LAJMI I FUNDIT:

Universiteti “Potemkin”!

Universiteti “Potemkin”!

Po hyj drejt e në temë! Pohimin historik në një të përditshmeje tonë se aktori A.I, me disa minutat e tij lakuriq në skenën e teatrit “Oda” në Prishtinë, është bërë aktori i parë nga Kosova që doli përballë publikut tërësisht nudo, është krejtësisht arbitrarë dhe tendencioz. Kjo s’ka të bëjë me dilemën shqiptarë apo kosovarë! Nuk ka të bëjë as me deklaratën e kryeministrit Rama në mbrojtje të drejtoreshës së re dhe të bukur të cilën sapo e hodhi në arenë! Ka të bëjë me një metaforë që shpalosë lakuriqësinë politike!

Shikojeni edhe njëherë deklaratën. Theksi bie te fjalët “i parë”, “skenë”, “nudo”! Për ata që nuk e dinë, “nudo” d.m.th. lakuriq, cullak, veçse kjo e para konotohet si diçka më ndryshe, më artistike.

Dikush qëllimkeq këtë mund të e kuptojë si pohim se politikanët tanë nuk janë aktorë?! Se politika jonë nuk është një skenë e improvizuar?! A nuk dalin politikanët tanë përditë lakuriq para publikut?! Dalin! E pra?


E qartë! Lakuriqësia nuk është veç dukuri fizike! Jo se e them unë! E thoshte edhe Dostojevski! Është edhe metaforë! Mendojeni! Por, sot kemi punë me një rus tjetër! Është Potemkini!

Për ata që përtojnë me e kërku në Google këtë emër, me e thjeshtëzu, metafora për Potemkinin do të thotë fasadë! Fshat fasadë! Qytet fasadë! Republikë fasadë! Gjithçka që është vetëm fasadë, pra, dydimensionale! Por, kësaj radhe po flasim për një universitet! Po flasim për modelin e universiteteve publike te ne! Ky është specifik!

U pa puna! Dy rus me i përmend në një kolumne, kjo është definitivisht tradhti. Por, për baraspeshë po i përmendë edhe gjermanët. Ata na kanë ndihmuar! Pra, para disa deceniesh, një çift gjerman kishte vendosur të sfidojë puritanizmin e shoqërisë! Pak si eksperiment social e pak si rebelim, rrjedhimisht ata në pikë të ditës kishin dalë të shëtisin lakuriq rrugëve të një qyteti të madh! Dorë për dore! Natyrisht, policia i arrestoi për prishje të rendit publik. S’ka lojë… me lakuriqësinë!

Politikanët tanë, përse nuk i arreston policia? A nuk janë lakuriq?! Politikanët tanë milionerë, me pagë buxheti! Epo, me nder dhe mund i kanë fituar! Edhe po të jetë ndonjë prokuror i ndërgjegjshëm, nuk… e kruan dot me ta! As unë nuk po kruhem më tepër me prokurorë! Unë nuk jam politikan!

Kështu, te ne, pushtetet janë të ndara. Me mur kinez! Nuk flasin mes vete! Pastaj, tjetër është të shihen gjenitaliet e dikujt, e tjetër të shohësh pasurinë e qytetarëve të derdhur në konto të politikan[ve. E para është gjynah, thonë konservatorët! E dyta… politikë! Përditshmëri! Ku e di unë?!

Por, lexues të dashur, përpos lakuriqësisë, politika është edhe biznes, do të thoni! Është! E biznesi te ne, të parafrazojmë Klauzevicin, është vazhdim i luftës me mjete të tjera!

Kështu, biznesi, politika dhe edukimi u takuan këto ditë para kamerave, në Mitrovicë! Mitrovica u bë edhe me një Universitet publik! Kësaj radhe, të bazuar në buxhet të Kosovës, se ai në veri është një universitet tjetër publik i cili mbështetet në buxhetin e Serbisë! Ne nuk jemi inatxhinj! Ata andej, ne këndej! Me rëndësi se të gjithë ne jemi Kosovë!

Dikur Mitrovica e kishte një fakultet xehetaro-metalurxhik! Nga fakulteti dilnin inxhinierë të zotët. Kishte edhe xehetari! Edhe metalurgji! Kishte edhe minatorët e famshëm. Kishte edhe pluhur sa të duash! Fëmijët e Mitrovicës hutoheshin sa herë që dikush i përmendte tjegullat e kuqe. Atje çdo gjë ishte e hirtë! Nga pluhuri! Kur vizatonin shtëpitë e tyre, tjegullat i ngjyrosnin me ngjyrë hiri! E kishin humbur konceptin e të kuqes! Por, në Mitrovicë kishte mjaftë qytetari! Më shumë se në Prishtinë ndoshta! Themeli i jetës atje ishte kombinati “Trepça” me mbi 20 mijë punëtorë!

Sot, Qeveria jonë e lavdishme e hapi universitet në Mitrovicë! Kishte ide që prapë të rihapej vetëm fakulteti i xehetarisë, por kujt i duhet xehetaria sot, në kohën e Facebookut e Twitterit! Edhe fermerët tanë po i mbyllin fermat reale e po e hapin llogarinë e tyre ne “Farmwille”! Kanë kohë, se tash punojnë në Qeveri!

Universiteti publik në jug, me shpresë se do të unifikohet me atë tjetrin, në veri, po aq publik, do të jetë edhe një burim jetese nga buxheti. Por, ky është lezeti i lirisë! Ke nevojë për punë? Hap vende të reja pune nga buxheti! Për krejt akrabanë! Për inati të….!

Gjithsesi, do të jetë e vështirë për t’u përzgjedhur emri i universitetit! Patriotët gjithsesi do të insistojnë që universiteti të marr emrin e atdhetarit Isë Boletini! Ani çka se ai ishte analfabet?! Pse, pak profesor universiteti janë (gjysmë)analfabet? Kryesorja, janë me qeverinë! Nuk i nguc kush! Pra, Isë Boletini në Mitrovicë, e në Prishtinë Hasan Prishtina! Le të dalë dikush të kritikojë!

Por, emri nuk pranohet! Kjo do të shuante shpresat për një universitet unik për studentët në jug dhe në veri të Mitrovicës. Sepse, veriu dhe jugu i Mitrovicës nuk pajtohen rreth konceptit të patriotizmit! Në veri, patriotizëm do të thotë: Serbi! E në jug: nuk di! Disa thonë Shqipëri! Disa…! Nejse, propozimi im është që universiteti ynë në Mitrovicë të quhet “Potemkin”! Besoj se serbët do e pranojnë si emër, sepse është emër rus, e shqiptarët do e pranojnë si kompromis. Kryeministri ynë nuk e bënë kiametin për “cikërrima” si identiteti! Edhe bashkësia ndërkombëtare do ta pranojë! Si edhe më parë! E duan Potemkinin!

Sidoqoftë, në kohët e zgjedhjeve, në Mitrovicë ka gjallëri! Universiteti do të krijojë kuadro për të vetmin biznes të suksesshëm ndër ne! Për politikë! Profesorët, stafi administrativ dhe gjithsesi studentët, nuk do të kenë dilema për kë të votojnë! Ngjashëm do të jetë në Prizren, Gjilan, Pejë, Gjakovë, Skenderaj, Deçan! Podujevë, Revuqë, Llaushë… Llazarat!!! Në disa prej këtyre lokaliteteve qeveria (s)premtoi veç paralele të ndara!

Aktorët tanë, lakuriq! Ju, mos e merrni shumë seriozisht! Fundja, veç zgjedhje lokale janë! Disa thonë se kutitë tashmë janë mbushur tashmë. Populli duhet me dalë në votime, për shkak të kamerave! Prapë, “Potemkini”!

Përndryshe, ky model mund të jetë interesant edhe për kokën tjetër të shqiponjës! Pse të mos hapet një universitet edhe në Llazarat , për shembull? Po e dini për çka?

E, Potemkini? Si të gjitha legjendat, thuhet që edhe legjenda për Potemkinin është paksa e ekzagjeruar! Edhe ne… pak e i rrisim gjërat! E ka kuptuar, Evropa!