Është natë! Asgjë nuk shihet. Jemi nisë. Po ecim! Edhe ajo hëna që lundron nëpër qiell natë e ditë, emrin e të cilës e kam unë, sonte është fshehur diku e pikëlluar. Ndoshta është më mirë që sonte nuk ka hënë. Sikur edhe hëna në qiell ndien turp pse po na ndjekin. Ndoshta hëna nuk ka mundësi të na ndihmojë. Ndoshta, edhe hëna na e ka kthye shpinën pikërisht pse po ikim?!
Atje ku do të shkojmë, me siguri do të na identifikojnë vetëm nga gjuha që flasim, pasi askush nga ne nuk ka emër të shkruar në letër. Tjetër adresë, pos asaj që na thonë këta të Rrafshit, nuk kemi. Vendin tim ku kam lind e quajnë Pas Bjeshke?! Na, vendlindjen tonë nuk e quajmë ashtu, por të tjerët na thonë; këta të Pas Bjeshkës.
Ne po ikim me këmbë, por nga këtu, kurrë nuk largohemi me mend.
Kjo tokë, këto burime, këto livadhe, male e fusha pafund, do mbesin pamje në kujtimin tonë deri në vdekje.
S’më hiqet meraku pse deri sot kur po ikim, nuk mora guxim që një herë të pyes nënën, prej nga erdhi nuse këtu?
Me heshtje guri po largohemi. Më e rëndë po me duket kjo heshtje, se gjithë gjëma që është strukur në zemrat tona. Asnjë nga ne nuk i thotë tjetrit edhe një fjalë. Në këtë kolonë, vetëm tre prej nesh janë fëmijë, që akoma nuk kanë dal nga djepi. Dëgjojmë e kuptojmë vetëm urdhra. Ne nuk kemi mësuar fjalë tjera. Vet shikim i babit apo nënës është urdhër. Mjafton të na shikojë nëna apo babai dhe kuptojmë çka duhet bërë.
Nga vendlindja kam marr pak fjalë shqip që m’i mësoi nëna dhe lojën guracak që e mësova nga motra e madhe.
Dardhën e egër para derës së shtëpisë, ku kam shënuar me brisk çdo vit të rritës sime, nuk mund ta marr.
Bile, lojën guracak më shumë e kam luajtur vetëm. Motra e madhe, nga mosha trembëdhjetëvjeçare ndihmonte nënën në çdo punë. Djemtë nuk e luajnë këtë lojë. Thonë është lojë çikash.
I kam marr vetëm pesë guracakë të vegjël, aq të vegjël sa mund t’i fus të të pestit në njërin grusht të dorës. Për gurët që kam marr, nuk e kam pyetur askënd.
Nuk e di a luan dikush guracak atje ku do të vemi?
Kur isha e vogël, motra e madhe luante guracak me vëllain e madh. Shikoja çdo lëvizje të duarve dhe të gishtave të saj. Numëroja çdo guri që rrokte me gishta., pa harruar edhe të pestin që hidhte përpjetë në ajër, dhe të cilin pastaj e priste me po atë dorë duke vërvitur paraprakisht një guracak në portën e formuar me dorën tjetër. Mësova si hedhen gurët nga njëra dorë, tërthorë pas dorës tjetër. Në fillim motra merrte një guracak nga pesë, sa i kishte shpërndarë paraprakisht aty para portës. Katër guracakë të shpërndarë para portës së vogël, prisnin rendin për t’i shpërbiruar nën pëllëmbën në formë porte. Shikoja si motra rrokte gurët me dorë, në fillim një nga një, pastaj nga dy, nga tre me një, dhe së fundi katër përnjëherë për t’i hedhur nën pëllëmbën e dorës tjetër. Më bëhej sikur motra kënaqej pafund kur përfundonte lojën pa huq asnjëherë. Sa shumë ua kam lakmi gurëve që rrinë të ftoftë ngado që i përplasë.
Kjo është e vetmja lojë që mësova për dymbëdhjetë vjet në vendlindjen time që akoma nuk ka emër. E dua shumë këtë lojë, por as nuk di ndonjë tjetër. Motra e madhe, pasi mbushi trembëdhjetë vjet, nuk luante më. Ajo ndihmonte nënën e babin në çdo punë. Në kohën tjetër qëndiste e thurte oja. Dukej sikur ndjente dhembje për mua kur më shihte duke lozur vetëm. Ndoshta i ka mbetur merak për të lozur akoma. Fillova pastaj të luaj guracak me mend. Shumë herë, para gjumit luaja guracak e shtrirë në shtratin tim, që nuk ka më shumë se dy dërrasa të vendosura mbi dy cunga ahu. Sanën e vendosur mbi to, nëna e ndërronte dy herë në vit. Kënaqesha me aromën e barit të ri, derisa terej nën mua.
Ndoshta edhe atje ku do të shkojmë, ndokush di të luaj guracak. Ndoshta edhe ai vendi ku do të ndalemi quhet askund?! Sa shumë dëshiroj të gjej një shoqe që flet me mua. Dëshiroj të gjej një shoqe që nuk më urren. Shumë më tepër më shkon mendja, se nuk do të arrijmë askund.
Ndoshta do ishte më mirë të mos ishim nisur fare, pa kuptuar mirë kush jemi e prej nga jemi. Për dymbëdhjetë vjet që bëra këtu Pas Bjeshke, deri në këtë natë që po ecim në kolonë pa ditur për ku, nuk mësova as të flas si duhet.
Nuk di më shumë se njëqind fjalë.
Sa vjet i kam, e di vetëm nëna.
Cila ditë është, e di vetëm babai.
Pa thënë babai, nuk bën askush asnjë punë. Nënën e shikoj kur thurë çorape, dhe e vjedhë me sy si thurë përmendesh, pa fol kurrë. Kur i del ndonjë punë, rrëmbimthi, pa diktuar, largon perin nga qafa dhe çorapen e thurur përgjysmë e hedhë në tokë bashkë me lëmshin e tjerrit. Nëna zakonisht thurë pas darke, pasi ditën nuk ka kohë. Njëherë, vetvetiu e kam marr në dorë gjymë-çorapen dhe fijen e tjerrit që thurte nëna, pasi e kishte lënë në shtrat. E kam vu rreth qafës perin. I kam rrok kërrabëzat për të thurë si nëna. Kam thurë një varg vjegëzash derisa është kthyer nëna dhe më ka gjetur me fijen e tjerrit në qafë. E ka marr perin nga qafa ime dhe e ka vendosë në qafen e saj, pa më thënë një fjalë. As nuk i ka bërë përshtypje pse unë kisha provuar të thurë çorape. E kam përcjellë kur nëna ka ç ‘prishë atë rend që kisha thurë. Kam menduar gjatë pse e ç ‘prishi atë rend, që e kisha thurë për të parën herë. Vendosa ta pyes nënën pse i ç ‘prishi ato vjegëza, edhe nëse bëhet kiameti. I thash pse e ç ‘prishe rendin që e kam thurë unë? Nëna u kthye me fytyrë nga unë dhe qeshi. Më tha që kisha harrua disa vjegëza dhe duhej t’i rrokte e t’i thurte edhe ato si duhet. Çorapja me vjegëza të harruara hapur ç ‘thuret lehtë, dhe ç ‘prishet. Më dukët se edhe na akoma jemi sikur vjegëzat e harruara.
Nëna zgjohej e para. Babin nuk e kam parë kurrë fjet. Atë, kurrë nuk e zinte dielli në shtrat. Para babait kam fjetur, dhe jam zgjuar çdo herë pas tij. Mua më është bërë pikë në zemër pse askush në familjen tonë nuk tregon asgjë asnjëherë. Edhe sot kur po ikim, nuk e kuptova pse po ikim, as ku po shkojmë.
Asnjëri nuk niset pa i thënë tjetri, ashtu siç jemi me moshë.
A është keq a mirë kjo punë, nuk e di?!
Ndoshta është ma mirë kështu.
Kur nuk flet asnjeri, duket sikur urdhrat vijnë nga qielli, nga ndonjë fuqi hyjnore, që i shtynë të thonë ashtu. Ndoshta ajo fjalë që shkrepë njëri, del nga zemra që e do tjetrën zemër. Ku me ditë?!
Ky është marshim plot mister. Ecim në heshtje nëpër terr. Lëshojmë këmbët lehtë në tokë. Asgjë nuk dëgjohet përveç shputave tona kur prekim tokën. Edhe delet e dhitë ecin në heshtje. As qengjat e kecat nuk blegërojnë. Duket sikur edhe ata ndjejnë njëfarë frike. Sikur edhe ata e kanë kuptuar që po na ndjekin. Dy qenet që kemi me veti, nuk lehin fare. Edhe ata kokulur shkojnë pas babit, i cili herë shihet në krye të kolonës, herë në fund. Ma pret mendja se ai jep urdhra vetëm me pamje.
Besoj fort, që babi na prinë mirë.
Ai e di rrugën e sigurt.
Babin e kam dëgjuar duke i thënë nënës; nata është e pabesë!
Eh, kjo besa jonë, i kam thënë vetes, pa e kuptuar fjalën! Akoma nuk e di kuptimin e kësaj fjale. Ndonjëherë kam dëgjuar dikën të thotë; qe besa e zotit! Ndoshta kjo fjalë fsheh diçka?! Ndoshta, kur të rritëm do ta kuptoj vet më mirë.
Më shkon ndërmend se ndoshta një ditë duhet të bëhem nënë.
Ku me ditë a do kem fatin të bëhem nënë?!
Të mendosh si njeri, qenka zor. O zot, pse na duhet të ikim nga vendlindja, kur askujt një të ligë nuk i kemi bërë? A mendon dikush që jemi gjallë dhe ekzistojmë këtu, ku vetëm dielli e hëna nuk na harrojnë. Vetëm diellin e hënën e kemi dëshmitar se jemi gjallë. Të na, vetëm dita e nata vijnë përherë si gjithkund në botë.
Për ato pak rroba që kemi, është kujdesur nëna. Ato i ka palosur diku dhe i kanë ngarkuar mbi kalë. Nuk mora asgjë nga toka ku kam lindur. Mendova të marr shumë gjera. Po, na nuk kemi shumë gjera. Na kemi më së shumti nga dy palë rroba secili. Bile shumica nuk kemi më shumë se një palë rroba të trupit.
Atë dardhën e egër afër dyerve të oborrit nuk e mora dot me veti.
Në trupin e saj kam shënuar rritën time për çdo vit.
Për habi, viza që bëja me brisk mbi kokën time në trupin e dardhës, mbetej aty. Sa herë vinte Shëngjergji, mbështesja trupin afër trungut dhe me brisk bëja një vizë në dru mbi kokën time. Asnjë vit nuk shënonte ndryshim të vendit të vizës. Nuk më shkonte mendja se edhe dardha rritej bash si unë. Këtë e kam mësuar shumë më vonë, kur jam bërë gjyshe. Shumë më vonë kam qeshur me lot me atë matjen time të rritës së trupit tim. Mendoja se nuk po rritem fare, pasi për çdo vit, koka ime arrinte baras me vizën në të njëjtin vend të trupit të dardhës. Një ditë më pat shkuar mendja që më është ndalur rrita, por nuk i thosha askujt. Vëllai i madh i pat bërë vizat në murin e shtëpisë dhe ato i shihja përditë. Kishin dallim. Secila vizë, njëra mbi tjetrën, dëshmonte rritën. Po unë që matesha në trungun e dardhës, më dukej se nuk po rritesha fare. As që më shkonte mendja se po rritesha bashkë me dardhën.
Akoma nuk i njoh as muajt e vitit. Kam dëgjuar babin një herë kur ka thënë, se vëllai i madh ka lind në muajin Ramazan dhe ashtu e ka emrin. Edhe djali i madh i axhës kishte lind ditën e Bajramit dhe ka emrin Bajram.
Lugetërve, të cilëve nuk ua përmendin as emrin, zakonisht iu thonë; ua preftë ujku rrugën. Habitem sesi, ata na kanë gjetur edhe këtu, pas shtatë palë bjeshkësh. Thonë se vet ata, kësaj treve ia kanë lënë emrin Bjeshkët e Nëmura.
Vetëm babai e nëna e dinë cila ditë e javës është.
Nëna e di kur është e premte, sepse ditë më herët ia bën gati teshat babit që i vesh dhe shkon me fal xhumanë. Ai shkon me kalë diku larg, pas shtatë palë bjeshkëve dhe arrin të kthehet nga rruga natën vonë. Edhe kur kthehet, nuk na tregon asgjë. Nuk tregon çka ka parë as çka ka thënë dikush. Nuk na tregon asgjë neve fëmijëve.
Kënga na ka humbur diku dhe nuk e gjejmë dot as fjalën e parë, që e marrim me vete pa u kujtuar fare. Nëse e harrojmë mallin, ai nuk harron. Ai vjen me ne kudo. E di mirë se ai mall një ditë do të shfaqet dhe do i djeg zemrat tona, por atëherë do jetë vonë për çfarëdo pendese. Duket sikur malli po na vështron në heshtje në çdo hap. Flasim aq rrallë sa dukemi sikur të gjithë jemi memec.
Krejt fjalori jonë nuk i ka më shumë se njëqind fjalë.
Vetëm nja tridhjetë fjalë i përdorim zakonisht.
Çuditem pse i kemi edhe emrat e njëjtë.
Gjyshja e ka emrin Hënë. Unë e kam emrin e saj. Babai e ka emrin e gjyshit tim Bardh. Edhe vëllai e ka emrin e babit. Shumë kam menduar pse e ka atë emër. Deri vonë kam besuar se gjyshja nuk flet fare dhe ka lindur memece. Më ka shkuar mendja, ndoshta pasi e ka emrin, nuk duhet të flasë. Edhe fytyra dhe flokët e gjyshes sikur i përshtaten emrit të saj.
Unë nuk dua të hesht si gjyshja.
Unë dua të flas.
Dua të mësoj mijëra fjalë.
Dua të mësoj çdo gjuhë që falsin njerëzit e botës.
Nuk e di ku është ajo botë, për të cilën nëna çdo herë thotë, mos fol se të dëgjon bota, të sheh bota.
Dua t’ua di emrat të gjitha gjallesave, çdo bime e çdo kafshe. Po kush do të m’i mësoi mua këto?
Dua të mos vdes pa e parë si duket shkolla. Ta shoh shkollën nga brenda dhe të ulem me nxënësit në bankë. Të luaj si nxënësit edhe unë.
Pikëllimi e trishtimi janë bërë një me ne. Heshtja na e ka marr gjumin dhe nuk po na lë as të flemë. Trishtimi është bërë tamam si hije e jonë që na ndjek kudo.
Pyes veten, a do vjen heshtja me ne edhe nëse ikim prej këtu?!
Askënd nuk e kam dëgjuar të ketë folur pse ikim!
Këtu, askush nuk i ka përmend librat?!
Nuk kam dëgjuar çka është ajo sintaksa e gjuhës shqipe! Më merr mendja se ajo sillet brenda kokave tona dhe nuk na lë të qetë asnjëherë. Ditët përsëritën të njëjta në po atë rreth pa dal kurrë prej tij.
Sa vjet i kam, s’ma tha një herë nëna, megjithëse përditë ndajmë e hamë të njëjtën bukë që gatuan nga mielli, të cilin babai e sjellë me kalë nga qyteti.
Dy shpellat që janë andej në anën e pasme të shtëpisë, sipër torishtës, i kam parë vet. Për to nuk më ka fol askush më parë. Jam përvjedhur disa herë dhe kam shkuar për të shikuar nga afër grykat e tyre. Ato dy gryka shpellash duken sikur dy sy të mëdhenj, të thellë pa fund. Duken sikur duan të më gëlltisin me shikimin e tyre të errët e të ftoftë. Atë ditë që i pashë nga afër, nuk u frikësova fare. Nuk jam frikësuar as kur kam futur kokën brenda grykës së shpellës. Kam hedhë gurë në të dyja. Kam dëgjuar gjatë rrokullimën e secilit guri që kam hedhur, derisa është tretur diku në thellësi dhe nuk dëgjohej më. Më ka shkuar mendja të provojë të lëshohem brenda njërës grykë që ishte thikë teposhtë. Ka parë që më thellë kishte një kthesë të fortë që dukej sikur është fundi i shpellës. Ishte mashtrim. Pas asaj kthesës së parë vazhdonte shpella e errët, fundi i të cilës, një zot e di ku përfundonte.
Sa shumë kisha dashur të hy në ato shpella për të parë, në mos prej aty kanë dal ata përbindëshat, që figurë njeriu nuk kanë, e që shfarosen familjen Meraj me tetëmbëdhjetë anëtarë dhe që atë ditë kishin çnjerëzuar edhe gjyshen kur akoma ishte vajzë tetëmbëdhjetëvjeçare. Po ta dinte mami që kam shkuar të shohë ato dy gryka shpellash, do të më qortonte tërë jetën.
Ëndërr kam parë që do të nisemi. Thonë do ikim natën që nuk do të ketë hënë. Për datë as që bëhet fjalë. Nuk ka cak ku do shkojmë, as kur do të mbërrijmë.
Kapërcyem shtatë palë bjeshkë por serish shihet një bjeshkë tjetër. Kurrë nuk e kam parë atë vendin pas shtatë palë bjeshkësh.
Kolona e nemitur ecë tutje dhe nuk i shihet fundi. Ka pak njerëz e shumë dele e dhi në kolonë. Të fortë janë të gjithë. Asnjë prej tyre nuk ndalet pa u ndal ogiçi, të cilit babai ia hoqi kambanën para se të nisemi në mesnatë.
Sa shumë pyetje kam për të bërë, por nuk kam kënd ta pyes. Për dymbëdhjetë vjet rrite nuk kam pyetur asgjë. As nuk kam dëgjuar të ketë pyetur dikush për diçka në familjen tonë. Shumë dëshira kisha dhe ato më shtoheshin përditë. Mbi të gjitha doja të kuptoja pse nuk flet gjyshja. Tash bashkë me gjyshen po udhëtojmë natë e ditë drejt askund-it. Udhëtojmë, jo rrugëve nëpër të cilat ecë bota, por shtigjeve ku nuk ka shkel këmbë njeriu.
Ecim andej nga lugetërit nuk do të mund të na e presin rrugën.
Vetëm babai e di sa njerëz e sa krerë bagëti ka kolona.
Nuk besoj që nëna nuk e di numrin e deleve dhe qengjave.
Kolona ecë ngadalë, dhe secili prej nesh mendon diçka. E di që secili prej nesh digjet nga brenda zjarr. Askush nuk pyet sa larg është ai vendi për ku jemi nisur. Mua më duket se ai vend quhet askund. Unë e kam ndërmend vetëm Pas Bjeshkën. Ata të Rrafshit ia kanë dhënë këtë emër anës tonë ku jemi le e rritë. Edhe ai vendi që i thonë Rrafsh, për mua është i huaj. Mua me duket se çdo hap që bëjmë duke ikur është vetëm humbje kohe. Them me veti sikur të kisha vdekur aty ku kam lindur, do isha më e lumtur.
Po, nuk dua të vdes pa mësuar edhe shumë fjalë e fjali që ka gjuha jonë.
Unë e di se gjuha jonë ka shumë fjalë. E di se nëna nuk ka shkuar asnjë ditë në shkollë, por jam e bindur se ajo di shumë fjalë shqipe. Ajo m’i ka mësuar krejt këto fjalët shqip që i di deri tash. E kam dëgjuar nënën duke folur edhe me sorrat, që fluturojnë e lëshohen ditë e natë në oborr e mbi çati.
Athua fëmijët e fëmijëve tanë do ngulin këmbë dhe do vjen një ditë që ata nuk do të ikin?!
Asnjëri nga ne akoma nuk e di ditëlindjen e vet!
Për dymbëdhjetë vjet, kur më ka plasur zemra për diçka që doja ta di e kam pyetur nënën. Nuk durova më! Të parën herë e kamë pyetur për datëlindje. Më tha, se unë kisha lindur dy javë para Shëmitrit. O zot i madh, thash vet me veti, kush është ky Shëmitri? Pastaj, nënën e pyeta për ditëlindjen e saj. Ajo më tha se i kishte thënë nëna e saj, që ka lindur në të korra të elbit. Hajt merre vesh, i thash vetes. Unë deri në moshën që po iki nga vendlindja, kur i kam vetëm dymbëdhjetë vjet, nuk i kuptoja këto fjalë. Ndoshta do ta shoh atë elbin kur korret, pas shtat palë bjeshkësh? Ndoshta do ta mbërrijmë në askund bash në të korra të elbit?
Kolona memece ecë pa zë, pa gjallëri, pa zemër, pa vullnet, pa dëshirë,… Duket sikur i mungon shpirti. E lodhur e rraskapitur, ecë kolona me njerëz e bagëti. Kolona ndalon kur do babi. Ai nuk flet, as nuk thotë ndaluni, por ashtu kuptohet nga ne. Jemi mësuar ta kuptojmë babin pa fol. Nëse ndalon kolona, bagëtia shkëputë ndonjë fije bari, nëse gjendët me fat aty afër kah ecë kolona.
Kemi marr ikën pa mësuar akoma emrin dhe kuptimin e vendit ku kemi lindur, as ku vemi. Ecim, marrim frymë, hamë bukë, por nuk jemi të shënuar askund në letër, as për statistikë. Asnjeri nga ne nuk ka kartë identifikimi. Nga ta marrim kartën, kur nuk kemi as emër fshati. Ata të Rrafshit na quajnë njerëz Pas Bjeshke?! A do të na besoj dikush se jemi gjallë?
O gjuha ime, me ty flasim, kuptojmë, jetojmë e identifikohemi, por habitem pse nuk merremi vesh me asnjë fjalë?
Të tjerat janë krejt kopalla. (sic.)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKëshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A