Nga: Daut Dauti
Në muajin dhjetor u rritën ethet e ‘civilkave’ që na kishin kapur në nëntor. Ushtarët, gjatë ditëve të fundit të shërbimit ushtarak, nuk mendojnë për asgjë tjetër më shumë se sa për ‘civilkat’ (rrobat civile) që do t’i veshin me heqjen e përhershme të uniformës ushtarake. Ato ditë kjo ka qenë tema kryesore e bisedës në mesin tonë. Si do të dukemi pas një viti në këto rroba, kur do të lëshoheshim nga Ushtria?
Jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhët tjera sllave të Jugosllavisë përdorej fjala e njëjtë ‘otpuštanje’ që do të thotë lëshim. Kjo i binte sikur që dikush na kishte zënë e tashti po na lëshonte. Shprehja është tërësisht adekuate për shkak se, asnjë nga ne, pa marrë parasysh nga ishim, nuk kishim shkuar aty me vullnetin tonë. Sidoqoftë, tashti që po lëshoheshim dëshironim të kishim rroba të bukura. Flakja e uniformës e kishte kuptimin e largimit definitiv nga komanda, nga kontrolli, disiplina dhe gjithçka e uniformuar.
Nga tramvaji që e merrnin para derës së kazermës, zbritnim në ‘Trg Republike’ që sot quhet ‘ Trg Bana Jelačića’ në Zagreb. Nga aty shpërndaheshim në katër anë. Për mua atraktive ka qenë pjesa perëndimore, aty ku fillonte Ilica, një rrugë e cila edhe sot e mban të njëjtin emër dhe ruan të njëjtin reputacion me mburrje. Kah mesi i Ilicës, në të majtë, lëshohet një rrugë që zbret te Teatri Kombëtar kroat që është një ndërtesë mahnitëse dhe e cila në heshtje sikur dëshiron të thotë së ky vend nuk është Ballkan. Para se të mbërrini te ky teatër, shihen disa ndërtesa të Universitetit të Zagrebit dhe, pas tyre, po në të njëjtën rrugë ka qenë një restorant ku unë shkoja për të ngrënë kur kisha para. Nëse jo, që ndodhte shpesh, endesha me tjerët nëpër ‘gostionicat’ e Ilicës ku ushtarët nuk ishin gjithmonë të mirëpritur.
Në nëntor, kur nuk na kishte mbetur më shumë se një muaj që të lëshoheshim nga ushtria, filluam t’i vizitonim dyqanet e veshmbathjeve. I pritnim paratë që do të na vinin nga shtëpia dhe gjatë kësaj kohe i shënonim këpucët dhe rrobat që do t’i blinim. Në një shtëpi të mallrave në Ilica, në katin e dytë, në një kënd ka pasur të ekspozuar lloj-lloj xhaketa të lëkurës. Rrobat qëndronin të varura me kujdes dhe shkëlqenin nga drita që iu binte për këtë qëllim. Aty shkonim shpesh dhe i provonim disa modele që na pëlqenin. Unë ia kisha vënë syrin njërës me katër xhepa jashtë dhe dy brenda e që kishte ngjyrë kafe. Ishte pak si e rëndë dhe kjo fliste për kualitetin. Brenda kishte një astar të zi që ngërthehej me vija të thyera që krijonin një dizajn të bukur. Ishte tamam për shijen time dhe do ta blija kur të më vinin paratë. Shitëset nuk bezdiseshin shumë nga prezenca dhe provat tona, pasi e dinin se ne ishim blerës potencialë.
Një ditë aty e takova Obradoviqin, qatën e njësisë tonë, i cili ka qenë nga Beogradi. Edhe ai ia kishte vënë syrin të njëjtës xhaketë. Rrobat aty kanë qenë të shtrenjta, por Obradoviqi nuk ballafaqohej me problemin e çmimit. Ai ishte djali i vetëm, jo vetëm në shtëpinë tij, por edhe në familjen e gjerë nga e ëma dhe babai, kurse unë kush e di i sati djalë në një familje.
“Jebo te“,tha kur e shikoi tiketën e xhaketës që e paraqiste përbërjen apo llojin e lëkurës nga e cila ishte prodhuar. Lëkura ishte e derrit dhe atij nuk i pëlqeu ky fakt që ia prishi qefin. Unë nuk do ta blija kurrsesi, por pse ai nuk do ta blinte kur e hante mishin e derrit? Nëse kësaj shtaze ia ha mishin, pse të mos ia pëlqesh edhe lëkurën? Arsyetimi i tij ishte paksa i çuditshëm meqë derrin e konsideronte shtazë me karakter të papranueshëm. Ishte më shumë shprehje e rrejshme e një snobisti beogradas. Kjo ndikoi që debati të zgjerohej. Një slloven ishte kundër rrobave të prodhuara nga lëkura e shtazëve. Në atë kohë ky ka qenë mendim revolucionar dhe sapo kishte filluar të përhapej në Evropë. Sllovenët me ide dhe veprime gjithmonë kanë qenë para neve tjerëve. Ky mendim sot është shndërruar në veprim sa që aktivistët e kësaj lëvizje në qytetet e Evropës i sulmojnë njerëzit, sidomos gratë, që bartin peliçe (bunda) me lëkurë të shtazëve. Qëndrimet politike që ai i shprehte në ushtri kanë qenë të rrezikshme. Sikur unë të shprehja qëndrime të tilla, me siguri do të përfundoja në burg. Por, në Ushtri (JNA) disa kanë qenë më të ‘barabartë’ se tjerët. Megjithatë, qëndrimi i ushtarit slloven në lidhje me lëkurat e shtazëve ishte hipokrizi meqë ishte mishngrënës. Në këtë rast nuk e çonte idenë deri në fund. Diskutimi nëse duhet apo jo të konsumojmë mish e të përdorim lëkurën e shtazëve, është i pakuptimtë. Sidomos në ushtri ku as dy hapa nuk mund t’i bësh nëse nuk ha mish. Disa shtazë mund të përjashtohen, por jo të gjitha.
Pa marrë parasysh debatin që filloi për shkak të lëkurës së derrit, ne asnjë nuk blemë xhaketa të lëkurës. Unë madje as që bleva rroba të reja, për shkak se në vend të parave m’i dërguan rrobat që i kisha lënë para se të shkoja në ushtri. Gjithë ato rroba dhe këpucë që i kisha shënuar në vitrinat e dyqaneve të Zagrebit. Ka qenë një dëshpërim i madh për mua, por që nuk zgjati më shumë se një ditë. Mezi i vesha rrobat të cilat tani më nuk më binin tamam sepse nga ushtrimet isha zgjeruar në trup.
Në atë kohë gjëja kryesore ka qenë që nga ushtria të lëshohesh shëndosh e mirë. Pak punë ishin rrobat civile të lëkurës apo stofit. Megjithatë, sado e hidhur, e thartë dhe e pakuptimtë që është ushtria, kurrë më nuk kam qenë më i shëndetshëm, më i fuqishëm dhe me mendje më të përqendruar se sa gjatë shërbimit ushtarak. Është një përvojë që nuk fitohet askund tjetër. Njeriu, vetëm nga fakti që e vesh uniformën, ndjehet i fuqishëm. Rrobat e lëkurës apo ‘civilkat’ janë për ata që mungesën e fuqisë e mbulojnë me hijeshi. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A