Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një intervistë për Lajmi.net ka folur kryekëput vetëm për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Thaçi thotë se Kosova nuk humb tokë nga shënjimi i kufirit dhe se Kuvendi duhet të ratifikojë marrëveshjen në mënyrë që ta përmbush edhe një kriter të rëndësishëm të fuqizimit të shtetësisë.
Ai thotë se i vjen keq që publiku është dizinformuar rregullisht me gjithfarë numrash që janë pretenduar si punime shkencore.
“Vetë liderët e opozitës njëherë flisnin për 12000 hektarë, njëherë për 8000, pastaj për 10000 hektarë e tani për 6000. Madje ka ndodhur situata qesharake ku brenda të njëjtës ditë përfaqësues të të njëjtës parti të përdornin shifra ndryshe nga njëri tjetri”, thekson Thaçi.
Pse ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion u bë tash kriter për liberalizimin e vizave për kosovarët, kur ka shumë shtete brenda BE-së që kanë marrëveshje për kufij, por ende nuk i kanë ratifikuar në parlamentet e tyre? Pse është e nevojshme që Kosova ta jetësojë këtë marrëveshje apo të dëshmojë se qëndron prapa marrëveshjeve ndërshtetërore, kurse për shumë shtete të tjera të BE-së, nuk ka qenë dhe vazhdon të mos jetë i nevojshëm ratifikimi i marrëveshjeve të tyre kufitare?
Thaçi: Është e vërtetë që Kosova po ballafaqohet me kritere më të shumta dhe standarde më të vështira për të përmbushursesa vende të tjera fqinje në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe liberalizimit mirëpo kjo nuk është për shkak të Kosovës por është pasojë e momentit dhe rrethanave historike. Kosova po paguan në njëfarë mënyre koston e përvojave të hidhura që Bashkimi Evropian ka pasur me vende të tjera të cilat kanë kaluar në të njëjtat procese që po kalon Kosova sot. Përvoja me këto vende të Evropës Lindore ka treguar shpesh se kriteret mëparshme nuk kanë qenë të mjaftueshme, të plota apo solide e prandaj për Brukseli ka vendosur që t’i shtojë ato për të ulur riskun e dështimit nga vendet e tjera.Pra për të njëjtin proces Bashkimi Evropian është bërë më i kujdesshëm dhe më rigoroz sesa ka qenë me parë. Duhet kuptuar nga të gjithë ne se Bashkimi Evropian është një institucion që ka ndryshuar dhe evoluar vazhdimisht në varësi të përvojës dhe nevojave të kohës. Anëtarësimi në BE i vendeve mesdhetare të dala nga diktatura në vitet 70-të si Spanja, Portugalia dhe Greqia ka qenë shumë më i lehtë se anëtarësimi i Polonisë, Hungarisë, Çekisë, Sllovakisë, Sllovenisë dhe Republikave Baltike në 2004 dhe kështu eme radhë.Rrjedhimisht, anëtarësimi ynë ka për të qenë shumë më vështirë dhe i komplikuar sesa i Kroacisë para 3 vitesh. Pra kjo është në njëfarë mënyre traditë e zgjerimit të BE-së dhe nuk duhet trajtuar si një trajtim të posaçëm ndaj Kosovës.
Po të kishim pasur fatin e mirë që të nisnim më herët procesin e integrimit evropian si fqinjët tanë padyshim që do ishim goxha më përpara, mirëpo ne patëm sfida të tjera, pavarësinë e siguruam vetëm në vitin 2008 pra një vit pasi fqinjët tanë Rumania dhe Bullgaria ishin bërë tashmë anëtare të BE-së. Po ashtu ne mundëm të hapnim perspektivën evropiane të Kosovës vetëm pasi nisëm dialogun teknik në Bruksel pesë vite më parë, pra vështirë se mund të krahasohemi me mundësitë që kanë pasur fqinjët tanë për integrim. Nga ana tjetër duhet thënë gjithashtu se kriteret e BE-së edhe pse mund të jenë më të rënda sesa i kanë pasur shtetet e tjera, gjithsesi ato janë në të mirë të Kosovës e sa më shpejt t’i përmbushim aq më shpejtë konsolidojmë shtetin tonë dhe zhvillojmë demokracinë, ekonominë dhe sundimin e ligjit.
Lajmi.net: Është thënë se Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë tokë, por pas pretendimeve kryesisht nga ndërkombëtarët se më 2007 janë dërguar koordinatat e kufijve të ri që kanë përgatitë shpalljen e pavarësisë së Kosovës në “Eurogeographics”, kur Mali i Zi kishte dërguar koordinatat për territorin e vet, jo më 2007, por më 2013, kishte 6600 hektarë më pak se sa që ka tash. Si është e mundur që me këtë demarkacion, Mali i Zi tash ka më shumë tokë?
Thaçi: Unë jam Presidenti i Republikës së Kosovës fokusohem dhe sigurohem për integritetin territorial të Kosovës e jo të Malit të Zi. Ky shtet mik fqinj së fundmi ka përmbyllur një proces të demarkimit me Bosnje Hercegovinën ku për ca kohë patën një problem me zonën e Sutorinës dhe ende ka një kontest kufitar ndërkombëtar me Kroacinë për gadishullin e Prevlakës në hyrje të grykës së Kotorit kështu që nuk mund të them se sa lidhet ky fakt me temën tonë.
Mua më vjen keq që publiku është dizinformuar rregullisht me gjithfarë numrash që janë pretenduar si punime shkencore. Vetë liderët e opozitës njëherë flisnin për 12000 hektarë, njëherë për 8000, pastaj për 10000 hektarë e tani për 6000. Madje ka ndodhur situata qesharake ku brenda të njëjtës ditë përfaqësues të të njëjtës parti të përdornin shifra ndryshe nga njëri tjetri.
Unë di t’ju them se kufiri ndër-shtetëror përputhet me kufijtë administrativ të komunave kufitare kosovare të Junikut, Deçanit, Pejës dhe Istogut sikurse edhe me ato të Malit të Zi të Plavës, Beranës dhe Rozhajës. Asnjë komunë nuk thotë se i është cenuar territori. Konkretisht pas demarkacionit Komuna e Pejës ku edhe opozita pretendon për parregullsi, vazhdon të ketë 602.18 km2 sikurse i ka pasur në vitet 1974 dhe 1988. Hartat e kadastrave janë më të detajuarat dhe më të saktat e mundshme duke qenë edhe se interesi pronësor i tyre i bën autoritetet dhe publikun veçanërisht të kujdesshme ndaj tyre. Këto harta kadastrale janë 18 në zonën kufitare të Kosovës dhe 10 në atë të Malit të Zi dhe përputhen plotësisht me kufirin shtetëror duke mos lënë asnjë copë toke të paqartë. Pra me demarkacionin është siguruar një përputhje e plotë mes kufirit të parcelës kadastrale me kufirin e zonës kadastrale, me kufirin e komunës administrative dhe në final me kufirin shtetëror.
Mirëpo duhet edhe të kemi kujdes e të kuptojmë se pretendimet e pabaza për procesin e shënjimit, janë në fakt pretendime territoriale ndaj shtetit fqinj, gjë që cenon drejtpërdrejtë imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Shteti ynë po përpiqet të integrohet në komunitetin ndërkombëtar duke dëshmuar se është një shtet paqedashës që kultivon fqinjësi të mirë dhe respekton të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve të tjera. Shfaqja e pretendimeve territoriale të paqena apo që lidhen me padrejtësitë historike, e dëmtojnë rëndë vendin tonë, pasi armiqtë e Kosovës do kenë një argument më shumë për ta njollosur shtetin tonë të ri duke na akuzuar si burim konfliktesh dhe destabiliteti me tendenca ekspansioniste.
Pse e tërë marrëveshja me Malin e Zi është bazuar vetëm në regjistrat kadastralë, kurse bazuar në të drejtën ndërkombëtare, kadastra nuk është kriter për demarkimin e kufijve? Në opinion kanë qarkulluar harta të instituteve prestigjioze, që me matje profesionale të ekspertëve kontestohet seriozisht saktësia e shënjimit të këtij kufiri, derisa ka shumë banorë që kanë deklaruar se po i humbin tokat e tyre.
Thaçi: Unë e kam dëgjuar shpesh këtë pretendim të rremë dhe të pabazë që dëshmon në rastin më të mirë për mungesën e ekspertizës dhe në rastin më të keq për pandershmërinë të motivuar nga interesat politikë të individëve që kanë folur kështu për këtëçështje. Përdorimi i regjistrave të kadastrave prej komisioneve ndër-shtetëror në demarkimin e kufijve është një praktikë shumë e përhapur nëpër botë. Mjafton të shikohen shtetet fqinje, marrëveshja e nënshkruar prej Kroacisë dhe Bosnje Hercegovinës në vitin 1999 kishte ardhur kryesisht si rezultat i analizës së regjistrave kadastralë të pronësisë së tokës përveçse të hartave të tjera; dhe po ashtu për bazë kryesore kadastrat janë përdorur në marrëveshjen mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës Federale të Jugosllavisë në 2001. Shënjimi i kufirit tonë me Maqedoninë gjashtë vite më parëështë mbështetur gjithashtu kryesisht në regjistrat kadastral. Edhe po të shihet në vende të tjera që kanë dalë nga federata shumëkombëshe si Jugosllavia, del qartë se kadastrat përdoren dendur në shënjimin e kufirit. Për shembull procesi i demarkimit mes Ukrainës dhe Moldavisë është duke iu afruar fundit në këtë periudhë dhe nëshënjimin e pothuaj 1000 kilometra kufi tokësor mes këtyre dy shteteve që kanë pasur tensione të shumta në të kaluarën, regjistrat kadastral kanë luajtur një rol kyç.
Përpos kësaj nuk ka qoftë një banor të vetëm që të dalë e të thotë se qoftë edhe një metër katrorë tokë e tij, e cila është administruar deri tani në Kosovë, ka kaluar në Mal të Zi me demarkacionin. Procesi është kryer nga komisioni jo vetëm në mënyrë profesionale por edhe në mënyrë shumë transparente pasi përveç takimeve bilaterale me komisionin malazez, dhe takime trelaterale që kanë përfshirë edhe Republikën e Shqipërisë janë mbajtur edhe takime në terren me qytetarë të zonës kufitare apo palë të tjera të interesuara dhe për të gjitha këto takime ka proces verbale. Takime janë mbajtur edhe me kryetarët e komunave kufitare dhe gjithashtu komisioni ka bërë një prezantim informues edhe para asamblistëve të komunës së Pejës dhe nuk kanë hasur në kontestime. Një pjesë e mirë e deputetëve të opozitës së sotshme kanë votuar në vitin 2012 ligjin për Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nëmura në të cilën përfshihet një hartë që e përcakton kufirin sikurse e ka nxjerrë edhe komisioni. Pra të njëjtit deputetë e kanë aprovuar atë vijë kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi të cilën sot janë duke e kontestuar.
Janë ngritur zëra qytetarësh vetëm pasi kjo çështje u shndërrua në kauzë partiake dhe opozita investoi pafund energji, retorikë e madje edhe dhunë për të helmuar opinionin publik me keqkuptime dhe manipulime. Këtu përfitoj nga rasti për të adresuar keqkuptimin kryesor që është masivizuar në publik sepse procesi nuk kishte bënte me negocim të përcaktimit të kufijve mes dy palëve po për shënjim të kufijve ekzistues tashmë të mirë përcaktuar që në vitin 1974 por që nuk ishin të shënjuar sepse asokohe Krahina Socialiste Autonome e Kosovës dhe Republika e Malit të Zi ishin pjesë e të njëjtit shtet. Prandaj ky komision nuk ka pasur për qëllim të vendos në vend padrejtësitë historike të bëra në kurriz të popullit por të shënjoje në terren një kufi të delimituar kohë më parë e të pranuar tashmë ligjërisht si bazë e shtetit të Republikës së Kosovës.
Pra kufiri i shënjuar prej komisionit është i njëjti kufi i mbështetur në kushtetutën jugosllave të 1974 në bazë të të cilit Kosova është njohur ndërkombëtarisht nga 112 shtete, është anëtarësuar në dhjetëra organizata ndër-shtetërore, ka fituar gjyqin në gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe paguan edhe pjesën që i takon të borxheve jugosllave në FMN dhe Bankë Botërore. Ky kufi përputhet me hartën e Zonës Tokësore të Sigurisë të dalë prej Marrëveshjes Teknike Ushtarake të Kumanovës që tashmë është depozituar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe është traktati që solli çlirimin e Kosovës. Marrëveshja dhe harta shoqëruese e hollësishme është nënshkruar prej qeverisë Jugosllave dhe NATO-s, është përdorur si referencë nga KFOR-i për të ruajtur kufijtë e Kosovës për 17 vitet e fundit pa asnjë kontestim nga ndonjë aktor brenda apo jashtë vendit.
Debati mes ekspertëve të pavarur dhe Komisionit Shtetëror në Kuvendin e Kosovës ka rezultuar me argumente të shumta, që kanë komprometuar profesionalisht marrëveshjen ndërshtetërore për demarkimin e kufijve me Malin e Zi. Pse qeveria nuk po i merr parasysh argumentet e ekspertëve?
Thaçi: Unë e ndoqa me shumë vëmendje debatin të cilin e vlerësoj shumë të dobishëm pasi ndihmoi në sqarimin e dyshimeve të shumta që janë hedhur për procesin. Është për të ardhur keq që ky debat u pengua për muaj me radhë prej dhunës së gazit lotsjellës dhe molotovit. Ai debat konfirmoi punën cilësore të komisionit tonë shtetëror dhe nxori në pah sa të paqena ishin pretendimet e opozitës dhe ekspertëve që ata kishin sjellë. Kështu për shembull në atë tryezë dëgjova një ekspert të opozitës i cili shiste për argumente “gozhdues” kundër komisionit numrin e faqeve të enciklopedive që kishte lexuar apo bënte biografinë e juristit të shquar holandez Hugo Grotius duke folur për anekdotat e jetës së tij dhe për faktin që si gjeni ishte bërë profesor që 26 vjeç. Po ashtu më rastisi të dëgjoj një tjetër ekspert që deklarohej plot vetëbesim se si “Abraham Linkolni dhe Gjorgj Uashingtoni” na kanë ardhur në ndihmë ne kosovarëve para disa dekadash ndërkohë që dihet se ata kanë jetuar respektivisht në shekullin e 18-të dhe 19-të. Nga ana tjetër në punën e bërë komisioni është konsultuar ngushtë me NATO-n dhe puna e komisionit është konfirmuar si e saktë prej departamentit të shtetit të aleatit tonë kryesor pas kërkesës së bërë nga përfaqësues të opozitës për të dhënë një opinion, si dhe nga tre ekspertët e pavarur me reputacion ndërkombëtar që erdhën me kërkesë të Presidentes Jahjaga. Prandaj qeveria mori në konsideratë argumentet dhe opinionet e ekspertëve vendas dhe të huaj që janë njëmend të pavarur dhe kompetentë për këtë fushë dhe me të drejtë e miratoi projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Çfarë do të ndodh me këtë marrëveshje nëse qeveria nuk arrin t’i bëjë votat e mjaftueshme për ta ratifikuar? Do të rinegociohet, do të dërgohet në arbitrazh apo cilët janë hapat e mëtejshëm që duhet të ndiqen?
Thaçi: Unë besoj se Kuvendi i Kosovës do të qëndrojë në lartësi të detyrës dhe nuk do të bjerë pre e spekulimeve dhe shantazhimit me dhunë duke e votuar ratifikimin e marrëveshjes. Çështja e shënjimit të kufirit është shumë e rëndësishme dhe kërkon që nga të gjithë që të heqin dorë interesat e ngushta dhe afatshkurtra politike për hir të interesit madhor shtetëror. Miratimi i demarkacionit ka të bëjë me Kosovën si një shtet i pavarur e Sovran pasi lidhet drejtpërdrejtë me dy nga katër kriteret e Konventës së Montevideos mbi të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Shteteve. Konkretisht në të drejtën ndërkombëtare “Shteti si një person i së drejtës ndërkombëtare duhet të posedojë katër kritere bazë, popullsinë, territorin e përcaktuar, qeverinë dhe kapacitetin për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera.” Marrëveshja e demarkacionit lidhet drejtpërdrejtë me kriterin e territorit të përcaktuar dhe aftësisë për të hyrë në marrëdhënie me shtete të tjera. Pra shënjimi i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi përmbush kriterin e Montevideos dhe është një detyrim kushtetues dhe obligim ndërkombëtar që kontribuon drejtpërdrejtë në konsolidimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Pas ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës kjo marrëveshje do të depozitohet në Sekretariatin e Traktateve të OKB duke çimentuar shtetësinë dhe imazhin tonë ndërkombëtar.
Unë i bëj thirrje gjithë opinionit publik që ratifikimin ta shoh si arritje e jo si humbje. Për çdo shtet të botës e sidomos për Kosovën që e ka njohjen ndërkombëtare të pazgjidhur, pasja e kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe te pranuar me mirëkuptim të dyanshëm nga fqinjët, shërben si një akt që konsolidon sigurinë dhe reputacionin ndërkombëtar. Me anën e kësaj marrëveshje Kosova bën të mundur që të ketë 3 nga 4 kufijtë e saj ndërkombëtar të pakontestuar dhe të pranuar me mirëkuptim nga pala tjetër gjë që është një arritje e rrallë për shtetet e dala nga perandoritë apo federatat shumëkombëshe. Sot ka mbi 130 kufij të kontestuar e të pa demarkuar që janë burim konfliktesh aktuale apo të fjetur dhe shënjimi i kufijve në mirëkuptim e konsensus mes palëve të interesuara sikurse ndodhi në rastin e Kosovës dhe Malit të Zi konsiderohet në marrëdhëniet ndërkombëtare si një investim afatgjatë në paqe, stabilitet e reputacion. Përpos kësaj, mos-miratimi i kësaj marrëveshje cenon kriterin e katër e Montevideos për të qenë shtet dinjitoz, shprehimisht, kapacitetin për të hyrë në marrëdhënie me shtete të tjera dhe për të respektuar këto marrëveshje.
Vlen gjithashtu të theksohet se mos-miratimi i marrëveshjes vë në pikëpyetje kredibilitetin por edhe marrëdhënien me aleatin kryesor. Shënjimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi ka marrë mbështetjen politike të drejtpërdrejtë të presidentit amerikan Barack Obama, të sekretarit të shtetit John Kerry gjatë vizitës së tij në Prishtinë, të departamentit të shtetit dhe të ambasadorit të aleatit tonë më të rëndësishëm.
Një dështim i miratimit të marrëveshjes vë në pikëpyetje edhe këtë mbështetjen dhe kredibilitetin e partnerëve evropian, marrëdhënien tonë me ta si dhe ecurinë e proceseve të rëndësishme të integrimit Evropian, liberalizimit të vizave dhe të anëtarësimit në NATO. Kjo pasi procesi i demarkacionit është përshëndetur edhe nga institucionet dhe vendet e Bashkimit Evropian. Nuk duhet të harrojmë dy vendet mike të shquara të Kosovës, Britania dhe Gjermania ofruan dy ekspertë të njohur të pavarur të thirrur nga ish presidentja Jahjaga, të cilët konfirmuan saktësinë e punës së komisionit.
Po ashtu duhet kuptuar se duhet treguar kujdes i madh në kultivimin e fqinjësisë së mirë dhe në marrëdhënien dypalëshe që kemi me Malin e Zi. Ky shtet mund të konsiderohet me gojën plotë shtet mik i Kosovës sepse e ka mbështetur shtetin tonë në çdo hap apo proces ndërkombëtar pavarësisht kostove të mëdha brendshme e të jashtme. Në procesin e shënjimit ka dëshmuar mirëkuptim, transparencë dhe bashkëpunim të plotë. Mali i Zi është shtet aleat i Kosovës për sa i përket orientimit gjeostrategjik duke ecur përpara në procesin e anëtarësimit në BE dhe duke finalizuar në pranverën e vitit që vjen procesin e anëtarësimit në NATO. Pra nuk ka asnjë arsye të mendohet se Mali i Zi ka vepruar tinëz dashakeqësi gjatë demarkacionit për të ushqyer mandej dyshime se ne kinse kemi humbur nga ky proces. Prandaj unë shpresoj që në Kuvend të mbizotërojë gjuha e arsyes dhe fakteve shkencore dhe jo frika e dhunës pasi dëmet shkaktuar reputacionit tonë si shtet dhe marrëdhënies sonë me aleatët dhe fqinjët do të jashtëzakonisht të mëdha. /Lajmi.net/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëSerwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?
Darka e Lamës në Llukë të Deçanit, Haradinaj: Shenjë e jona që na bashkon
Analiza e "Octupus": Si po synon Serbia destabilizimin e Kosovës përmes luftës hibride
Autobusi nga Maqedonia rrëshqiti në autostradën në Serbi
Fermeri shqiptar synon rekordin Guinness me vargun më të gjatë të qepëve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj