LAJMI I FUNDIT:

Vizat nuk hiqen për të ikur nga Kosova

Vizat nuk hiqen për të ikur nga Kosova

Korrupsioni është shkaku i të gjitha pasojave të keqqeverisjes së pasluftës. Kjo klasë politike ka rrezik të na shndërrojë në shoqëri të korruptuar, të varfër, të paarsimuar, të sëmurë dhe pa të ardhme.

I dëgjojmë përditë dënglat e zyrtarëve të lartë se si shteti i Kosovës i ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret e vendosura nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, dhe se zvarritja e përmbylljes së këtij procesi po ndodhë vetëm për arsye procedurale. Edhe për këtë vonesë, sipas zyrtarëve tanë, fajin e kanë disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, sidomos ato që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës! Të vetëdijshëm se po gënjejnë, kujdesen të mos marrin ndonjë shuplakë nga Brukseli, aty ku shumë prej tyre nënshtrohen edhe atëherë kur nuk duhet nënshtruar.


Dikujt edhe mund t’i duket gjuhë e ultë përdorimi i fjalës gënjeshtër, por janë disa zyrtarë që nuk kanë as një fije morali, që sapo e hapin gojën, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se gënjejnë.

Keqqeverisja, përçarja e opozitës, mos organizimi i shoqërisë civile dhe anshmëria e shumë mediave, tashmë prej vitesh korrupsionin e kanë emërues të përbashkët. Por, për t’i ikur kësaj teme, vazhdimisht devijohet debati. Shfrytëzohet përçarja e opozitës dhe shoqëria e “lodhtë” civile, përdoren vegla të ndryshme për nxitjen e debateve, siç është ai për fenë e historinë, nga të cilat shoqëria nuk ka ndonjë dobi. Përkundrazi, debatet e tilla mund t’i kthehen bumerang jo vetëm qeverisë.

Kohë pas kohe organizatat ndërkombëtare me renome na kujtojnë në raportet e tyre vendin që zë Kosova për nivelin e korrupsionit në botë, nivelin e krimit të organizuar dhe të lirisë së fjalës. Por, pas dy-tre ditësh qarkullimi nëpër media, opinioneve “pro et contra”, askush më nuk merret me të dhënat e Transparency International, të Human Right Watch, Freedom House e të Amnesty International. Të papërgjegjshmit nuk marrin kurrfarë përgjegjësie.

Korrupsion e krim i organizuar në arsim, në shëndetësi, polici e gjykata, dhe pothuajse në secilin sektor në këtë vend. Faktet fshehen e fshihen. Kur ndonjë skandal del në sipërfaqe, askush nuk merr përgjegjësi, dhe vazhdojnë të shesin dëngla për të na treguar se pushtetet janë të ndara, se ekzekutivi nuk ka ndikim mbi gjyqësorin, se…

Gjithë ato fjalë boshe të shqiptuara për “zero tolerancë”. Gjithë ato mekanizma për të luftuar korrupsionin, qindra të punësuar për këtë qëllim, miliona të shpenzuara, dhe prapë korrupsion. Madje, korrupsion edhe me buxhetin e ndarë për ta luftuar korrupsionin! Pse? Sepse, korrupsioni nuk luftohet me fjalë e me spektakle policore.

Korrupsioni luftohet nga lart. Po marr shembull aktualitetin në Universitetin e Prishtinës. Aty korrupsioni nuk luftohet me arrestimin e disa asistentëve të Mjekësisë. E para që duhet bërë është zëvendësimi i profesorëve “të pazëvendësueshëm”, të cilët prej vitesh ia kanë zënë frymën Universitetit publik përmes klaneve të dirigjuara nga politika. Pastaj, duhet arrestuar profesorët e inkriminuar. Sepse, në secilin fakultet të këtij universiteti, jo vetëm atij të Mjekësisë, ka korrupsion prej 20 vjetësh, apo edhe më herët, prej themelimit të tij.

Më kujtohet mirë para lufte, kur me marka gjermane mund të regjistroheshe në cilindo fakultet. Edhe sot, të paktën e dimë se prej rektorit të parë të pasluftës e deri tek ky që aktualisht e mbanë këtë pozitë, të gjithë janë zgjedhur nga politika. Edhe dekanët. Edhe një pjesë e profesorëve. Të gjithë këta, të korruptuar me pozita për të mbajtur gjallë korrupsionin.

Në këtë dergje të universitetit është pothuajse çdo sektor tjetër në vendin tonë. Nuk mund të përmirësohet shëndetësia publike derisa ajo vazhdon të sabotohet nga udhëheqja e saj e korruptuar nga sektori i shëndetësisë private. Nuk mund të ndalet qarkullimi i barnave ilegale me mbylljen e një barnatoreje, derisa të mos kapen ata pak veta që i kontrollojnë ato dhe që janë në politikë ose të lidhur ngushtë me politikën. Nuk mund t’i besohet efikasitetit të policisë në luftën kundër krimit të organizuar me aksionet nëpër lokalet e natës, derisa nuk bindemi se kjo luftë po zhvillohet në kufijtë e Kosovës, aty nga hyjnë substancat narkotike.

Prandaj, ka korrupsion, pak vepra e shumë fjalë. Prandaj, kur nuk pranohen dështimet dhe mungon akti i dorëheqjes së kabinetit qeveritar apo ndonjë anëtari të tij, protestat do të duhej të ishin shprehja më legjitime e pakënaqësisë së qytetarëve. Por, kur mungon reagimit kolektiv, atëherë klasa politike vazhdon të zhysë vetveten në korrupsion, ndërsa shoqëria vazhdon zhytjen në mjerimin e saj. Dhe, derisa nuk bëjmë asgjë, kot lutemi! Kështu si jemi, nuk na ndihmon as Zoti.

Kosova nuk mund të shënojë progres pa patur vullnet politik për të luftuar korrupsionin. Është e zënë pick prej 14 vjetësh. Kështu nuk mund të shënojë kurrfarë progresi as në bisedimet me Serbinë, as në procesin e njohjeve, as në thithjen e investimeve, në zhvillimin ekonomik e përmirësimit të gjendjes sociale.

Qytetarët nuk e kanë ëndërruar Kosovën si Zvicrën 14 vjet pas çlirimit, apo pesë vjet pas pavarësisë. Kjo gjoja pritje e shoqërisë sonë është zier në kuzhinat e klasës politike me qëllim të amortizimit të dëshpërimit të qytetarëve, të cilëve fatkeqësisht Kosova përditë e më shumë u ngjanë me disa vende aziatike e afrikane.

Sundimi i ligjit, sidomos lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimi me qenie njerëzore, asnjëherë nuk është bërë sipas rregullave dhe standardeve të kërkuara. Dhe, për këtë nuk e kanë fajin ligjet, por korrupsioni i zyrtarëve që e pengojnë zbatimin e tyre, të atyre zyrtarëve që me pafytyrësinë më të madhe na shesin dëngla se po derdhin mundin për të ardhme të ndritur të fëmijëve tanë, për ndryshimin, për të ardhmen evropiane, të nesërmen dhe për ditë më të mira.

Në realitet, pak kush i kujton dëshmorët, ëndrrat e atyre ushtarëve që mbijetuan, e më pas bënë vetëvrasje në Kosovën e lirë e të pavarur! Pak kush i kujton fëmijët e tyre.

Të gjithë i ikin të sotmes. Sepse e sotmja është e zymtë, e ka kapluar korrupsioni!

Prandaj, më këtë kulturë qeverisjeje, me këtë ritëm të punës, me këtë qasje, Kosova, edhe pse e vetme, nuk e meriton liberalizimin e vizave as në vitin 2016.

Sepse, për tu hequr vizat duhet luftuar me vepra korrupsioni e krimi i organizuar.

Sepse, Bashkimin Evropian nuk e rrezikojnë dy milionë shqiptarë, apo sido që dikush mund të na quajë, kosovarë, myslimanë.

Sepse, qëllimi i përmbushjes së kritereve të caktuara nga Komisioni Evropian, me gjithë interferimin, është proces i ndarë nga bisedimet, është shtysë për krijimin e kushteve më të mira për jetesë të të gjithë qytetarëve, në radhë të parë të atyre që nuk mendojnë të ikin nga Kosova.

(Autori është gazetar i pavarur)

Në trend

Më shumë

"Po na djegin, ju lutem na ndihmoni", rusët nuk kanë zgjidhje për sulmet me dronë të ukrainasve

Evropa
Pas 22 vitesh klubi i njohur kthehet në Ligën Premier – fituesit e titullit dhe një trofeu evropian tani janë në elitën e futbollit anglez

Pas 22 vitesh klubi i njohur kthehet në Ligën Premier – fituesit e titullit dhe një trofeu evropian tani janë në elitën e futbollit anglez

Premier League
Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Serbia
Ish-legjenda e Man Cityt që dikur kishte milionat, tani ka falimentuar dhe ka vetëm 2 euro në bankë

Ish-legjenda e Man Cityt që dikur kishte milionat, tani ka falimentuar dhe ka vetëm 2 euro në bankë

Premier League
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Lajme
Larg Meritonit me pushime në Itali, turisti e pyet a je e famshme? - Ilnisa Agolli jep përgjigjjen interesante

Larg Meritonit me pushime në Itali, turisti e pyet a je e famshme? - Ilnisa Agolli jep përgjigjjen interesante

Magazina
Kalo në kategori