LAJMI I FUNDIT:

Veriu ende jashtë kontrollit, serbët vazhdojnë të shpenzojnë rrymë e të mos paguajnë

Veriu ende jashtë kontrollit, serbët vazhdojnë të shpenzojnë rrymë e të mos paguajnë
Foto: Arkiv

Serbët e veriut të Kosovës edhe 19 vjet pas luftës vazhdojnë ta shpenzojnë energjinë elektrike dhe i paguajnë KEDS-it, por energjia elektrike e shpenzuar në atë pjesë të Kosovës iu faturohet qytetarëve tjerë të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke synuar vendosjen e rregullit të pagesës në veri, në prill të këtij viti, pati deklaruar se do të hapin tregun me shpërndarës përmes shërbimeve tregtare.

Ndonëse ka përmendur mënyrën se si do të mund të funksiononte një gjë e tillë, kreu i ekzekutivit ka thënë se deri më tash nuk kanë arritur të bëjnë një gjet ë tillë për shkak të rrezikut nga thyerja e ligjit.


“E vërteta është që në veri ne e japim energjinë, nuk e jep tjetërkush, nuk është mirë ta jep askush dhe nuk do të lejojmë ta jap askush për shkak se është Kosovë si treg por duhet të vendoset edhe rregulli i pagesës, kemi ofruar me hap tregun shpërndarës, jo si KEDS-i, por me shërbime tregtare por po na kërkohet me i thyer ligjet e Kosovës dhe nuk kemi arrit t’i bëjmë”, ka deklaruar ai.

KosovaPress është munduar të kuptojë se çka ka mundur të shkaktojë moszbatimin e ligjit në rast të vendosjes së rregullit të pagesës përmes shpërndarësve, porse nuk ka marrë ndonjë sqarim.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka bërë të ditur se Qeveria është duke u angazhuar që përmes dialogut teknik të zbatojë marrëveshjen për energji.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të sigurojë stabilitetin energjetik në vend. Nga ana tjetër është duke u angazhuar përmes dialogut teknik, të cilin e udhëheqë dhe përmes partnerëve ndërkombëtarë që të zbatohet marrëveshja për energji”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, këshilltarja e kryeministrit për Energji, Pranvera Dobruna nuk ka dashur të komentojë lidhur me mënyrën e pagesës së rrymës në veri, duke hedhur gjithë përgjegjësinë mbi ZRRE-n.

“Unë jam këshilltare e jashtme, nuk kam kompetencë të flas në emër të qeverisë. Është Zyra e Rregullatorit ajo që duhet të jap informatat dhe është kompetente për këtë çështje”, tha ajo për KosovaPress.

Analisti serb nga veriu i Mitrovicës, Zhelko Tvrdishiq, ka bërë të ditur për KosovaPress se qytetarët në veri nuk janë në dijeni nga kush e shfrytëzojnë energjinë elektrike, nga Kosova apo Serbia.

Sipas tij, rryma e cila shërben për qytetarët e veriut vjen nga Serbia qendrore.

Ai potencoi se duhet integruar në radhë të parë institucionet në atë pjesë, siç janë policia, gjykata, fakulteti dhe të ngjashme, për të cilat tha se nuk dihet nëse paguajnë energjinë dhe kujt ia paguajnë, e pastaj të flitet për qytetarët.

Sa i përket miliona eurove të Qeverisë së Kosovës për të cilat thuhet se po harxhohen për qytetarët e veriut dhe mbulimit të faturave të energjisë për ta, Tvërdishiq tha se këto janë vetëm spekulime, ngase, siç u shpreh ai, me ato para po mbulohen humbjet e KEDS-it në jug.

Ai shtoi se zgjidhja e këtij problemi është marrëveshja e Brukselit, për të cilën tha se duhet akoma kohë deri sa të vihen në praktikë obligimet e të dyja palëve.

“Besoj se as qytetarët e veriut nuk e dinë rrymën nga kush e shfrytëzojnë, por megjithatë e shfrytëzojnë. Sipas disa të dhënave të distributorëve në veri përqindja e parapagueve të rrymës atje është 20 deri në 30 përqind…

Një pjesë e parapaguesve në veri  i paguan rrymën Elektro distributorit të Serbisë, janë këto kryesisht institucionet si Fakulteti, konviktet etj…

Sipas informatave të mia, por edhe të disa njerëzve njohës të kësaj fushe, rryma e cila shërben për qytetarët e veriut vjen nga Serbia qendrore. Ekzistojnë dyshime se këto janë vetëm spekulime për t’i mbuluar humbjet e KEDS-it në jug, dhe jo se me ato para paguhet rryma në veri…Më duket sikur akoma nuk janë integruar as institucionet e veriut në sistemin e Kosovës, prandaj së pari t’i integrojmë institucionet dhe pastaj të mendojmë për qytetarët. Parashtrohet pyetja nëse Qendra e paraburgimit paguan rrymën dhe kujt ia paguan, pastaj Policia e Kosovës, Gjykata në veri etj. Kur këto fillojnë me pagesë të faturave të rrymës, po supozoj se do të fillojnë edhe qytetarët. Sido që të jetë, zgjidhja është Brukseli dhe ky është stacioni kryesor i zgjidhjes së këtij problemi. Ekziston marrëveshja e Brukselit sa i përket energjisë, edhe pse rezultatet e një marrëveshje të tillë akoma nuk vërehen në terren dhe kam frikë se duhet akoma kohë për t’u precizuar obligimet e palëve sa i përket çështjes së energjisë”, ka thënë Tvrdishiq.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999, autoritetet kompetente për sektorin e energjisë e kishin të pamundur qasjen në veri të Kosovës dhe nuk arritën të lexojnë njehsorët, t’ua dërgojnë faturat qytetarëve në veri dhe as të mbledhin të hyrat për energjinë e shpenzuar atje.

Zyrtarët e KEDS-it nuk kanë dashur ta komentojnë këtë gjendje./ kp/Telegrafi/