LAJMI I FUNDIT:

Tirana mbushë 91 vjeç

Tirana mbushë 91 vjeç

Tirana mbush plot 91 vjet që nga dita kur mori statusin e kryeqytetit të Shqipërisë, me një vendim të Kongresit të Lushnjës në vitin 1920. Me këtë vendim Tirana mori rolin parësor në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit, gjë që çoi në një zhvillim të madh të qytetit.

Megjithatë, duket se jo të gjitha ndryshimet konsiderohen pozitive për ata që e kanë njohur Tiranën prej dekadash të tëra. “Unë jam i moshuar dhe Tiranën e kam njohur në përmasat e një qyteti të thjeshtë. Ndërsa tani Tirana bashkë me rrethinat e saj shkon në një milion banorë. Është një qendër politike, ekonomie dhe kulturore e rëndësishme për të gjithë vendin. Është një metropol i vërtetë, por ndër vite ndryshimet që ka pësuar janë edhe negative, si zhdukja e gjelbërimit për shembull. Tiranë ka një betonizim shumë të madh dhe janë zhdukur të gjitha ambientet çlodhëse që kishte dikur si lulishtet, këndet
sportive për fëmijë e të rinj”, tha për Gazetën Shqiptare Seit Tafaj, anëtar i Kryesisë së shoqatës Tirana.

Ai shtoi se ky fakt përbën një mangësi shumë të madhe për Tiranën, pasi një metropol nuk matet vetëm nga pallatet shumëkatëshe. Ndonëse statusin e kryeqytetit Tirana e ka marrë më 1920, qyteti është themeluar në vitin 1614 nga Sulejman Pashë Mulleti.

“Fillimisht ka pasur vetëm një xhami, aty ku sot është ‘Ushtari i Panjohur’, një han, një pus dhe një furrë,” përshkruan Tafaj, ndërsa shton se “Tirana ka një pozicion shumë të mirë dhe të bukur me kufizimin e Dajtit mbi kokë dhe zonat e ulëta si Mulleti, Farka
e Kashari.


Një tjetër problem që vëren Tafaj është humbja e identitetit të qytetit, duke nisur që nga qendra, një nga pikat kyçe të Tiranës. “Qendra e Tiranës duhet të ketë një perspektivë. Aty ka muaj të tërë që punohet, por asnjë qytetar nuk e di se çfarë do të bëhet realisht. Duhet që qendra e Tiranës të ruajë vlerat e saj historike dhe kulturore”, tha Tafaj. /Telegrafi/