LAJMI I FUNDIT:

Zharku:Zhvillimi i Sektorit të NVM-ve në Kosovë

I nderuar president Z. Rubig, të nderuara zonja dhe zotërinj,

Pas vitit 1999 Kosova fitoi lirinë dhe përjetoi ndryshimet më të thella dhe më rrënjësore shoqërore politike dhe ekonomike në gjithë historinë e vet.

Plaçkitjet dhe shkatërrimet e mëdha që i’u shkaktuan ekonomisë së Kosovës sidomos në dy dekadat e fundit vlerësohen në disa miliardë €. Furnizuesit kryesor të shërbimeve publike si Korporata Elektro-energjetike, Hekurudha, kompania e mirëmbajtjes së rrugëve, PTK, kompania publike e ujërave dhe ajo e përpunimit të mbeturinave, si dhe ndërmarrjet shoqërore që bartnin mbi supet e veta gjithë zhvillimin ekonomik të vendit, që me vite e dekada të tëra kishin përjetuar amortizim teknologjik dhe humbje të substancës si në burime njerëzore ashtu edhe në atë materiale.


Sistemi bankar dhe skemat e sigurimeve shoqërore dhe atyre pensionale ishin
shkatërruar totalisht, duke u plaçkitur dhe bartur në bankat dhe skemat e ngjashme brenda Serbisë.

Edhe sistemi i edukimit pas përjashtimit me dhunë të mbi 650 mijë shkollarëve nga objektet e tyre shkollore në fillim vitet e ’90 kishte pësuar goditje të rëndë përkundër vullnetit gjithë-popullor për mbajtjen e këtij sistemi përmes formave alternative "shtëpishkolla".

Ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, në vitin 1999, e prirë nga NATO dhe e mbështetur nga BE-ja, SHBA-ja, Japonia dhe po thuaj të gjitha vendet e botës ishte ndërhyrja më e madhe ushtarake humanitare dhe ekonomike e komunitetit ndërkombëtar që mbahet mend në historinë e njerëzimit. Kjo ndërhyrje stopoi gjenocidin dhe zhvendosjen masive të kosovarëve që po ndërmerrte ushtria e Millosheviqit dhe formacionet paramilitare serbe.

Kosovarët pas lufte përballeshin me sfidat e transformimeve shoqëror, ku
sistemi totalitar komunist zëvendësohej me atë demokratik, sistemi i apartheidit me atë të lirisë, sistemi i ekonomisë së planifikuar që bazohej në pronën shoqërore zëvendësohej me sistemin e një ekonomie tregu, që ka për bazë pronën private dhe si rregullator ofertën dhe kërkesën, si dhe sistemi i transformimit të pronës nga prona shoqërore në atë private –
privatizimi.

Që nga 12 qershori 1999 e deri me 17 shkurt 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, komuniteti ndërkombëtar luajti një rol gjigant në përballimin e pasojave të luftës, rindërtimit, vendosjen e rendit dhe ligjit, ringjalljen ekonomike e mbi të gjitha kjo ndërhyrje ka ndikuar në mënyrë të jashtëzakonshme në perceptimin e ekonomisë së tregut dhe mekanizmave që drejtojnë këtë ekonomi nga ana e popullatës kosovare.

Iniciativa private është një tipar dallues i kosovarëve dhe kjo veti nuk ishte shuar asnjëherë përkundër presioneve nga më të ndryshmet që i bëhej nga diktatura komuniste.

Falë iniciativës private popullata kosovare arriti ta mbijetojë edhe epokën e Apartheidit të Millosheviqit gjatë së cilës një popullatë e tërë u delegjitimua nga të gjitha të drejtat: e drejta e punës, e drejta e edukimit, si dhe nga liritë individuale dhe kolektive.

Popullata e re e Kosovës, vullneti dhe entuziazmi për t’u ballafaquar me sfidat e jetës janë komponentët kryesorë që kosovarët i bëjnë të jenë në top-listën e këtij rajoni të EJLsë, për nga indeksi i aktivitetit total ndërmarrës (TEA-Total Enterprenial Activities) sipas nevojës, ( Sipas përqindjes së llogaritur dinamika e regjistrimit të bizneseve të reja në Kosovë është 45.6 ndërmarrje /ditë pune) por fatkeqësisht indeksit i ATN(TEA) sipas mundësisë është ende shumë i ulët në mungesë të fondeve publike për stimulim të
aktiviteteve ndërmarrëse.
Kur flasim për sektorin e NVM-ve, gjithmonë duhet t’i referohemi dokumentit
strategjik të Këshillit të Evropës, të marsit 2000, në Lisabonë, mbi arritjen e objektivave të BE-së për një ekonomi më konkurruese dhe më dinamike në botë, e cila për të qenë e aftë për një rritje të qëndrueshme ekonomike, krijim të vendeve të punëve më të mira dhe më të shumta, dhe zhvillimin e një kohezioni të mirëfilltë social i’a ka dedikuar suksesit të ndërmarrjeve veçanërisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Ky ritheksim i rolit të NVM-ve në zhvillimin ekonomik të një vendi obligon
institucionet dhe gjithë mekanizmat për rishikime të vazhdueshme të politikave dhe pozicionit të NVM-ve në strukturën e sistemit. Zhvillimi i Sektorit të NVM-ve në Kosovë ka bërë një progres të padiskutueshëm. Ambienti që rrethohet dhe vepron jo gjithherë ka qenë miqësor dhe i favorshëm për këtë sektor. Pesë vite pas lufte mund të themi se sektori i NVM-ve ka një prirje kah stabilizimi dhe veprimi normal. Shumë indikatorë që menjëherë pas lufte frynë të arriturat e këtij sektori tani po vijnë dhe po stabilizohen. Prirjet e ndërmarrësve për përfitime të lehta dhe të shpejta gradualisht po zëvendësohen me qëndrime përmbajtjesore dhe pritje reale të mbështetura kryesisht mbi zhvillimet e
tregut, ku dominon raporti mes ofertës dhe kërkesës.

Me kalimin e kohës institucionet vendore të mbështetura nga komuniteti
ndërkombëtar, si UNMIK-u dhe shtyllat e tij kryesore që promovojnë zhvillimin
ekonomik në Kosovë janë duke bërë një progres domethënës në sjelljen dhe aprovimin e ligjeve dhe rregulloreve, të cilat legalizojnë veprimtaritë dhe aktivitetet nga më të ndryshme biznesore. Sektori publik gjithnjë e më tepër po hapet ndaj atij privat dhe kjo hapje po përcillet edhe me njësi rregullatore e legjislative. Edhe procesi i transformimit të pronës tani më nuk është tabu-temë, por një çështje shumë e diskutueshme dhe e pajtueshme si për faktorin ndërkombëtar ashtu edhe për atë vendor se gjërat duhet lëvizur në kahet pozitive.

Kosova gradualisht po përgatitet për sfidat që zakonisht janë përballur vendet që
janë apo kanë kaluar periudhën e tranzicionit si, transferi i dijes dhe teknologjisë, absorbimi i fondeve dhe distribuomi i tyre, thithja e investimeve të huaja, anëtarësimi në mekanizmat dhe institucionet kryesore ndërkombëtare, si dhe proceset e integrimeve rajonale, evropiane dhe më gjerë. Në këtë rrugëtim mbështetja e komunitetit ndërkombëtar edhe më tej do jetë shumë e mirëseardhur po edhe institucionet e Kosovës, Kuvendi, Presidenca, Qeveria dhe gjithë mekanizmat brenda shoqërisë kosovare do të punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm për t’i krijuar popullit të Kosovës një perspektivë evropiane, ku qytetarët e saj do të ndjehen të lirë dhe të barabartë.

Fjalimi i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharkut, në Parlamentin Evropian në Bruksel, me temën " Qasja në financat e NVM-ve evropiane".