LAJMI I FUNDIT:

Veseli në Vjenë: Serbia duhet ta kuptojë, Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm

Veseli në Vjenë: Serbia duhet ta kuptojë, Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, u është adresuar sot përfaqësuesve të shumtë nga shtete të ndryshme të Evropës e më gjerë, të mbledhur në Vjenë, në Konferencën “Com-sult”, në të Cilën po diskutohet për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, Veseli bëri një përshkrim të së kaluarës së dhimbshme të popujve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht në ish-Jugosllavi, në të cilën, tranzicioni demokratik u la mënjanë dhe në vend të tij u shfaqën hasmëritë dhe urrejtja ndëretnike, për pasojë të të cilave qindra-mijëra civilë të pafajshëm humbën jetën, mes tyre edhe mijëra shqiptarë, ndërsa vendet u kthyen në gërmadha dhe shoqëritë, bashkë me ekonomitë, e tyre u shkatërruan.


Veseli tha se pas luftërave të tmerrshme, shekulli i ri në Ballkanin Perëndimor nisi me një shpresë të re, por me vështirësi në tranzicion, deri më 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë e saj.

“Në këto pak vite të ekzistencës së tij, shteti i Kosovës ka shënuar hapa historikë në konsolidimin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Deri më tash, 113 shtete e kanë njohur Republikën e Kosovës. Jemi bërë pjesë e një sërë iniciativash dhe mekanizmash ndërkombëtarë. Të rinjtë e Kosovës, edhe pse më të izoluarit në Evropë, janë duke shkëlqyer në garat sportive ndërkombëtare, në muzikë dhe inovacion”, tha Veseli.

Ai, po ashtu, pohoi se pavarësia e Kosovës e ka bërë më të qëndrueshëm stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit.

“Sot, ne mund të ndihemi mirë, sepse të gjitha vendet tona kanë vizion të përbashkët për të qenë pjesë e familjes së demokracive evropiane. Aty-këtu dëgjojmë zëra të forcave antidemokratike që flasin për orientime të tjera strategjike, për aleanca të reja, por jam i bindur se këto forca nuk do të mund ta rivalizojnë vizionin euro-atlantik, i cili, para së gjithash, ka mbështetjen e plotë të qytetarëve dhe shoqërive ballkanike. Megjithëkëtë, nuk duhet që të injorohen këto forca”, theksoi Veseli.

Duke folur për sfidat e vendeve të Ballkanit dhe nevojën e mbështetjes nga Bashkimi Evropian, kryeparlamentari Veseli ka përmendur edhe angazhimin e Kosovës për fqinjësi të mirë dhe dialog.

Ai tha se institucionet e Kosovës janë të angazhuara në procesin e dialogut me Serbinë, në mënyrë që marrëdhëniet midis dy shteteve fillimisht të normalizohen, si hap i parë drejt procesit të njohjes reciproke si dy shtete të pavarura, që ndajnë të njëjtën aspiratë për të qenë pjesë e BE-së.

Por, Veseli e cilësoi brengosës faktin se shpeshherë në Beograd ka një shpërthim të zellit nacionalist për të penguar shtetin e Kosovës dhe integrimin euro-atlantik të tij.

“Provokimet e fundit të Serbisë, si aktualizimi i fletarresteve të kohës së Millosheviqit për ish pjesëtarët e UÇK-së, përpjekjet për të ndërtuar mure ndarëse në veriun e Mitrovicës, lëshimi i trenave ilegalë që duan të futen në Kosovë pavarësisht ligjeve të vendit, janë pasojë e këtij zelli, që ne konsiderojmë se në fund të fundit do t’i bëjë dëm më së shumti vetë Serbisë dhe qytetarëve të saj”, tha kryeparlamentari.

Ai shtoi se Republika e Kosovës përbën një realitet gjeopolitik të pakthyeshëm. Sipas tij, shumëçka mund të ndodhë në Ballkan, por në asnjë mënyrë kthimi i të së kaluarës.

“Ne i kuptojmë vështirësitë e Serbisë për t’u çliruar nga trashëgimia e së kaluarës, por fqinji ynë verior duhet ta kuptojë se nuk mund të bëhet pjesë e BE-së duke penguar fqinjët e tij që ta bëjnë të njëjtën gjë. Unë besoj se në muajt dhe vitet në vazhdim do të ecim të gjithë së bashku në këtë drejtim, që një ditë paqja e brishtë ballkanike të fitojë epitetin e asaj që quhet paqe demokratike mes kombeve. Por, është e domosdoshme që BE-ja të qartësojë parimin e barazisë së të gjitha shteteve të rajonit në perspektivën integruese”, tha Veseli. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Diplomon gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës

Diplomon gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës

Lajme
Dëshmia e luftës për liri, si e shkatërruan ushtarët e UÇK-së tankun serb në Mirushë të Malishevës?

Dëshmia e luftës për liri, si e shkatërruan ushtarët e UÇK-së tankun serb në Mirushë të Malishevës?

Lajme
Kurti pas takimit me mërgimtarët në Cyrih: Mërgata është me Lëvizjen, ju dua fort

Kurti pas takimit me mërgimtarët në Cyrih: Mërgata është me Lëvizjen, ju dua fort

Lajme
Reagime pasi Serbia dëbon 13 aktivistë të shoqërisë civile, përfshirë shqiptarë

Reagime pasi Serbia dëbon 13 aktivistë të shoqërisë civile, përfshirë shqiptarë

Lajme
Ambasadorët e BE-së konfirmojnë Sorensenin emisar për dialogun Kosovë-Serbi

Ambasadorët e BE-së konfirmojnë Sorensenin emisar për dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
Sulmohet fizikisht një mjek në Klinikën Infektive

Sulmohet fizikisht një mjek në Klinikën Infektive

Kronika e Zezë
Kalo në kategori