LAJMI I FUNDIT:

Vokrri: Futbolli, kurban i politikës

Vokrri: Futbolli, kurban i politikës

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në një intervistë dhënë faqes turke Aksiyon, ka thënë se futbolli kosovar po shndërrohet në kurban të politikës.

Mediat e huaja po vazhdojnë t’i kushtojnë rëndësi futbollit te Kosovës, sidomos pas vendimit të FIFA-s. Kjo e fundit lejoi përfaqësuesen e shpresave, femrave dhe klubet të luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare, por jashtë Kosovës dhe pa simbole shtetërore – ose nëse dëshiron të luajë brenda vendit, të kërkojë leje nga Serbia.

Në pyetjen se a shpreson ai në anëtarësimin në FIFA dhe UEFA, Vokrri u përgjigj: “Fatkeqësisht përpara nesh ka pengesa politike. Ne jemi një vend i pavarur, që është njohur nga 98 shtete të botës”.

“Futbolli faktikisht po shndërrohet në kurban të politikës. Ne po vazhdojmë angazhimin tonë pa u zmbrapsur. Por, nëse më pyesni se kur do të anëtarësohemi, t’ju them të vërtetën këtë as unë nuk e di”.


I pyetur se cilat janë planet tuaja, nëse nuk merrni përgjigje pozitive nga FIFA dhe UEFA, Vokrri tha se do ta dërgojnë çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.

“Nëse UEFA dhe FIFA vazhdojnë me këtë qëndrim, sigurisht që kemi plane të tjera. Jemi duke bërë përgatitje për ta kontaktuar Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Në këtë mënyrë, duke u ankuar në CAS (në Lozanë), do të dalim fitimtarë. Pasi një vend i pavarur, pa të drejtë, për arsye politike përjashtohet nga futbolli”, ka thënë kreu i FFK-së. /Telegrafi/