Zoti Basesku, njihe pavarësinë e Kosovës!
– Absurditeti i vizitës së këtij muaji –
Më herët këtë muaj, Presidenti i Rumanisë, Zoti Trajan Basesku bëri një vizitë njëditore në Shqipëri ku u takua me udhëheqës të shtetit dhe të qeverisë shqiptare. Në pamje të pare kjo vizitë e udhëheqësit rumun u duk shumë e ftohtë nga takimet që ai pati me zyrtarët shqiptarë, kur konsideron miqësinë e vjetër shqiptaro-rumune, si edhe rolin që komuniteti shqiptar në Rumani ka luajtur në përkrahje të çështjes shqiptare, sidomos në fillim të shekullit të kaluar.
Për më tepër, kjo vizitë nuk u duk aspak miqësore, pasi kemi të bëjmë me dy vende që tani janë anëtare të aleancës së NATO-s, dhe detyrimisht në rast të një nevoje ekstreme ushtarët e dy vendeve do të luftonin krah për krah me njëri tjetrin në mbrojtje të vlerave e të parimeve të Aleancës kundër një armiku të përbashkët.
Nga pamjet e jashtme u duk sikur Zoti Basesku e përdori vizitën e tij në Shqipëri jo për të thelluar marrëdhëniet midis Tiranës e Bukureshtit, por vetëm e vetëm për t’u dhënë një "leksion" publik shqiptarëve në lidhje me minoritetin arumun, por qëllimi kryesor duket se ishte për të vënë në dukje përsëri kundërshtimin e ashpër edhe ndoshta më të egër se në të kaluarën ndaj pavarësisë së Kosovës – kësaj rradhe nga platforma e një vizite shtetërore në Tiranë.
Interesimi i tij për arumunet në Shqipëri mund të përtypet disi, megjithëse po të përdorej e njëjta logjike, Shqipëria e tani edhe Kosova si dy shtete të pavarura, duhej të interesoheshin dhe të kërkonin edhe njohjen e pakicave të shqiptarëve në vende të tjera, larg trojeve tona autoktone ne Balkan, si per shembull ne Ukraine, ne Zare te Kroacisë e gjetkë, ku ka pakica shqiptare.
Por qëllimi i këtyre pak rreshtave nuk janë arumunët, por deklarata e Zotit Basesku në Tiranë, dhe politika "jo-fleksibile" e shprehur prej tij në emër të shtetit rumun karshi pavaresisë së Kosoves.
Rumania, për një kohë të gjatë ka zhvilluar një politikë pro-serbe, por sidomos gjatë luftërave të fundit në Ballkan, Bukureshti përkrahu forcat më të errëta të regjimit serb, të kryesuara nga Milosheviqi.
Më kujtohet kur isha drejtor i Zërit të Amerikës për Evropën gjatë luftërave të Ballkanit më 1990-at dhe gjatë luftës në Kosovë, ndërsa regjimi i Milosheviqit kishte vendosur censurë të plotë dhe kishte mbyllur një numer radiostacionesh, Zëri i Amerikës së bashku me BBC dhe Radio-n Evropa e Lirë, vendosën për të krijuar të ashtuquajturin, "ring around Serbia". Në të vërtetë, ishte një unazë radio-stacionesh rreth e përqark Serbisë, të cilat kishin ra dakord të ri-transmetonin programet perëndimore drejtuar popullit serb.
Rumania ishte i vetmi vend që ngurronte të aprovonte ri-transmetimin e programeve të tilla nga territori i saj, në një kohë që populli serb vuante nga mungesa e informatave të sakta në lidhje me krimet që bënte regjimi i Miloseviqit në Kosovë dhe në Ballkan. E them këtë për të vënë në dukje se politika rumune kundër shqiptarëve të Kosovës ka një histori të gjatë dhe është në përputhje dhe ndoshta në bashkërendim të plotë me politikën serbe.
Absurditeti dhe hipokrizia e politikës rumune u pa nga deklaratat e Zotit Basesku në Tiranë, ku ai vuri në dukje shqetësimin e tij për gjendjen e arumunëve në Shqipëri, të cilët gëzojnë respektin nga ligji si çdo qytetar shqiptar, ndërsa shteti rumun gjatë dekadave ka perkrahë ose ka heshtur në lidhje me gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë, dhe tani refuzon gjithnjë të njohë pavarësinë e Kosovës.
I nderuar Zoti Basesku. Evropa jug-lindore ka pësuar ndryshime rrenjësore në 20 vjetët e fundit. Shqipëria dhe shqiptarët, siç tha edhe Presidenti i Shqipërisë, Zoti Bamir Topi gjatë vizitës suaj në Tiranë, dëshirojnë të rrisin bashkëpunimin dhe sigurinë në Ballkan si dhe anëtarësimin e të gjitha vendeve në NATO dhe në Bashkimin Evropian, përfshirë, pra edhe Kosovën.
Presidenti shqiptar tha gjithashtu se është detyrim dhe aspiratë e vendeve dhe popujve tanë, si edhe i lidershipit politik për të qenë së bashku, për të bashkëpunuar që e nesërmja e Ballkanit të jetë në Evropën zyrtare.
Nga vizita e presidentit rumun në Shqipëri u pa qartë papajtueshmëria midis qëndrimit të Bukureshtit dhe Tiranes karshi pavarësisë së Kosovës. Por Shqipëria dhe Kosova kanë përkrahjen e patundur e konsekuente të Shteteve te Bashkuara dhe aleatëve tjerë perëndimorë për pavarësinë e Kosovës. Këtë e vuri në dukje dje për të 100-herë edhe ambasadori amerikan pranë OSBE-s, Zoti Ian Kelly i cili tha se "Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara (ndaj pavarësisë së Kosovës) mbetet i pandryshuar. Pavarësia e Kosovës mbetet e pandryshuar. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Kufijtë e sajë janë të vendosur", tha ambasadori amerikan.
Dhe në Prishtine sot, ministri britanik për Evropën, Zoti David Ledington, në një konferencë shtypi me Presidentin e Kosovës, Zotin Sejdiu, tha se "qeveria britanike do të mbetet e vendosur në mbështetjen e saj për pavarësinë e Kosovës dhe në kundërshtimin e saj ndaj çfarëdo bisede për ndarjen apo trajtimin e serishëm të çështjes së statusit të Kosovës", tha ministri britanik, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, ku solli përshëndetjet e kryeministrit te ri britanik, Zotit David Cameron, për popullin e Kosovës.
Prandaj, i nderuar president Basesku, për hir të miqësisë së vjetër midis dy kombeve tona dhe për një të ardhme më të mirë në marrëdhëniet midis shqiptarëve e rumunëve, bëjë atë që ka bërë shumica e botës së qytetëruar: njihe Kosovën shtet të pavarur e sovran, pasi një gjë e tillë është jo vetëm në interesin e përbashkët, por në të njëjtën kohë i shërben paqes dhe stabilitetit në Evropën Jug-lindore, zhvillimit demokratik, paqes e begatisë rajonale dhe integrimit të saj të shpejte në komunitetin euro-atlantik.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Ditë e re, provokim i ri për të mos reaguar - kësaj radhe në shtëpinë e BBVA futet Livia për të zgjuar banorët nga gjumi

I dërguari i Trumpit largohet nga Moska pas një takimi me Putinin - ai ka një mesazh të rëndësishëm për SHBA-në

Prokuroria autorizon policinë që të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

"Policë evropianë që vijnë të veshur si paramilitarë, si hajdutë, si bandita", Behrami kritikon përcjellësit e Thaçit

Xheneta reagon pasi takoi Gjestin në BBVA: Hiç prej shtëpisë mos me dalë, si ti 100 i gjejë

Gjyqtari Marciniak thyen heshtjen, tregon se si erdhi deri te anulimi i penalltisë së Julian Alvarez

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Ndodhet akoma në Big Brother - publikohet data e koncertit të parë të Gjestit

Zbulohen prapaskena befasuese: Me vetëm një telefonatë, Perez ndikoi që dy lojtarë të Barcelonës ta kalojnë regjistrimin

Ishte apo jo prekje e dyfishtë nga Alvarez? TNT Sports publikon pamje të reja për t'u dhënë fund debateve

Diego Simeone i la të gjithë pa fjalë për pyetjen që bëri në konferencë për media

Ulet pranë Gjestit, Xheneta: Dikush m’i ka puthur këta gishta të këmbës

Republika Serbe miraton një draft të kushtetutës së re - shtet brenda shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës