LAJMI I FUNDIT:

UraCult feston 10-vjetorin e themelimit me një program të pasur artistik

UraCult feston 10-vjetorin e themelimit me një program të pasur artistik

Ishte mbremja e një të shtuneje Tetori. Në dalje të Palais Wittgenstein, një adresë kjo e njohur e muzikës klasike në Dusseldorf, qëndronte një çift i moshuar gjerman që sapo kishte dalur nga një koncert, i cili si dukej ju kishte lënë mbresë shumë.

„Sonte përjetova një orë muzikore ndoshta më të bukurën në jetën time“ i tregonte zonja një të riu që i priste ata te dalja. „Nga Kosova ishin. Çfarë zërash të bukur, mrekulli!“ vazhdoi ajo duke u larguar pa e fshehur befasinë e këndshme të posapërjetuar.

Zërat e bukur për të cilët fliste zonja e impresiounuar, ishin të këngëtareve dhe kengëtareve të ansamblit „ReVocal“ nga Kosova, që sapo kishin përfunduar koncertin e tyre. Në skenë ende qëndronte Maestro Rafet Rudi, i rrethuar nga nja grup mysafirësh që përgëzonin kompozitorin dhe dirigjentin e mirënjohur e udhëheqësin e ansamblit për paraqitjen e asaj mbrëmjeje. Me një repertoar këngësh shqipe por edhe ndërkombëtare, „ReVocal“ i dhuroi një mbrëmje të nivelit të lartë artistik publikut gjermano-shqiptar në kryeqytetin e landit NRW.


“Faleminderit për organizimin e na vini më shpesh në Düsseldorf”. Me këto fjalë ju drejtoheshin mysafirët organizatorëve, që për herë të parë kishin ofruar një program muzike klasike në Düsseldorf.

Një mbrëmje e zakonshme kulturore e komunitetit shqiptar në Gjermani? Po, kur organizatore është shoqata URACult nga Köln-i që për këtë koncert kishte zgjedhur sallën e bukur të Palais Wittgenstein në qytetin fqinj.

Por kush është URACult?

Në faqen e tyre të prezentimit gjejmë vlerësime nga artiste dhe artistë të shumtë të skenës artistike nga Shqipëria e Kosova, që ishin prezentuar në skenën e saj.

„URACult për mua është shoqata kulturore ma kredibile dhe ma unike që sot ka diaspora shqiptare, jo vetëm në Gjermani. Të organizuar. Me vizion. Gjithpërfshirës. Me shije“ shkruan dramaturgu Jeton Neziraj, dramat e të cilit URACult i solli në qytete të ndryshme të Gjermanisë. Për mbrëmje magjike dhe përvoja të paharrueshme shkruanin të tjerët. Komente vinin nga: Rona Nishliu, Visar Kuçi Trio, Flaka Goranci, Hersi Matmuja, Jacopo Conoci, Elina Duni e shumë të tjerë dhe zgjonin kurreshtje për të kuptuar më shumë se kush fshihet pas kësaj organizate kreative.
Para 10 vitesh, mitrovicasit Bashkim Meholli me vendbanim në Köln, i lindi ideja për themelimin e një shoqate si vendtakim i artdashësve por e cila do të ishte edhe si urë lidhëse ndërmjet vendlindjes dhe Gjermanisë, vendit ku jetonte.

“Bashkimi na ngazëlloi me këtë ide dhe ne ju bashkuam. Pa përvojë por të motivuar dhe shoqata u themelua dhe organizoi ngjarjen e parë“ rrëfen Ali Salihu, kryetari aktual i shoqatës i cili është aktiv që nga dita e parë e themelimit, duke kujtuar hapat e parë të shoqatës.

Një ekspozitë pikturash e fotografish, një lexim dhe një koncert. Ky ishte programi i organizimit të parë të shoqatës së re në Nëntor të vitit 2014 në Köln. Reagimet pozitive nga të pranishmit pas kësaj mbrëmjeje, motivuan artdashësit nga qyteti buzë lumit Rin dhe shumë shpejt pasuan organizime të tjera të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Koncerte të ndryshme, shfaqje teatrale, mbrëmje letrare, ekspozita, mbrëmje filmi etj. përmbante programi i URACult për një dekadë, duke ju ofruar një skenë prezentimi shumë artisteve dhe artistëve nga vende të ndryshme por me fokus atyre nga trojet shqiptare ku jetojnë shumë talente dhe talentë artesh të ndryshme.

“Skena jonë është e hapur për të gjithë. Duam ti tregojmë publikut në Köln dhe rrethinë se edhe Ballkani ka një skenë artistike shumë kreative. Kritikat e publikut në të cilin ka gjithnjë edhe joshqiptarë, janë shumë pozitive” vazhdon Salihu, duke theksuar rëndësinë e diversitetit në skenë dhe në publik.

Edhe grupeve muzikore të Arbëreshëve nga Piana degli Albanesi në Itali dhe nga Zara e Koracisë, URACult ju mundësoi prezentimin e trashëgimisë së tyre kulturore, organizime këto që u pritën jashtëzakonisht mirë nga publiku.

Pa dyshim një storje suksesi dhe shembull i shkëlqyeshëm i shfrytëzimit të potencialit që ka sot komuniteti shqiptar në Gjermani. Shumë orë pune vullnetare investuan anëtarët e shoqatës për 10 vite, gjatë të cilave nuk mungoi përkrahja nga miq dhe donatorë por edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës, sidomos në vitet e fundit.

Por para se të vazhdoj misionin e saj për të cilin meriton përkrahje edhe në të ardhmen, URACult do të festoj në fundjavën që vjen 10 vjetorin e themelimit me një program të pasur. Fotografët Dash Izairi dhe Andrea Shkreli do të prezentojnë punimet e tyre derisa për program muzikor do të kujdesen Visar Kasa, Albana Bilalli dhe Faton Lahaj. Një trio nga Kosova, Avni Shkodra, Valina Muçolli dhe Kushtrim Qerimi, do të dalin në skenën e Stand Up Comedy. Nuk do të mungojnë as kurset e vallëzimit për të rritur dhe fëmijë por edhe një punëtori arti për fëmijët është në program si dhe specialitete ushqimore nga të gjitha trojet shqiptare. Një pikë e programit duket për URACult ndoshta më e veçantë. Bëhet fjalë për skenën e talentëve të rinjë.
“Në të ardhmen do t’ u ofrojmë të rinjëve skenën tonë edhe më shumë. Në fundjavën festive do të kemi talente dhe talentë që do të prezentohen në violinë, piano, çelo dhe harfë” flasin organizatorët nga URACult për planet e tyre.

Ju dëshirojmë artdashësve nga Disapora të vazhdojnë këtë punë, rëndësia e së cilës është e shumëfishtë. Një urim nga autorja dhe gazetarja Lindita Arapi të postuar në faqen e URACult, tregon ndoshta më së miri rezultatin e këtij angazhimi dhe kreativiteti 10-vjeçar.

“Ju sollët imazhin e ri të shqiptarëve, përmes jush Europa i njeh më mirë shiptarët, ashtu siç janë, europianë”.

Shpresojmë se Kölni dhe rrethina do të frymojnë shqip edhe për shumë dekada tjera. Për komunitetin tonë atje por edhe për mysafirët tjerë, për të cilët një organizim kulturor me pjesëmarrje shqiptare, nuk do të jetë më befasi por diçka e zakonshme.