Presidenti i zgjedhur Hashim Thaçi ka dhënë një intervistë për gazetën shqiptare DITA, kur flet për të shkuarën dhe se si do të jetë presidenca e tij për Kosovën, thotë se “Kosova do bëhet edhe pa ne, por që ne të jemi dhe Kosova jo, kjo nuk bëhet”.
Thënia e dikurshme e të riut Hashim Thaçi, atëherë në vitin 1998, përthyhet në realitetin e ri të Kosovës. Ku për shtetin e ri prioritetet dhe emergjencat janë të tjera. Dhe aq të ethshme e të ngarkuara, saqë shpeshherë harrohet, ose nuk bie në sy rruga e gjatë që është përshkuar që nga ajo kohë.
Tashmë kriza politike, ngërçi ekonomik, problematikat e tjera siç është trazimi përmes të cilit Hashim Thaçi u votua në parlament si presidenti i ri i vendit, janë në plan të parë. Për të djeshmen, të tashmen dhe të ardhmen, përgjigjet në këtë intervistë presidenti i Kosovës që e merr detyrën së shpejti.
Zoti Thaçi, zgjedhja juaj në postin e presidentit të ri të Kosovës, ishte në fakt një kronikë e paralajmëruar nga Ju. Ju uroj dhe dëshiroj mbarësi në të gjithë punën tuaj te mëtejshme. Por, ndërsa jo të paktë ishin ata që besonin se do të kishte një përfundim të tillë, ju ishit i qetë dhe kurajoz. Edhe në sallën e parlamentit ishit nga të paktët që ruajtët qetësinë dhe sigurinë. Në të vërtetë, për ata që ju kanë njohur prej vitesh, kjo është një karakteristikë juaja. Por, për tej saj, njerëzit duan të dinë se ku mbështetej qetësia juaj?
Thaçi: Së pari qetësia ime gjatë procesit të zgjedhjes në parlament mbështetej tek bindja se kandidatura ime për president gëzonte një shumicë dërrmuese në kuvend, duke krijuar maksimumin e konsensusit për votën e dhënë. Po ashtu isha i sigurt për qëndrueshmërinë e koalicionit tonë me LDK-në si një koalicion i ndërtuar për të çuar përpara nisma dhe procese të rëndësishme të vendit tonë. Nga ana tjetër, unë isha i qetë edhe pse e dija që ne ishim në rrugën e duhur, në rrugën e respektimit të plotë të kushtetutës dhe demokracisë, duke ndjekur me përpikëri procedurat ligjore dhe duke materializuar vullnetin politik të popullit, të shprehur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014.
Në këtë rrugë ne kemi pasur prapa jo vetëm shumicën e cilësuar prej mbi dy të tretave të deputetëve, që legjitimuan seancën, por edhe të faktorit ndërkombëtar, që gjithnjë i është gjetur pranë Kosovës në ditë të vështira. Sikurse e tha edhe ambasadori amerikan, kriza e Kosovës është një ngërç artificial, i sajuar, dhe ne e kishim për detyrë që të qëndronim të vetëpërmbajtur duke ndjekur rrugën institucionale në sigurimin e vazhdimësisë të institucioneve demokratike të Kosovës sikurse është presidenti.
Shumë vite më parë, në dhjetor të vitit 1998, jemi takuar në kufirin mes Zvicrës dhe Gjermanisë dhe kemi pasur një bisedë të gjatë. Pas ndarjes me Ju, kam shënuar në bllokun tim edhe një thënie tuajën se, edhe nëse “Kosova bëhet pa ne, kjo nuk prish asgjë, por që Kosova të mos bëhet dhe ne të vazhdojmë si deri më tash, kjo nuk është zgjidhje”. Tani jeni Presidenti i ri i Kosovës. Mendoni se ëndrra juaj, për Kosovën, si shtet dhe njerëzit e saj, do të çohet më tej nga vetë ju?
Thaçi: Edhe mua më kujtohet shumë mirë se në ato kohë të vështira kishte shumë që nuk besonin që ëndrra jonë për liri e pavarësi do të bëhej realitet. Përpara nesh kishim sfida e pengesa kolosale, por unë kam qenë i bindur se ideali ynë i lartë dhe dashuria e popullit tonë për lirinë do mundësonte kapërcimin e tyre. Ideali ynë ishte aq i kulluar dhe lufta jonë aq e drejtë sa bëri për vete dhe fitoi mbështetjen e gjithë botës së lirë e demokratike. Po bëhen 18 vite nga ajo bisede dhe Kosova ka ecur një rrugë të gjatë prej asaj kohe. Hallet e trashëguara, problemet e sotshme dhe sfidat e ardhshme na kanë bërë disi të pamundur që të reflektojmë mbi këto vite dhe të vetëdijesohemi se sa rrugë të gjatë kemi ecur përpara në kaq pak vite.
Ne tanimë e kemi fituar lirinë duke e çliruar vendin kemi shpallur pavarësinë, kemi kompletuar shtet-ndërtimin dhe rrumbullakuar sovranitetin territorial, dhe po përballemi me sfida të reja të një natyre krejt tjetër. Sot kemi përmbushur të drejtat civile e politike të popullit tonë dhe na ngelet të përmbushin aspiratat social-ekonomike si dhe integrimin Euro-Atlantik. Unë besoj në përvojën time politike dhe për dy dekada jam pajisur mjaftueshëm me sprova, njohuri, përvoja dhe kontakte personale për t’u përballur me sukses edhe me sfidat e reja të shtetit tonë.
Zgjedhja juaj si president kishte dy pamje: nga njëra anë opozita që ishte thellësisht kundër, dhe nga ana tjetër, mbështetësit tuaj që ishin thellësisht pro zgjedhjes suaj. A është kaq e ndarë edhe shoqëria e Kosovës, apo ajo që shfaqet në parlament është ana e jashtme e dëshirës për pushtet?
Thaçi: Unë mendoj se shoqëria e Kosovës ka një kohezion të fortë social dhe frymë të madhe solidariteti dhe është shumë e bashkuar sidomos kur bëhet fjalë për sistemin tonë liberal demokratik të qeverisjes, për aspiratën tonë që të ndërtojmë një shtet të mbështetur në sundimin e ligjit dhe respektimin e kushtetutës si dhe për të orientuar vendin tonë drejt komunitetit Euro-Atlantik. Për këto pika thelbësore nuk kam më të voglin dyshim që populli ynë është tejet i bashkuar dhe unë jam i sigurt që procesi i zgjedhjes sime si president ka qenë legal dhe legjitim dhe shkon konform këtyre parimeve që populli ynë ka përqafuar. Prandaj, pavarësisht akteve ekstreme të cilat i kanë bërë nga disa aktorë të opozitës, unë mund t’ju them se kam marrë shumë urime personale edhe nga shumë përfaqësues opozitarë.
Përpos kësaj, na duhet ta kuptojmë që tensionet e kohëve të fundit janë kalimtare dhe i kanë përjetuar edhe vende të tjera që kanë qenë në këtë fazë ku jemi ne tani, në atë të tranzicionit demokratik. Na duhet ende kohë sa të konsolidohet siç duhet kultura demokratike.
Presidenti duhet të jetë faktor unifikues, kjo është në të gjitha kushtetutat e botës. Edhe në Kosovë. Megjithëse deri më tani jeni politikani më i votuar në Kosovë, me diferencë të ndjeshme, duhet thënë se të tre liderët e opozitës së bashku, kanë më pak se ju dhe teprojnë disa mijëra vota, si do të dilni mbi mendësinë e krijuar dhe do të jeni vërtet faktor uniteti? A është e mundur kjo, apo opozita nuk gabon?
Thaçi: Të gjitha kushtetutat e botës demokratike e konsiderojnë presidentin mbrojtës të kushtetutës dhe rendit demokratik, dhe, kjo do të jetë përgjegjësia dhe roli im kryesor institucional. Këtë detyrë ju siguroj që do vazhdoj ta kryej me përkushtim dhe pa u lëkundur ndaj çfarëdo kërcënimi të brendshëm apo të jashtëm që i paraqitet rendit tonë demokratik e kushtetues. Padyshim, do bëj çmos që të jem një faktor uniteti në vend duke u përpjekur që të kultivoj dialogun, mirëkuptimin, tolerancën dhe solidaritetin brenda popullit tonë.
Është përgjegjësi e presidenti të republikës që të punojë për bashkëjetesën e të gjitha komuniteteve etnike në vend si dhe për harmoninë ndër-fetare dhe fuqizimin e tyre. Që në ditët e para do përpiqem që të ndërtoj ura komunikimi mes palëve të ndryshme politike në vend dhe në politikën kosovare të nxis një klimë sa më bashkëpunuese. Po ashtu do angazhohem maksimalisht që të dëgjohen zërat dhe përmbushen interesat e grupeve të margjinalizuara apo cenueshme të vendit si grave, fëmijëve, të moshuarve etj. Jam i gatshëm të pres opozitën ne çdo kohë, që e mendojnë se është e nevojshme të involvohet Zyra e Presidentit. Do të jem në shërbim të të gjithëve, pa dallim.
Si do të jetë dita juaj e parë e punës si President?
Thaçi: Pas një përvoje të gjatë në jetën partiake, legjislative dhe dy mandate në krye te ekzekutivit të Kosovës, vazhdimi i angazhimit tim publik si president është një hap logjik dhe normal në karrierën time politike. Nuk di të them konkretisht se çfarë do të bëj në ditën e parë por di të them me siguri që do të jetë ditë shumë e ngarkuar.
Kohët e fundit, para zgjedhjes suaj si president i Kosovës, ka pasur reagime të ndryshme, të cilat lidhen me dy anë parësore: me ata që ishin e vazhdojnë të jenë kundër koalicionit qeverisës me LDK-në, sidomos me Isa Mustafën, dhe këto janë përgjithësisht njerëz me të cilët ju keni bashkëpunuar, por ndjehet edhe një ringritje politike e një detashmenti, i cili, deri më tani, është njohur si mendimi politik i lobit serb në Prishtinë. Disa janë intelektualë, të tjerë ish funksionarë etj. Është rastësi, apo mendoni se ka një tërheqje drejt një qëllimi: Rrëzimin e kandidaturës suaj?
Thaçi: Fatkeqësisht shqiptarët shpesh përqendrohen tek emrat e përveçëm dhe neglizhojnë rëndësinë vendimtare që kanë idetë, proceset dhe institucionet në vend. Unë e kuptoj mirë garën politike dhe mllefet që vijnë prej rivalitetit politik por kjo nuk justifikon disa prej veprimeve që kemi parë. Gjithsesi ne jemi në sistem demokratik dhe dhuna është e patolerueshme. Cenimi i proceseve demokratike, sulmet e dhunshme ndaj institucioneve shtetërore, mbjellja e përçarjes dhe armiqësisë brenda vendit, përpjekja për të ndaluar vazhdueshmërinë e institucioneve kryesore kushtetuese mund t’i interesojnë ndonjë aktori politik në Kosovë, por më së shumti këto zhvillime u interesojnë armiqve tradicionalë të Kosovës të cilën projektin e shtetit tonë duan ta nxjerrin si projekt të dështuar. Unë jam i sigurt që këto dëshira dashakeqe nuk kanë për t’u realizuar dhe i siguroj të gjithë që institucionet tona demokratike kanë për të dalë më të sprovuara dhe të motivuara pas ballafaqimit me këto sfida.
Të jem më direkt: disa nga kritikët tuaj të sotëm, si Limaj apo Krasniqi, kanë qenë ndër figurat më të njohura brenda strukturës suaj. Në fakt, ju keni qenë shkaku kryesor i thirrjes së tyre. Pse ndodhi ndarja, shkaqe madhore, vizione të ndryshme?
Thaçi: Unë u jam të dyve mirënjohës për kontributet që kanë dhënë. Largimi i tyre është zgjedhje personale dhe unë nuk mund të them gjë tjetër përveçse të respektoj këtë vendim që kanë marrë.
Në të vërtetë ju jo rrallë herë jeni përpjekur të tërhiqni pranë vetes njerëz të cilët, edhe pse nuk kanë besuar aq fort në vizionin tuaj, përsëri nuk janë mënjanuar. Të sjell një shembull: Jemi takuar në Bruksel, kur do të formonit qeverinë e përkohshme të Kosovës.
Më thatë se mendonit që postin e ministrit të drejtësisë t’ia afronit njërit nga ish drejtuesit e LPK-së, që ishte tashmë gjysmë kundërshtar i juaji. Ka gjetur gjithnjë mirëkuptim vizioni juaj për afrimin e njerëzve të aftë apo gjetjet kanë qenë të rastësishme?
Thaçi: Unë kam besuar gjithmonë në parimin “të bashkuar në diversitet” dhe e kam parë konkurrencën e brendshme dhe pluralizmin e mendimit brenda partisë jo si barrë por si aset. Për sa kohë jemi të palëkundur për idealet dhe qëllimet kryesore politike dhe pajtohemi në vija të trasha për mjetet dhe çështjet kryesor,e për mua bashkëpunimi është më se i mundur. Unë kësaj qasjeje ia dedikoj një pjese të mirë të suksesit tim në të gjitha garat elektorale të dekadës së fundit. Por edhe duhet pasur parasysh edhe një fakt: Kosova është një vend tepër i vogël me burime cilësore njerëzore të kufizuara dhe kur ke përgjegjësi shtetërore është e domosdoshme që të tejkalosh divergjencat e së kaluarës për hir të një të ardhme më të mirë.
Kosova gjendet para një precedenti juridik e politik njëkohësisht: Gjykata Speciale, e cila u ngrit mbi bazën e dokumentit të një ish senatori zviceran; Dick Marty. Funksionarë të lartë ndërkombëtarë kanë përsëritur se askush nuk ka imunitet, cilido të jetë posti i tij? Ju, si prisni fillimin e punës së këtij institucioni, që praktikohet për herë të parë në historinë e politikës ndërkombëtare?
Thaçi: Fillimi i punës së kësaj gjykate ka për të qenë shumë i vështirë, ashtu sikurse ka qenë edhe miratimi i saj. Ne na është dashur që ta kapërdijmë këtë gjykatë që praktikohet për herë të parë në këtë model, sepse kemi dashur të heqim njëherë e mirë njollën e padrejtë që janë përpjekur t’i vëne luftës sonë dhe sepse kemi dashur të ruajmë partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë perëndimorë. Unë besoj se akuzat do të bien sikurse ranë ato që u bënë në Hagë, sepse jam i bindur që populli ynë ka zhvilluar një luftë të drejtë dhe të ndershme.
Në ditët e para të pasluftës, kur sapo ishte vendosur Qeveria e Përkohshme e Kosovës, ju bëtë një thirrje, e cila atëherë shqetësoi mendjet e shumë vetëve: iu bëtë thirrje serbëve që të mos ikin nga Kosova, pasi, sido që të jetë, ky është edhe vendi i tyre. Kam qenë në Kosovë ato ditë dhe e di reagimin që ngjalli kjo thirrje: si ishte e mundur që drejtori politik i UÇK-së u bën thirrje serbëve të mos ikin? Akuzat më të mëdha për ju janë përgatitur pikërisht nga institucionet serbe. Personalisht jam i bindur se si ka ndodhur, por, njerëzit duan të dinë: janë bërë krime nga UÇK-ja në kohën e luftës apo e gjithë kjo është vazhdim i luftës në kushtet e paqes?
Thaçi: Tradita e lëvizjes sonë kombëtare që trashëgojmë prej rilindësve, është mbështetur në një patriotizëm modern që kultivonte dashurinë për veten tonë e jo urrejtjen për tjetrin. Lufta jonë për liri e pavarësi nuk është një reagim apo imitim i shovinizmit serb, por është një vazhdimësi, është një flakë e pashuar për liri. është ndezur që në Lidhjen e Prizrenit.
Nëse lexoni programin e përgjithshëm të kryengritjes në Kosovë të vitit 1919 të përgatitur nga komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, pothuaj çereku i 16 pikave u dedikohej udhëzimeve ndaj kryengritësve për t’u përkujdesur e respektuar civilët e etnive të tjera gjatë kryengritjes. Ne kurrsesi nuk do të biem në nivelin e ulët të veprimeve ultra-nacionaliste serbe sepse kemi një identitet dhe karakter tonë, kemi një epërsi morale të shquar përballë tyre. Nuk është rastësi që në luftën tonë na u bënë mbështetës vendet më demokratike të botës. E kjo falë epërsisë sonë morale dhe luftës sonë të drejtë i bëmë për vete këta aleatë.
Le ta lëmë Gjykatën Speciale e të kthehemi në Kosovë. Jeni përsëri mes dy palëve: ndërkombëtarët që ju mbështesin për relacionin ndërshtetëror Kosovë-Serbi, dhe opozita brenda që ju kritikon ashpër pikërisht për këtë. Dy anë të një medaljeje. Mendimi juaj: Demarkacioni me Malin e Zi dhe, ajo që opozita e quan “Zajednica,” janë shkaqet e vërteta të atyre që po ndodhin në Parlamentin e Kosovës? A mund të ketë një zgjidhje të minutës së fundit? Si mund të ishte ajo? Çfarë mund të bënte më tej qeveria e Kosovës dhe Ju, si presidenti i ri i Kosovës?
Thaçi: Të dy këto çështje kanë gjetur zgjidhje institucionale. Unë jam prononcuar qartë shumë herë dhe nuk vlen t’i rikthehemi me hollësi specifikisht të dyjave. Megjithatë vlen të përmenden dy elemente të rëndësishme. Së pari, mospajtime në demokraci ka pasur, ka dhe do të ketë dhe është mirë që ndodh kështu. Ne e kemi hedhur tutje sistemin monist ku të gjithë i viheshin rresht partisë komuniste e nuk lejohej kush të mendonte a fliste ndryshe dhe i përkasim sistemit të liberal-demokracisë ku pluralizmi është shtyllë e sistemit. Kështu që çështja nuk shtrohet a ka papajtueshmëri se papajtueshmëritë janë të natyrshme.
Çështja është si do adresohen papajtueshmëritë? të pranojmë se populli e ka thënë vetë fjalën e vetë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014. Mirëpo në vitin 2014 populli më dha madje një votëbesim të plotë. Ajo që duhet të bëjmë në të ardhmen është që të vazhdojmë në rrugën institucionale dhe të përpiqemi që të sigurojmë transparencën maksimale dhe mirëkuptimin publik në çdo hap që bëjmë. Po ashtu duhet që të punojmë më shumë në rritjen e kulturës politike dhe edukatës qytetare në Kosovë sidomos në sistemin arsimor, në mënyrë që gjithnjë e më pak të rinj të bëhen pre e thirrjeve për dhunë e vandalizëm. E kam bashkuar politikën kosovare në Rambuje gjatë luftës e fituam lirinë, pas fitores së zgjedhjeve nacionale i afrova të gjithë aktorët politikë dhe shpallë pavarësinë, edhe tash jam i bindur këto dallime të paqena do të tejkalohen dhe bashkërisht do ta fusim Kosovën në NATO dhe Bashkim Evropian. /Gazeta DITA/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë
Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it
Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje