria e kërkuar për dekada nga shqiptarët.