LAJMI I FUNDIT:

Trepça’89 fillon me largime

Trepça’89 fillon me largime

Trepça’89 ka filluar të pastrojë radhët e veta, pas një fillimi zhgënjyes të sezonit të ri. Trepça’89 së bashku me Prishtinën ishin befasitë më të pakëndshme të stinorit vjeshtor në elitën e futbollit kosovar, edhe pse pritej të jenë në ballë të renditjes, nuk kanë zënë vend as në mesin e katër skuadrave më të mira në Superligë.

“Minatorët” nuk ishin as hija e skuadrës që mëton titullin dhe trofeun e kupës. Përveç kampionatit, Trepça’89 ka zhgënjyer edhe në garat e Kupës së Kosovës pasi është eliminuar që në rrethin e parë nga 2 Korriku i Prishtinës. Kjo ka bërë që ekipi mitrovicas të shfrytëzojë pushimin dimëror dhe të fillojë shpëtimin e asaj se çka mund të shpëtohet në pjesën e dytë të Superligës. Drejtuesit e kësaj skuadre dje kanë mbajtur mbledhje ku ka qenë të pranishëm edhe kryetrajneri Fahredin Duraku. Pasi është analizuar gjendja në klub dhe të arriturat në vjeshtë, të cilat për të gjithë janë dëshpëruese, kryesia ka vendosur që të mendojë më gjatë për të ardhmen e klubit dhe menjëherë të fillojë me ndryshime.

“Skuadra në pranverë synon të arrijë njërën nga katër pozitat e para në Superligë dhe për këtë arsye kemi vendosur të fillojmë me ndryshime”, tha drejtori i ri, Veton Çitaku. Ndryshimet kanë filluar me largime spektakolare, derisa do të vazhdohen me prurje të reja. Trepça’89 pa kurrfarë paralajmërimi ka vendosur të mos e vazhdoj bashkëpunimin me disa nga lojtarë kyçë dhe më me përvojë në futbollin kosovar. Kështu pjesë e ekipit nuk do të jenë Shpëtim Babaj, Kastriot Rexha, Shemsi Osmani dhe Suad Saliagiq. Në veçanti është befasues largimi i sulmuesit Rexha, i cili në vjeshtë ka shënuar 8 gola, pas ardhjes nga Vllaznia e Shkodrës.

“Unë nuk kam pasur fare kontratë me Trepçën ’89, por kam pasur marrëveshje gojore. Askush nuk më ka lajmëruar asgjë për largimin tim”, tha Rexha. Për largimin e tij nuk është lajmëruar as mesfushori Osmani. “Nuk di çka të them, mua askush nuk më ka lajmëruar se nuk do të jem më pjesë e Trepçës‘89. Fundja është problem i tyre nëse duan ta shkëpusin kontratën. Unë kam kontratë edhe 6 muaj me Trepçën‘89”, tha Osmani.


Ndërkohë tashmë janë larguar Saliagiq dhe Babaj, në anën tjetër pritet kthimi i Ibrahim Pecit nga Finlanda dhe angazhimi i një futbollist të ri boshnjak nga Rozhaja, i cili luan në futbollin e Malit të Zi. Ekipi mitrovicas pritet ti filloj përgatitjet për pjesën e dytë të garave kampionale më 5 janar të vitit të ardhshëm, kur edhe është paraparë takimi i parë me futbollistët. /Zëri/Telegrafi/