LAJMI I FUNDIT:

Viti i Ri 2012 dhe një botë e re që po fillon!

Ashtu sikurse është karakteristikë kudo në botë, ditëve të fundit të vitit që po e lëmë pas, hapësira jonë mediale ishte e dominuar me lajme nga konferencat përmbyllëse për shtyp të institucioneve shtetërore dhe udhëheqësve tanë të lartë politikë. Duke u ngopur me lëvdatat e tyre shabllonistike dhe boshe për sukseset e arritura gjatë vitit, në fund, qeshesha ëmbël në vete dhe çdo herë spontanisht nga goja më dilte ajo pyetja e ime alegorike si shprehi: “Allahile, çka jeni në horoskop”?

Vërtet, ky gjest nga dikush mund të merret si një ves infantil fëmijëror, por ai për mua kishte një domethënie të prejardhjes. Gjithmonë kur në rrethin e shoqërisë sime të ngushtë, ndonjëri fillonte ta teprojë me krekosje dhe lëvdata për vete, për ta ndërprerë të vazhdojë më tej me këtë avaz, paralajmërimi i bëhej duke e pyetur me ndërhyrje: “Çka je bre ti në horoskop”?!. Kjo formë e shprehisë së ndërprerjes ndaj dikujt që flet dokrra, kohën e fundit më ishte instaluar si një ves i keq, andaj këtë mënyrë pak sa të pahijshme, e praktikoja edhe në vende dhe situata të tjera jo aq intime. Çuditërisht, me kohë, ky ves i reagimit të këtillë, nuk më shfaqej vetëm kur dikush ishte aty për aty prezent, por instinktivisht e thosha atë në vete edhe gjatë leximit të ndonjë artikulli në gazetë, apo, kur dëgjoja ndonjë lajm alla dokrra dhe kopalla në televizion.

Sipas një llogarie time të bërë si bilanc, këtë pyetje ironike në vete, gjatë vitit që po e lëmë pas, më së shumti ia kam bërë politikanëve tanë, dhe atë: Hashim Thaçit, Hajredin Kuqit, Edita Tahirit, Behxhet Pacollit, Mimoza Kusarit …


Sido që të jetë, jeta vazhdon! Fundviti para-festiv i ndarjes së dy mot-moteve nuk është vetëm rast i përshtatshëm për prezantimin e të arriturave njëvjeçare në një fushë apo sektor të caktuar, por edhe mundësi e parashikimit të aktiviteteve dhe ngjarjeve të ardhshme që mund të na ndodhin në vitin që po vjen. Dhe… sipas të gjitha gjasave, si në planin global, ashtu edhe shoqëroro-politik në vend, viti 2012, do të jetë një vit i bujshëm në çdo aspekt….

Apokalipsi 2012?!

Mbështetur në disa informata të përhapura më parë në publicistikën botërore, të cilat te shumica e njerëzve me karakter supersticioz veç kanë shkaktuar frikë, panik dhe ankth të panevojshëm, se, 21 dhjetori 2012, do të jetë viti i apokalipsit të botës, kataklizëm kjo që mendohet se është parashikuar sipas një kalendari parathënës të vlerësuar si tejet të saktë të civilizimit të lashtë botëror – MAJA. E përmenda jo rastësisht këtë ngjarje, sepse mu kjo besëtytni aq e përhapur si shqetësim kolektiv, mendoj se gjatë gjithë vitit 2012, detyrimisht do të jetë temë boshte e preokupimit edhe më të fuqishëm mediatik në tërë botën.

Në të vërtetë, civilizimi i hershëm MAJA, i cili ka ekzistuar që nga 500 p.e.s , ndërsa kulmimin e zhvillimit të vetë e ka arritur në vitet 250 – 900 e.s., ka qenë i shtrirë në një hapësirë gjeografike të kontinentit të sotëm të Amerikës Qendrore (në mes të Guatemalës, Belizesë, Hondurasit dhe Salvadorit të sotëm). Me një formë të përsosur të organizimit shtetëror – administrativ, MAJAT, për kohën e vetë, kanë qenë një popull tepër i zhvilluar dhe shumë i përparuar në çdo aspekt të dijes: ishin njohës të mirë të matematikës, astronomisë, arkitekturës, e mbi të gjitha, sot më së shumti përmenden si përpilues të një kalendari që, sipas kohëzgjatjes parashikuese, përfshin një periodë prej 26 mijë vjet. Në të, në mes të shumë ngjarjeve saktësisht të parapara, disa deshifrues të tij pretendojnë se ky civilizim i lashtë, pikërisht në ditën e 21 dhjetorit 2012, ka parashikuar se do të ndodhë shkatërrimi i botës (apokalipsi). E vërteta është se, me këtë datë, ky kalendar e përfundon ciklin e vet të gjatë parashikues 26 mijë vjeçar, por aty askund nuk figuron se fundi i saj, njëkohësisht nënkupton edhe shkatërrimin material të botës. Në fakt, aq është manipuluar me këtë kalendar në opinion, saqë sot me të nuk merret vetëm publicistika senzacionaliste botërore, por rreth interpretimit të saj, me të madhe është sfiduar edhe shkenca e jonë reputative oficiale.

Shikuar realisht, vërtet deri më 21 dhjetor 2012 diçka do të ndodhë në botë. Diçka si shkatërrim, transformim dhe zhdukje, por jo në aspektin fizik- material sikurse komentohet, por kjo rilindje do të jetë pikërisht në shpirtin kolektiv të njerëzimit.
Civilizimi i lashtë MAJA ka qenë një etnitet i lashtë me mentalitet tërësisht intuitiv dhe jo/materialist. Ata, të gjitha ngjarjet që ngjanin në realitetin tonë objektiv, i kanë konsideruar si trysni të proceseve të ndodhura në planin tjetër paradoksal jo/material të esencës tonë objektive (shpirtit), andaj, sado që të jetë e saktë kjo profeci e tyre, NE detyrimisht asaj duhet t’i qasemi nga një këndvështrim metafizik (jo/material).

Gjegjësisht, edhe nëse aty ka diçka të vërtetë, kalendarin në fjalë duhet ta interpretojmë si zhdukje dhe shkatërrim, PO, por të njëmendësisë tonë të gjertanishme të gabuar kolektive mbi botën dhe realitetin e saj; si ringjallje, ardhje e kohës së duhur për veprim të përbashkët kundër sundimit të pakicës tejet të pasur, nga njëra anë, dhe shumicës e cila dita më ditë varfërohet në botë, nga ana tjetër… Pra, sipas këtij kalendari parashikues, viti 2012 mund të jetë një vit i kulmimit të rebelimit kolektiv drejt një emancipimi revolucionar shpirtëror të gjithë njerëzimit… E, nëse realitetin e tashëm global e vështrojmë ndryshe dhe nga një këndvështrim tjetër, do të shohim se ky ndryshim kolektiv kuantitativ dhe kualitativ shpirtëror, veç ka nisur të ndodhë kudo në botë. Vetëm shikoni: “Pranverën arabe”, lëvizjen “Occupy Wall Street”, që shpejt mori përmasa globale, kriza e madhe financiare që e ka kapluar kohën e fundit eurozonën dhe e cila me shpejtësi të madhe po reflektohet edhe në shtetet tjera të këtij kontinenti në dukje me stabilitet të qëndrueshëm financiar (Itali, Spanjë, Portugali…), nisja e protestave masive kundër manipulimit me zgjedhje në Rusi…etj.

E në Kosovë…?

E në Kosovë sikur bota nuk sillet fare si gjetiu?! Por, si duket, në vitin 2012, edhe te ne ajo do të fillojë të sillet. Edhe pse disa herë të shpallur si popull të durueshëm dhe më optimist, në vitin 2012, as ne nuk do të jemi indiferentë kundrejt këtyre lëvizjeve populliste që veç kanë filluar të kaplojnë tërë botën. Pra, as ne gjatë vitit vijues nuk do të kursehemi nga “ndodhja e popullit”.

Edhe pse, ndoshta i ndikuar nga një trend botëror në rritje, shprehja kolektive e pakënaqësisë përmes kësaj forme, për ne kosovarët do të vijë në një teren të gatshëm dhe të parapërgatitur mirë me kohë, sikurse është: papunësia e madhe, varfëria, korrupsioni, hajnia, nepotizmi, mediokriteti dhe servilizmi pushtetar, morali i degraduar tej mase i shoqërisë në përgjithësi…Të gjitha këto dukuri shoqërore negative në rritje, dita-ditës po e demaskojnë fytyrën e vërtetë të kësaj politike dhe të këtij koalicioni në pushtet.

E kjo rënie graduale e kredibilitetit të saj, në vitin 2012, do të vazhdojë me një ritëm edhe më të shpejtuar. Andaj, përballë gjithë kësaj të keqeje që na ka kapluar si shoqëri, ndjenja e ardhjes së një stuhie të madhe të pakënaqësisë kaherë të akumuluar sociale, po rritet me një masë të progresioni matematikor në Kosovë. Tashmë po vërehet qartë se, te shumica e qytetarëve, “barku i zbrazët” ka filluar të ndikojë në ndryshimin e mendimit dhe bindjeve të tyre për këtë elitë politike dhe për mënyrën e saj të gjertanishme të politikëbërjes në vend.

Zgjedhjet nacionale dhe presidenciale në vitin 2012?!

Kur nën një trysni të fuqishme ndërkombëtare, atëbotë ishte nënshkruar ajo marrëveshje e famshme në mes të tre liderëve tanë partiakë: Thaçi-Mustafa-Pacolli, nga e cila, neve si shpërblim, na doli presidentja e jonë e tashme prej zarfi, ku konstatohej se zgjedhjet për presidentin e Republikës do të mbahen diku kah muaji maj i vitit 2012, ndërsa ato të përgjithshme nacionale dhe lokale, kah fundi i vitit 2013, pak kush ka besuar në realizimin e saj si të tillë në praktikë. Sipas rrjedhës së gjertanishme të gjërave, sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, ne në të vërtetë do të kemi një realitet krejtësisht tjetër në vitin 2012!

Opozita po forcohet dhe mes tyre po vërehet një bashkëpunim i heshtur dhe më i sinkronizuar i bashkëveprimit ndaj pozitës politike në pushtet. Ky synim i realizimit të një trysnie demokratike më të koordinuar opozitare, më vitin 2012, me lirimin nga të gjitha aktakuzat për krime lufte edhe të liderit të AAK-së, z. Ramush Haradinajt, nga Haga (GJNKL), do të forcohet edhe më tepër.

Pas një krize të mundshme të shkaktuar qeveritare, këto dhe shumë rrethana tjera të zhvillimeve të nxehta politike që në vazhdimësi do të ngjajnë gjatë vitit të bujshëm 2012, ato patjetër do të ndikojnë që diku në fund të po këtij viti, të shpallen zgjedhjet presidenciale dhe së bashku me to edhe ato të përgjithshme dhe të parakohshme nacionale.

Krejt në fund, të gjithë lexuesve të kësaj gazete, ua uroj nga zemra: Gëzuar vitin e ri 2012. Nëse dikush nga ta rastësisht do të gjykojë se unë me diçka në këtë artikull e kam tepruar nga pak, atëherë lirisht mund të veproj sikur unë me at vesin tim të përshkruar në fillim, duke ma bërë edhe mua atë pyetje alegorike: “Adnan, po ti çka je në Horoskop?!

Në trend

Më shumë
Ditë e re, provokim i ri për të mos reaguar - kësaj radhe në shtëpinë e BBVA futet Livia për të zgjuar banorët nga gjumi

Ditë e re, provokim i ri për të mos reaguar - kësaj radhe në shtëpinë e BBVA futet Livia për të zgjuar banorët nga gjumi

Magazina

"Askush nuk është i sigurt", Kanada i dërgon botës një paralajmërim për Trumpin

Botë
I dërguari i Trumpit largohet nga Moska pas një takimi me Putinin - ai ka një mesazh të rëndësishëm për SHBA-në

I dërguari i Trumpit largohet nga Moska pas një takimi me Putinin - ai ka një mesazh të rëndësishëm për SHBA-në

Botë
Prokuroria autorizon policinë që të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

Prokuroria autorizon policinë që të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

Lajme

"Policë evropianë që vijnë të veshur si paramilitarë, si hajdutë, si bandita", Behrami kritikon përcjellësit e Thaçit

Lajme
Gjyqtari Marciniak thyen heshtjen, tregon se si erdhi deri te anulimi i penalltisë së Julian Alvarez

Gjyqtari Marciniak thyen heshtjen, tregon se si erdhi deri te anulimi i penalltisë së Julian Alvarez

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori