LAJMI I FUNDIT:

“Zbulimet” shqiptare: Muhamedi nga Skrapari, Jezusi nga Mirdita…

“Zbulimet” shqiptare: Muhamedi nga Skrapari, Jezusi nga Mirdita…
Ilustrim

Nga: Bledi Filipi

Për këtë shkrim në [ditoren] “Dita” mora shkas nga shkrimet dhe emisionet në mediat e përditshme kombëtare, sidomos nga ai i datës 24 prill në një televizion. Prej tyre po mendoj me vete: ku po shkojmë? Është për të ardhur keq, që sot kur ecet me gjuhën e shkencës, disave u pëlqen të merren me mite a legjenda e të flasin pa prova dhe si rrjedhojë po bëhemi qesharakë.

Nuk po kuptohet vitet e fundit se kush është gjuhëtar, kush mjek, kush jurist e me radhë, dhe mos të them që ka dhe nga ata që i bëjnë të gjitha.


Një miku im më nisi dje një shkrim, duke më kërkuar t’i jepja një shpjegim, pasi unë merrem paksa me etimologji, por kur pashë atë shkrim dhe se autori në fjalë ishte akademik, shtanga, falënderova të madhin Zot që jam një mësues dhe deri më sot u kam paraqitur nxënësve ato gjëra që janë të sakta shkencërisht.

Para se të hyj në tematikën që do të trajtoj, dua t’ju them se kohët e fundit edhe ju mbase si unë keni ndjekur emisione “të forta”, ku “gjuhëtarë” të vetëshpallur ngrenë zërin e thonë se shqipja është nëna e të gjitha gjuhëve; por “Ç’ke ti? – mund të thotë dikush nga ju, – s’të pëlqen?” Më pëlqen. Dua me gjithë zemër, por ashtu si dhe në gjyq duhen dokumente e prova dhe gjuha do dokumente. A i kemi? Kur fillojnë?

Disa të tjerë dalin e thonë me plotë bindje se Muhamedi qenka nga Skrapari dhe Jezusi nga një fshat i Mirditës. Nga njëra anë për të qeshur e nga tjetra për t’i rënë kokës me grusht.

Po le të kthehemi tek çështja jonë: vjetërsia e shqipes dhe etimologjia. Edhe disiplinat gjuhësore kanë rregullat e tyre, madje janë rregulla ndërkombëtare të cilat vërtetohen me dokumente.

Para se të kaloj tek çështja kryesore, do të bëni durim dhe të lexoni se ç’është etimologjia dhe si ndahet ajo.

Etimologjia është një degë e shkencës gjuhësore, që merret me prejardhjen e fjalëve. Ajo përcakton se kjo apo ajo fjalë e një gjuhe është fjalë vendi apo e huazuar, zbulon lidhjet e dikurshme midis fjalëve të një gjuhe, si edhe lidhjet e tyre gjenetike midis fjalëve me fjalët që u përgjigjen në gjuhët motra.

Etimologjia për të sqaruar drejt prejardhjen e fjalëve, sjell material për krahasim nga gjuhët e afërta. Kjo është etimologji shkencore.

Etimologjia popullore përcakton prejardhjen e fjalëve, duke u mbështetur zakonisht te ngjashmëria e tyre e jashtme, tingullore, me fjalët e tjera të njohura, zakonisht pa marrë parasysh ligjet e zhvillimit historik të gjuhëve.

Fjala ‘etimologji’ përdoret në praktikë jo vetëm për të treguar atë degë të gjuhësisë, që studion prejardhjen e fjalëve, por edhe për të shënuar vetë prejardhjen e fjalës (kështu themi se etimologjia e kësaj fjale është e vështirë, e paqartë). Përcaktimi i etimologjisë së fjalëve ka, veç interesit shkencor, edhe një rëndësi të madhe njohëse.

Studimet etimologjike ndihmojnë drejtpërdrejt në historinë e një populli, sepse historia e një gjuhe nuk mund të shkëputet nga historia e një populli që e flet, ato janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Gjetja e etimologjive është një punë tërheqëse edhe për njerëzit e zakonshëm, që nuk merren me gjuhësi, por etimologjia shkencore në vetvete nuk është një punë aq e lehtë, ashtu si mund të duket në vështrim të parë. Ajo kërkon një njohje të thellë të ligjeve që kanë vepruar në etapa të ndryshme të zhvillimit historik të një gjuhe, njohje të gjuhëve motra, si edhe njohuri të gjera në lëmin e historisë dhe të kulturës së popujve.

Në përcaktimin e etimologjive gjuhëtari duhet të mbështetet jo në ngjashmëritë e rastit midis fjalëve, por në konkordancat fonetike, që u përgjigjen ligjeve fonetike që kanë vepruar në etapa të ndryshme të zhvillimit të një gjuhe. Së pari, duhen marrë në shqyrtim ligjet fonetike kur krahasohen fjalët; së dyti, duhet vështruar struktura gramatikore e fjalës dhe ndryshimet e saj, dhe së treti, duhen pasur parasysh marrëdhëniet kuptimore midis fjalëve; fjalët të krahasuara nga ana fonetike, gramatikore dhe kuptimore. Të tria këto duhet të përforcojnë dhe të plotësojnë njëra-tjetrën.

E di që u zgjata, por duhej t’i sqaroja këto që të dalim tek thelbi i shkrimit. Akademiku shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Abdulla Memeti, krahas shkrimit etimologjik shkencor, na sjell si një arritje, etimologjinë popullore të fjalëve emra të festave fetare islame të Bajramit, me prejardhje nga gjuha shqipe dhe burim nga traditat e lashta Pellazge-Ilire, tezë për diskutime dhe reflektim.

Me emrin Bajram, dy festat kryesore fetare Islame, u njohkan vetëm ndër popujt që janë sunduar nga Perandoria Osmane, në trojet e lashta pellazge-ilire, jo edhe në botën arabe, siç e shpjegoka etimologjia e kësaj fjale në gjuhën shqipe dhe historia e prejardhjes së këtyre festave sipas traditës së lashtë pellazge-ilire.

Pra, del se prejardhja dhe kuptimi në gjuhën shqipe i fjalës Bajram BAJRAM-I; Bajramin (kall.)është nga: BAJ (bëj) – R (i/e re) – AMIN (lutje). Në kuptimin më të gjerë nënkupton: Bërje e lutjes (Amin),

Për pranimin e agjërimit dhe ibadeteve të tjera nga Zoti, për Një fillim të ri, pas agjërimit (pastrimit) në muajin e Ramazanit.

Edhe fjala tjetër: Fitër, që i bashkëngjitet fjalës Bajram, gjetka shpjegim të plotë në gjuhën shqipe: Fi (t)-ri; fillim i ri; nga fjala fit (fyt), që nënkupton fillimin e ngrënies dhe pijes pas agjërimit.

Po edhe kuptimi i fjalës LEBERAN në gjuhën shqipe qenka më i plotë dhe i qartë se në të gjitha shpjegimet përmes gjuhëve të tjera, që janë bërë nga studiuesit e derisotëm.

Domethënë: LE (lind) BE (besim) ANË (vise, vende), festat që lidhen me fillimin e besimeve monoteiste në ato vende. Me këtë rast, shton ky autor, duhet të përmendet fakti se, përhapësit e besimeve fetare në një Zot (monoteiste), fillimisht të fesë së Krishterë dhe më vonë të fesë Islame në botën Lindore, kanë qenë padyshim ilirët-shqiptarët, gjatë sundimit të Perandorisë Romake Lindore dhe të Perandorisë Osmane etj., etj.

Kur lexon kësi etiomash dhe nga akademikë, të vjen të ulërish. Qesharake por dhe mjerane se ku po e katandisim veten. Njeriu, thoshte i ndjeri prof. Demiraj, duhet të flasë e shkruajë me mend në kokë dhe këmbë në tokë. Nëse vazhdojmë të flasim kështu, do të bëhemi qesharakë në sy të botës. Shkurt, lexuesit mund të gjejnë shpjegime qoftë edhe vetëm te “Fjalori Enciklopedik Islam”, i autorit Nexhat Ibrahimi, botuar pikërisht në Shkup më 2017

Nga ana tjetër, në Top Channel ishin ftuar profesori i nderuar Xhevat Lloshi, Eleni Kocaqi dhe një tjetër jo në studio.

Si fillim fjala iu dha Elenës, e cila me pasion flet për gjuhën shqipe si çelës i gjuhëve botërore dhe se çdo fjalë e rruzullit ka kuptimin shqip. Flet me pasion për fjalët rrokore etj.

Kur merr fjalën prof. Lloshi, dhe flet me gjuhën e shkencës, me maturi dhe kulturë, e Kocaqi mundohet t’i ndërpresë fjalën. Profesor Lloshi sjell fakte të mbështetura në shkollat më në zë dhe nga literatura botërore e viteve të fundit. Dhe nga ana tjetër, me një qetësi shkencëtari fillon të sjellë argumente shkencore dhe arritjet e deritanishme të shkencës gjuhësore shqiptare. Por, nga ana e ekranit zërit kundra do t’i bashkëngjitet edhe Llalla, i cili dashur padashur rrëmbehet nga emocionet dhe fyen profesorin.

Kocaqi njëkohësisht hedh baltë mbi nismëtarët e etimologjisë shkencore shqiptare dhe në adresë të AShSh-së. Profesor Lloshi sërish me kulturë mundohet t’i shpjegojë rolin e AShSh-së, por sërish ajo këmbëngul që shqipja qenka gjuha më e vjetër në botë.

Por, siç e thekson edhe prof. Lloshi, nuk mund të flasim për gjuhë të vjetra mbi dy mijë vjeçare, pasi këtu lind gjuhë tjetër e re.

Nga debati i krijuar në studio, më pëlqeu shprehja e prof. Lloshit, se duhen ndërgjegjësuar shqiptarët për prejardhjen e shqipes dhe etimologjitë shkencore. Përse them se më pëlqeu? Them më pëlqeu, pasi kohët e fundit mediat jaanë mbushur me persona, që i kanë hyrë etimologjisë popullore dhe po keqinformojnë brezat.

Të gjithë duam që gjuha jonë të jetë e stërlashtë, pasi e meritojmë, se jemi një popull i lashtë dhe në tokat tona, porse kur vjen puna tek historia e gjuhës dhe etimologjia duhen fakte, ashtu sikur kërkon dhe historia.

Këto gjëra me përpikëri dhe maturi u përpoq profesori i nderuar t’i shpjegonte, porse është e vështirë që shkenca të pranohet nga të gjithë. Gjuhësia shqiptare ka një shkollë të sajën që është arritur me mund e përpjekje, ka fillesat e etimologjisë që ka ecur paralel me ato botërore dhe është mëkat të hidhet baltë mbi punën e vyer të atyre që shkrinë jetën për të.

Etimologjia popullore u ngjet përrallave që pëlqehen nga të gjithë, dëgjohen me gojë hapur, porse etimologjia shkencore përballet me fakte dhe krahason. Nuk ka ngelur fjalë e familjes indoevropiane pa e quajtur se zanafillën e ka nga shqipja. (Megjithëse tashmë kanë dalë edhe nga ata që po nxjerrin edhe nga familja semitike.)

Kur përballesh me gjykatat, duhen letra, ashtu dhe gjuha do shkrimet e saja për të bërë krahasimet me gjuhë të tjera të po asaj familjeje. Si përfundim, dua të theksoj se emisione të tilla duhen, por të flasin specialistët ashtu siç foli prof. Lloshi. Debati? Po edhe ai duhet pasi nga debati lindin rezultate, por në debate do folur me maturi, duhen sjellur fakte. Po sjell vetëm pak gjëra nga ai diskutim jo korrekt.

Zonja Kocaqi u shpreh, se mbështetet te studiues të shek. XIX dhe përmendi Pokornin. E vërteta është se Julius Pokorny lindi më 1887 dhe vdiq më 1970, punimin e vet të parë e ka botuar më 1909; ku është shekulli XIX?

Një libër i zonjës Kocaqi mban titullin “Perikopi Evangjelik në gjuhën arbëreshe. (Përmbledhje ungjillore)”. Është një titull tërësisht i gabuar. Dokumenti përkatës, një fletë, është quajtur “Perikopeja e Ungjillit” ose Ungjilli i Pashkëve dhe nuk është asnjë lloj përmbledhjeje ungjillore. Kur prof. Lloshi e pyeti zonjën, se cila është përmbajtja e këtij dokumenti, ajo nuk ishte në gjendje ta thoshte, ndonëse paska botuar një libër të tërë për dy faqe. Për më tepër, ajo me një propagandë vulgare ka thënë edhe këto: “Ashtu si pjesa katolike shqiptare që shkruante me shkronja latine pjesë nga Bibla, ashtu edhe ortodoksët kanë shqipen me shkronja greke dhe kjo pjesë ka qenë e panjohur, madje e injoruar deri më sot.” Për lexuesit, po shënoj vetëm kaq, se për këtë dokument ka shkruar Dh. Shuteriqi që më 1948 dhe më 1972 me hollësi, ndërsa “Historia e letërsisë shqipe” e ka trajtuar në botimin e parë më 1959. Profesor Lloshi ka shkruar disa herë për të dhe më 2008 ka botuar një punim prej 125 faqesh për “Përdorimin e shkronjave të greqishtes për alfabetin e shqipes.”

E pyetur për pohimin e saj, se “Shqipja është e vjetër sa njerëzimi”, zonja Kocaqi nuk ishte në gjendje të përgjigjes as sa i vjetër është njderëzimi, as se kur e ka zanafillën shqipja. Është e pabesueshme që në shek. XXI ka njerëz të tillë, që thonë se njerëzimi është i vjetër vetëm 6-7 mijë vjet dhe të tilla gjëra ua mësojnë studentëve në universitet.

Po marr vetëm një fjalë nga etimologjitë që u përmendën në atë diskutim. Sipas E, Kocaqit anglishtja dhe gjermanishtja e kanë marrë foljen e tyre nga shqipja shoh – pashë. Etimologët britanikë e shpjegojnë që angl. see vjen nga anglishtja e vjetër sēon me prejardhje gjermanike. Kështu afëria shpjegohet vetëm me prejardhjen e përbashkët indoeuropiane, siç e pranon gjithë gjuhësia botërore.

Nga ana tjetër, fjalën shqipe G. Meyer-i e quan pikërisht me prejardhje indoeuropiane dhe këtu bën pjesë edhe gotishtja saihvan, pranë rrënjës sek-, në latinishten sequor etj. Edhe V. Oreli në Fjalorin etimologjik të shqipes të vitit 1998 e pranon këtë rrugë shpjegimi, duke rindërtuar për protoshqipen një *sākasa. Fjalori i G. Meyer-it tashti është përkthyer shqip, ndërsa libri i V. Orelit është anglisht.

Sa për ata njerëz të paedukatë, që përpiqen të fyejnë të tjerët, duke u nisur nga emrat dhe mbiemrat e tyre, bëjnë mirë të jenë të kujdesshëm, sepse mund të mësojnë që mbiemri Kocaqi është tipik sipas greqishtes, domethënë sipas Janaqi, Dhimitraqi, Harillaqi, Jorgaqi, Mihallaqi, Petraqi etj., ndërsa D, Agolli për t’u tallur e ka quajtur një prej personazheve të veta Karapataqi. /Gazeta “Dita”/